Kili, një fitore që vjen pas 48 vitesh
Dje në Nelspruit të Afrikës së Jugut ka marrë fund mallkimi 48-vjeçar i Kilit. Skuadra amerikanojugore është rikthyer te fitorja në fazën finale të Kupës së Botës, pasi ka mposhtur 1-0 Hondurasin, në ndeshjen e parë të Grupit H. Triumfi i fundit i kilianëve në aktivitetin prestigjioz ishte regjistruar në vitin 1962, kur mposhti 1-0 Jugosllavinë në finalen për vendin e tretë. Goli historik ka si autor Beausejur, i cili ka konkretizuar rastet e shumta për shënim të skuadrës së Bielsas, që ka dominuar pjesën më të madhe të takimit. Prej minutave të para, ishte e lehtë të kuptoje që Kili dominonte lojën, ndërsa Hondurasi ka ushtruar presing në të gjithë fushën dhe kërkonte kundërsulmet e shpejta. Aksioni i Kilit që ka hyrë në histori u regjistrua në minutën e 34-t të ndeshjes, ku sulmuesi Beausejur ka devijuar drejt rrjetës një harkim të Islas nga e djathta. Por, përveç tri pikëve, rëndësi ka fakti që skuadra e Marselo Bielsas bindi me lojë, e mund të kishte fituar me rezultat më të thellë. “Ishte një fitore e merituar, mund të kishim shënuar edhe më shumë gola. Në mbrojtje nuk kemi lënë hapësira. Hondurasi kishte disa probleme prej mungesave dhe për këtë arsye nuk tregoi vlerat e vërteta”, tha drejtuesi i stolit të Kilit.
#