E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uribes nuk i lejohet të rikandidojë për president

Gjykata Kushtetuese e Kolumbisë ka bllokuar përpjekjet e presidentit mjaft të popullarizuar të vendit, Alvaro Uribe, që të kandidohet për mandatin e tij të tretë në funksion, duke e cilësuar si jo-kushtetuese thirrjet për organizimin e një referendumi për këtë çështje.

Uribe, i cili në anketa gëzon një përkrahje prej 70 për qind dhe i cili është aleati kryesor i SHBA-së në Amerikën Jugore, theksoi se ai do ta respektojë vendimin, ndaj të cilit nuk mund të ankohet.

Ky vendim ja hap shtegun ish-Ministrit të Mbrojtjes, Juan Manuel Santos, ithtar i Uribes, që të kandidojë për zgjedhjet presidenciale në Kolumbi, të cilat zhvillohen më 30 maj.

Anketat dëshmojnë se Santos është favorit për të ngadhënjyer. Në vendin e dytë rreshtohet ish-prefekti i qytetit të Medellinit, Sergio Fajardo.

Santos dhe kandidatët tjerë potencial konservator kanë pritur të shohin se a do t’i mundësohet Uribes që të kandidojë për mandatin e tretë, para se të kumtojnë zyrtarisht kandidaturat e tyre.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›