E Diel, 1 Nëntor 2026

Uruguai i papërmbajtshëm: 3-0. Afrika e Jugut, ëndrra mbaroi

Grupi A Pas dy golave të Forlan dhe rrjetës së Pereira, skuadra e Tabarez pranë kualifikimit

Më në fund gjendet “kura” për të zbutur zhurmën e vuvuzelave në Afrikën e Jugut. Kjo edhe për faktin se tifozët vendas filluan të braktisnin shkallët e stadiumit në Pretoria gjatë ndeshjes që “Bafana Bafanat” humbën me rezultatin 0-3 përballë Uruguait. Skuadra e drejtuar nga Karlos Alberto Pareira dukej e pafrymëzuar. Praktikisht, afrikanojugorët nuk janë parë në fushën e lojës. Ndoshta ata zgjodhën momentin më të keq për t’u shpërfytyruar, pasi Uruguai është një makinë që prodhon lojë, e ndërtuar nga Tabarez me një efikasitet të tillë, aq sa askush nuk mund t’i cilësojë një kundërshtar të lehtë në këtë botëror.

Loja nis me uruguaianët që tentojnë të zhbllokojnë menjëherë ndeshjen me lojtarët më të mirë. Suarez dhe Forlan kërkojnë të kombinojnë, madje edhe në zonën kundërshtare, të mbështetur nga Fuçile në të majtën: gjithsesi, gjuajtjet e minutave të para nuk kanë asnjë histori. Në anën tjetër, është Tshabalala ai që provon të bëjë diçka. Ai provon nga distanca sapo i shfaqet porta, duket se ka fituar më tepër besim nga sa duhet pas golit me Meksikën. Megjithatë, Afrika e Jugut është mjaft pasive në lojë dhe sa herë ka topin nëpër këmbë, mundohet vetëm të ulë ritmin e kundërshtarëve. Pikërisht në momentin kur dukej se ndeshja do të kthehej në një betejë taktike, është regjistruar edhe episodi që ndryshoi gjithçka. Në minutën e 24-t Forlan merr top në gjysmëfushën kundërshtare, lëshon një goditje të jashtëzakonshme nga distanca, që bëhet e pakapshme për portierin Khune, edhe për shkak të devijimit me shpinë të Mokoenas. Afrika e Jugut kërkon të reagojë me disa iniciativa të Mpelas dhe Tshabalalas. Por, me kalimin e minutave, skuadra e drejtuar nga Parreira duket pa ide, edhe për shkak se asnjë nga lojtarët nuk lëvizte pa top për të krijuar hapësira. Edhe fraksioni i dytë i lojës kalon me skuadrën e Tabarez që dukej më e freskët fizikisht, por dëshira e afrikanojugorëve për të mos dështuar në sy të publikut të tyre ka krijuar disa vështirësi. Ndeshja zgjidhet në minutën e 80-të, kur portieri Khune shkakton penallti ndaj Suarez. Ekzekutimi nga pika e bardhë shndërrohet në gol nga Forlan, ndërsa Afrika e Jugut e sheh veten edhe në inferioritet numerik prej kartonit të kuq për “gardianin”. Në minutën e pestë shtesë, Uruguai shënon edhe me Alvaro Pereiran dhe tashmë e sheh veten fare pranë kualifikimit në fazën tjetër. Ndërkohë, festa e Afrikës së Jugut për organizimin e Botërorit 2010 duket se është venitur nga eliminimi i parakohshëm.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›