E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surprizë e Zvicrës, Spanja K.O.

Skuadra e Hitcfeld fiton 1-0, mediat iberike në alarm: “Nevojitet modesti”

Zvicra rezervon surprizën e parë të madhe të Botërorit 2010, duke shembur në tapet Spanjën, kampione të Europës në fuqi: 1-0 ishte rezultati final i takimit në Durban. Favoritja për fitimin e trofeut më të rëndësishëm në Afrikën e Jugut është gjunjëzuar përballë helvetëve të mirorganizuar dhe të pakursyer në mbrojtjen e portës së tyre. Goli i fitores u realizua nga Gelson Fernandes. Heroi i Zvicrës luan si mesfushor, ka lindur në vitin 1986 në Kejp Verd, por është rritur në Sion. Në të kaluarën ai ka milituar për Mançester Sitin, ndërsa tashmë aktivizohet te Sant Etien. Këto janë të dhënat e 23-vjeçarit që fundosi “Furinë e Kuqe”, një prej skuadrave më të frikshme në këtë edicion të Kupës së Botës. Ai ka shtyrë në rrjetë një top që mbeti në zonën e vogël të Iker Kasiljas, pas pasigurisë së shfaqur nga spanjollët. Ishte minuta e 53-të kur zviceranët dolën në kundërsulm: Pujol nuk arrin të largojë me kokë, Derdijok bllokohet nga Kasiljas, por përveç devijimit të topit “gardiani” shemb në tokë edhe shokun e skuadrës, Pike. Sfera mbetet aty, ndërsa Fernandes që kishte ndjekur aksionin, vetëm sa e ka shtyrë në rrjetë.

Dizavantazhi ishte si një goditje “poshtë brezit” për Spanjën, që deri në ato momente ka dominuar ndeshjen. Përqindja e mbajtjes tregonte në mënyrë të dukshme se skuadra e Del Boskes kontrollonte sfidën: spanjollët luanin gjithmonë me qarkullime, duke sulmuar kundërshtarët me aksione të gjata. Por, më pas zviceranët thuajse e justifikojnë fitoren, duke dalë më shpesh në kundërsulme, madje duke goditur edhe një herë shtyllën me Derdijok, i cili dribloi dy mbrojtës kundërshtarë. Tentativat e iberikëve nuk kanë munguar. Ksabi Alonso trondit traversën, ndërsa në episodet e tjera mbrojtja helvete është treguar e saktë, ndërsa në disa raste rreziku u neutralizua nga portieri Benaljo. Zviceranët e Otmar Hitcfeld paraqesin një mbrojtje të hekurt. Ndërkohë, kjo ishte ndeshja e pestë e tyre pa pësuar gol. Në Botërorin 2006 ata e mbyllën fazën e grupeve pa asnjë humbje, ndërsa në 1/8-at u eliminuan nga Ukraina me penallti (ndeshja u mbyll në barazim 0-0).

Humbja me Zvicrën i dha fund ecurisë pozitive me 12 fitore, ndërsa kjo ishte disfata e dytë për Spanjën në 50 ndeshjet e fundit (ata kanë humbur edhe përballë SHBA-së në Kupën e Konfederatave gjatë vitit të kaluar). Mediat spanjolle nuk e kanë besuar zhgënjimin. E përditshmja “Marca” i bënte thirrje skuadrës për një “Kurë modestie”, duke shtuar se “Zvicra e kapi në befasi Spanjën, që nga ana e saj ishte e pafat përpara portës”. “Leksion modestie”, ishte titulli i “Mundo Deportivo”, “Spanja shembet përballë Zvicrës”, lexohej te “El Pais”, ndërsa “El Mundo” theksonte: “Një makth në nisje”. Trajneri Visente Del Boske deklaroi: “Ishte një rezultat i papritur. Kërkuam fitoren, tentuam me të gjitha mënyrat, por nuk ishte dita jonë me fat. Tashmë jemi të detyruar t’i fitojmë dy ndeshjet e mbetura”. Ndërkohë, në përfundim të ndeshjes, princi Felipe i Spanjës ka vizituar skuadrën në dhomat e zhveshjes. Djali i mbretit Huan Karlos i ka dhënë kurajë “Furisë së Kuqe” pavarësisht humbjes.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›