E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy tragjedi në familjen Përvathi, i vrasin burrin, i jep fund jetës



LEZHË – Vrasja e kryefamiljarit pas një konflikti për çështje pronëse në shtëpinë Përvathi, nuk ka përfunduar me kaq. Dhimbja e madhe për humbjen e burrit dhe plagosja rëndë e të birit, ka detyruar bashkëshorten e viktimës që ti japë fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë. Ngjarja e rëndë ndodhi dje pasdite në fshatin Manati të rrethit të Lezhës. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se në mesditën e së shtunës është ekzekutuar me armë zjarri shtetasi Gjon Përvathi. Viktima sapo kishte dalë nga qelia dhe kishte shkëmbyer fjalë me autorin e krimit pasi kishte disa pretendime pronësie. Më pas, ai e ka qëlluar me armë zjarri babanë e katër fëmijëve duke e lënë të vdekur.
Vrasja
Burimet policore shtojnë se ngjarja ku mbeti i vrarë Gjon Përvathi ndodhi në rrugën e vjetër Lezhë- Laç. Palët janë përplasur me armë me njëri-tjetrin, ku Përvathi ka arritur të qëllojë me armë, duke lënë të lënduar edhe kushëririn e autorit. Por gjatë largimit me makinë, autori i krimit ka aksidentuar edhe djalin e viktimës. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes duke u shpallur në kërkim. Policia e Lezhës nuk ka dhënë emrin e autorit të krimit, ndonëse e ka identifikuar. Policia ka identifikuar autorin e vrasjes dhe është vënë në ndjekje të tij.
Vetëvrasja
Dy tragjedi njëra pas tjetrës kanë përfshirë dje një familje në Lezhë. Pas vrasjes atentatit të ndodhur në mesditën e së shtunës në fshatin Manati, ku mbeti i vdekur shtetasi Gjon Përvathi, gruaja e tij nuk ka përballuar dot dhimbjen e humbjes se bashkëshortit dhe është vetëhelmuar disa orë më vonë. Ngjarja ka ndodhur në mesditë kur viktima Gjon Përvathi u qëllua me armë zjarri teksa po ecte në rrugën e fshatit. Mësohet se Gjon Përvathi ka qenë në burg për një konflikt pronësie me autorin dhe vetëm para pak ditësh ka lënë qelinë. Martine Përvathi, nëna e 4 fëmijëve i ka dhënë fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë përpara syve të motrës së saj, në pamundësi për të duruar dhimbjen e rëndë të vrasjes bashkëshortit.
Forca të shumta policie kanë qëndruar gjatë ditës së djeshme në fshatin Manati dhe po merren me autorin e krimit. Frika për gjakmarrje ka bërë që fshati të vendoset në rrethim policor për disa orë me radhë. Ndërkohë, është kryer ekspertiza e gruas së vetëhelmuar. Burimet policore thonë se kanë marrë dëshmitë e familjarëve të Martine Përvathit, e cila nuk arriti të përballojë vdekjen e bashkëshortit të saj.

Hakmarrja, ndalohet i dyshuari për vrasjen e Vishës

TIRAN˖ Pas dhjetë ditësh ndalohet i dyshuari kryesor për vrasjen e Arben Vishës në periferi të kryeqytetit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është ndaluar shtetasi Bajram Dara, 41 vjeç, me banim në Tiranë nga specialistët seksionit Kundër Jetës dhe Shëndetit, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, pasi dyshohet se është vrasësi i shtetasit 38 vjeçar Arben Hamdi Visha. Krimi ndodhi më datë 11 nëntor 2009 rreth orës 20.20, në rrugën Myslym Keta, në periferi të kryeqytetit. “Nga hetimet e kryera, rezultoi se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrje”, - thonë burimet zyrtare të policisë, e cila ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e dyshuar të krimit, tip pistoletë TT, 16 fishekë m 54 si dhe automjeti i tij, me të cilën dyshohet se është larguar menjëherë pas kryerjes së këtij krimi. Ekspertët po bëjnë verifikimin e të dhënave dhe ekzaminimin e armës, me të cilën dyshohet të jetë kryer vrasja.

23 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›