E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uruguai, pranë së tetës së finales

Uruguai po ecën me hapa të sigurt drejt së tetës së finales së Botërorit 2010. Skuadra amerikano-jugore, të mërkurën mbrëma e mposhti Afrikën e Jugut me rezultat të pastër, 3:0, në xhiron e dytë të Grupit A.

Në Loftus Versfeld Stadium të Pretorias, skuadra e selektorit Tabarez tregoi një ndeshje mjaft të mirë, ndërsa jug-afrikanëve nuk iu ndihmuan as Vuvuzelat, që edhe kësaj radhe nuk pushuan. Sulmuesi i rrezikshëm Diego Forlan, ishte më meritori në fitoren e uruguaianëve. Ai shënoi një gol fantastik nga distanca, në minutën e 23-të.

Në vazhdim, vendësit u munduan ta barazonin rezultatin, por u treguan të paaftë. 10 minuta pa përfunduar ndeshja, portieri Khune ndërhyn në mënyrë të palejueshme si lojtari i fundit ndaj sulmuesit Suarez dhe gjyqtari pa menduar dy herë jep penallti për uruguaianët, ndërsa portieri afrikan ndëshkohet me karton të kuq.

I saktë nga 11 metra ishte sulmuesi i Atletico Madrid, Forlan, duke mos i dhënë shans portierit rezervë Josephs që ta ndalë këtë gjuajtje. Në minutat shtesë, mysafirët e gjetën edhe golin e tretë përmes Alvaro Pereira, i cili u shërbye mjaft mirë nga Suarez.

Kjo fitore ia shton gjasat Uruguait për ta siguruar një vend ndër 16 skuadrat më të mira të këtij kompeticioni, derisa jug-afrikanët, me këtë humbje janë fundosur: vetëm një mrekulli mund t’u ndihmojë atyre që ta kalojnë fazën e grupeve.

Në xhiron e tretë të Grupit A, Uruguai do të luajë me Meksikën, kurse Afrika e Jugut me Francën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›