E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish- ushtarakët duhet ti drejtohen OKB-së dhe Hagës



Nga Fiqiri Cena*

Siç është bërë publike në shtyp dhe televizione, ushtarakët tashmë që nga viti 90-të e në vazhdim radhiten ndër shtresat më të persekutuara, të përndjekur e më të varfër në Shqipëri. Kjo vërtetohet nga faktet se atyre nuk u është dhënë dhe as mendohet u jepet e drejta e tyre legjitime, ku nuk u njihet statusi dhe e drejta e dhënë nga Gjykata Kushtetuese për njohjen e detyrimeve që burojnë nga ky ligj. Kjo e fundit fatkeqësisht nuk vendos para përgjegjësisë ligjore cilindo funksionar, sado i lartë shtetëror, që nuk zbaton vendimet e saj. Kjo do të thotë se personat e lartpërmendur shkelin institucionin e lartë të mbrojtjes kushtetuese. Pra titullarët e shtetit me dashje shkelin të drejtën kushtetuese të ushtarakëve, e thënë troç shkelin kushtetutën duke abuzuar me detyrat funksionare shtetërore.
Ushtarakët kanë qenë dhe mbeten pjesa më vitale e kombit, si të tillë herë pas here në vazhdimësi të ndërrimit të pushteteve ata kanë mundur të jenë pjesë e ndryshimeve, promotor të ndërrimit të demokracisë. Si të tillë ata janë munduar dhe mundohen që problemet dhe hallet e tyre ti zgjidhin në formën e mënyrës demokratike. Praktika e deritanishme ka treguar se politikanët e sotëm kanë abuzuar dhe as që u bën përshtypje përse ankohen e qahen këta njerëz, të cilët në përbërje janë një armatë e tërë që shkon mbi 20 mijë vetë pa llogaritur përbërjet e tyre familjare që presin ndihmën e baballarëve të tyre. Mbetet për të theksuar se familjet, fëmijët e ushtarakëve janë më të papërkrahurit e më të përçmuarit nga pushteti dhe shteti i klaneve e farefiseve të pas viteve 90 e në vazhdim. Edhe nëse ka ushtarak të cilët janë edhe parlamentar është për të ardhur keq nga mbështetja dhe trajtimi që u bëjnë kërkesave, të drejtave dhe detyrimeve të ushtarakëve. Por nëse do gjykojmë me gjakftohtësi nuk duhet të na vij shumë keq për njerëz të tillë, sepse ata njihen edhe në karrierën ushtarake, qoftë eprore apo deprore si njerëz shumë të dashur e të sjellshëm me eprorët dhe prepotentë e arrogantë me vartësit e tyre. Me këtë lloj sjellje kanë bërë karrierë, pa u bërë përshtypje se kanë qenë ushtarak. Madje, ndonjëri nga ata edhe madhor, por që në marrëdhënie me njerëzit praktika e punës së tyre ka qenë qeshje e zgërdhije para syve, e shikon pas shpine. Prandaj duhet heshtur, sepse po shkelen të drejtat themelore të njeriut, siç është ajo e drejtë themelore e ushtarakëve për të jetuar dhe që të jetosh duhen të ardhura që qeveritë e deritanishme edhe pse u takojnë nuk ua japin. Në këto kushte dhe rrethana në të cilat ne jetojmë janë të pamjaftueshme puna dhe përpjekjet e bëra deri tani për të fituar të drejtat tona të ligjshme të njohura tashme e të mbështetura nga gjykata Kushtetuese, ushtarakët nuk duhet të bien pre e politikës antikombëtare as të mashtrohen prej saj duke ikur si dallgët e detit ca majtas dhe ca djathtas. Ne nuk duhet të merremi vetëm më problemet e çastit, por krahas kësaj të shikojmë e luftojmë fuqimisht edhe për perspektivën e cila është tejet e zymtë dhe pa shpresa, për mbarë kombin tonë, pjesë e së cilit ne jemi dhe si të tillë kemi jo pak përgjegjësi për lejimin e gjendjes së rëndë dhe të mjeruar të popullit, e aq më keq të heshtim e përulemi përpara kësaj gjendjeje.
Kryesia që ka marrë për sipër të organizojë, drejtojë e përfaqësojë ushtarakët dhe të drejtat e tyre nuk duhet të heshtë para politikës klanore, mafioze e kriminale të pushtetarëve të djeshëm e aq më tepër të këtyre të sotëm, të cilët vetëm nëse do të përdorin teknikën, armatimin e municionet ushtarake, vlerat e tyre për interesat e popullit në tërësi, duhet të jemi të sigurt se vlera e nevojave të domosdoshme për plotësimin e kostos, të statusit të ushtarakëve do të ishte e papërfillshme për një qeveri që marrjen e pushtetit e konsideron përgjegjësi për të siguruar jetën e mirëqenien e popullit që i dha pushtetit. Por nga ana tjetër humbje e madhe për ato qeveri që me marrjen e pushtetit afrojnë klanet e tyre, farefisin dhe qëllimi final pasurinë dhe rritjen e mirëqenies personale me mënyra mafioze e të paligjshme, krejtësisht antikombëtare, me qeveri të tilla ne tashmë po përballemi vazhdimisht nga viti 1996 e në vazhdim. Treguesi i qartë i këtyre formave dhe metodave qeverisëse, më të qarta se ajo që zbuloi tragjedia e gërdecit, nuk ka ku të gjesh deri sot, përfshi ndërtimin, veprimin e falimentimin e firmave piramidale ku shteti pasi vodhi paret e gjakut të emigrantëve të këtij populli, iu vuri pushkën për t’i shtypur e vrarë. Gjendja dhe qëndrimet e deritanishme tregojnë se lufta dhe përpjekjet e ushtarakëve për të drejtat dhe liritë e tyre siç duket kanë rënë në veshin e shurdhër, qoftë të institucioneve të brendshme, qoftë të atyre ndërkombëtare, europiane. Atëherë, a mund të mjaftohemi me kaq? Kurrë jo. Ajo çka duhet, mendoj unë është se duhet të informohet OKB-ja dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për shkeljet flagrante dhe të qëllimshme që iu bëhen të drejtave të njeriut në tërësi dhe ushtarakëve dhe familjeve të tyre në veçanti. Duhet të bëhet një informim i tillë pasi qëndrimet e qeverisë shqiptare janë mjaft provokuese, sidomos ndaj ushtarakëve.
Veprime të tilla janë të domosdoshme të merren, madje tepër të fuqishme, pasi siç flitet nëpërmjet mjeteve të ndryshme të informimit këto lloj qeveri dhe politikanë përbëjnë financim, investim ndërkombëtar me mjete të ndryshme të informimit për të errësuar sytë e politikës europiane për ato çka faktikisht ndodh, veprohet e zhvillohet në Shqipëri nën moshën e reformave të demokratizimit të vendit. Kurse në planin e brendshëm kombëtar nuk mjaftojnë disa demonstrata apo greva paqësore e mjeft të vakëta, është e domosdoshme që këtë demonstrime të jenë tepër të fuqishme për të tronditur një herë e mirë qeveritë e papërgjegjshme që mbjellin çdo ditë varfëri, mjerim, padituri dhe që bashkëjetojnë e bashkëqeverisin me mafien dhe krimin e organizuar. Këta zotërinj që na mashtrojmë e na presin në besë, sa marrin mbyllen në zyrat e shtetit e institucionet më të larta deri në selinë e kuvendit, duhet të kenë të qartë se janë një pikë uji në oqean përpara shumicës dërrmuese të popullit, shtresave të tij në nevojë që çdo ditë e më tepër po ndërgjegjësohen për një luftë të gjithanshme, me të gjitha llojet e mjeteve demokratike për të mbrojtur e vendosur në vend të drejtat dhe liritë themelore të shkelura në mënyrën më brutale dhe antinjerëzore nga qeveritë e deritanishme në mënyrë të veçantë asaj aktuale, e cila jo vetëm nuk don të dijë për të drejtat e ushtarakëve, por në një farë mënyre shfaq një urrejtje ndaj këtyre bijve të këtij populli, që jetën më të mirë të tyre e kanë kaluar çadrave e tuneleve për të realizuar mësimet e partisë nënë, të shtrenjtë e të dashur të politikanëve të sotëm, të cilët i rriti në oborrin e saj dhe i shkolloi në universitetet europiane, duke i brumosur në shkollën e partisë Vladimir Iliç Lenin në Tiranë. Kurse ushtarakët ishin të destinuar të vigjilonin për të siguruar jetën e tyre dhe të familjes nën maskën e mbrojtjes së atdheut nga sulmet imperialisto -revizionist. Ne jemi pjesë e pasurisë kombëtare, jemi pjesë e këtij populli dhe si të tillë duhet t’i mbrojmë me çdo formë liritë dhe të drejtat themelore, për këto nuk duhet të kërkojmë mëshirë e ta presim atë nga të pamëshirshmit, por ta fitojmë duke luftuar në të gjitha format, mjetet e metodat demokratike, duke u bazuar në institucionet më demokratike ndërkombëtare, por jo në persona të veçantë që për hir të interesave personale korruptive që mund të ketë në qeverinë shqiptare nuk do të dije për veprimet antiligjore të tyre ndaj popullit, apo ndaj ushtarakëve të liruar në rezervë e pension. Shqipëria është i vetmi shtet që gradat i ka vendosur, por nuk njeh detyrimet ndaj tyre kur personat që i mbajnë dalin në lirim, rezervë e pension.
Më tepër se kurrë sot nuk kemi seç të presim, nuk duhet të shpresojmë te opozita aktuale, e cila de jure dhe defakto është bashkëpërgjegjëse dhe bashkudhëtare e qeverisjes mafioze, e korrupsionit galopante që e ka çuar dhe po e çon vendin çdo ditë e më tepër në oqeanin e varfërisë njerëzimit, analfabetizmit dhe krimit në shoqëri e familje, atëherë nën moton se më tepër se ç’kemi humbur nuk kemi çfarë të humbasim, duhet të hidhemi fuqimisht në greva, demonstrata duke informuar e sensibilizuar institucionet më të larta ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut në OKB, me qëllim që me çdo formë e mjete të fuqishme demokratike të fitojmë ato çka na takojnë, por qeveritë dhe politikat e disave nuk duan të na i japin. Nëse nuk arrihet kërkesa e shoqatës, kjo duhet të mbajë përgjegjësi të rëndë se është ajo së fundi që në një farë mase ka rënë në oportunitet me qeverinë dhe është pengesa reale për arritjen e fitores, të drejtave tona legjitime.

*Gjeneral brigade

29 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›