E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët, 12 pretendimet e humbura në Kushtetuese



Fillimisht Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e paraqitur nga ish-ushtarakët për pezullimin e ligjit. Ajo argumentoi se nuk u gjetën fakte bindëse për mundësinë e ardhjes së pasojave të dëmshme për interesat shtetërore e shoqërorë ose të individëve, si rrjedhojë e zbatimit të menjëhershëm të këtij ligji. Ndërkohë ushtarakët, Avokati i Popullit, Sindikata e Policisë, Organizata e Policëve në Lirim, Aleanca e Ushtarakëve kërkuan shfuqizimin e plotë të ligjit si të papajtueshëm me Kushtetutën, pasi sipas tyre: “Krijon diskriminim mes ushtarakëve, cenon parimin e sigurisë juridike, cenon parimin e barazisë përpara ligjit, cenon vendimet gjyqësore të formës së prerë, ka fuqi prapavepruese dhe rrit masën e kontributit suplementar që punonjësit e Policisë së Shtetit duhet të paguajnë, cenon standardin kushtetues të një procesi të rregullt ligjor, cenon të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës, vendos një lloj barazie në përfitime ndërmjet punonjësve të policisë që kanë grada më të larta dhe që paguajnë më shumë kontribute dhe atyre që kanë grada dhe paga më të ulëta dhe që paguajnë më pak kontribute, zvogëlon të drejtat e fituara nga punonjësit e Policisë së Shtetit, diskriminon ushtarakët, duke i barazuar me përfituesit e tjerë jo ushtarakë, cenon të drejtat e fituara nga ushtarakët dhe kufizon masën e pensionit në dy pensione bazë, pavarësisht gradave.

Pensionet e ushtarakëve, vendimi i plotë i Kushtetueses

Ushtarakëve që kanë përfituar që më parë pensionet e tyre suplementare nuk do iu cenohen, por mund t’iu rishikohen vetëm për t’i rritur ato, ndërsa ushtarakët që kanë paguar 2% kontribut suplementar nuk do të barazohen me ata që nuk kanë paguar, duke përfituar pension më të lartë si dhe nga ky ligj do të përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim për shkak të dënimeve me burgim të formës së prerë. Me këto tri argumente Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje ushtarakët në rezervë, të cilët u mbështetën nga Avokati i Popullit, Sindikata e Policisë dhe Organizata e Policëve në Lirim. Ndërkohë palët e interesuara në këtë proces ishin Aleanca e Ushtarakëve, Kuvendi, Qeveria, Ministria e Financave dhe ajo e Mbrojtjes, Sigurimet Shoqërore dhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës. Duke argumentuar vendimin e djeshëm, Kushtetuesja pohoi se pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese. Ndërkohë për të mos diferencuar ish-ushtarakët e liruar për shkak të dënimeve penale, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta shfuqizonte këtë pjesë të ligjit, duke i barazuar në këtë mënyrë edhe këta me kolegët e tyre, me argumentin se kjo mund të konsiderohet si një dënim i dytë për të njëjtën vepër.
Vendimi
Lidhur me pretendimin se ligji objekt gjykimi cenon parimin e barazisë përpara ligjit, sipas nenit 18 të Kushtetutës
Kërkuesi, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë pretendon se ligji objekt gjykimi krijon një diskriminim ndërmjet ushtarakëve që kanë paguar kontributin suplementar prej 2% dhe atyre që nuk e kanë paguar si dhe ndërmjet ushtarakëve që kanë vuajtur dënime politike dhe atyre që nuk kanë vuajtur të tilla dënime.
Gjykata thekson se parimi i barazisë, i parashikuar në nenin 18 të Kushtetutës, kërkon që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë përpara ligjit, jo vetëm në të drejtat themelore të parashikuara në Kushtetutë, por edhe në të drejtat e tjera ligjore. Nga ana tjetër, Kushtetuta, duke sanksionuar parimin e barazisë para ligjit, nuk i ka dhënë asaj kuptimin e një të drejte absolute, sepse ajo ka përcaktuar njëkohësisht edhe kushtet e kufizimit në ushtrimin e kësaj të drejtë. Paragrafi i tretë i nenit 18 të Kushtetutës pranon kufizimet e të drejtës për barazi me përmbushjen e disa kushteve të posaçme, të cilat duhet të jenë të përligjura në mënyrë të arsyeshme dhe objektive.
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në jurisprudencën e saj ka theksuar se dallimi në trajtim do të konsiderohet diskriminues, në vështrim të standardeve të nenit 14 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Gjykata vëren se ligji i kundërshtuar bën një trajtim të diferencuar ndërmjet ushtarakëve që kanë paguar kontributin suplementar prej 2% dhe atyre që nuk e kanë paguar këtë kontribut, si dhe ndërmjet ushtarakëve që janë dënuar për motive politike dhe atyre që nuk janë dënuar. Parimi i barazisë përpara ligjit kërkon ndërmjet të tjerave mosdiskriminimin e grupeve në kushte të njëjta të shtetasve pa arsye të përligjura. Ky parim kërkon që të gjitha subjektet të trajtohen në mënyrë të njëjtë, por nuk formulon ndalime që të mund të bëhet trajtim i diferencuar, kur individët e grupet nuk ndodhen në kushte të njëjta ose të ngjashme, ose kur ka justifikim të arsyeshëm e objektiv, duke vendosur një raport të arsyeshëm dhe përpjesëtimor midis mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet.
Në nenin 5 të ligjit numër 9210, datë 23.3.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” pranohet se ushtarakët e gëzojnë në mënyrë të njëllojtë statusin si ushtarak, pavarësisht nëse kanë paguar kontributin prej 2% ose kanë vuajtur burgim për motive politike, prandaj parimisht nuk lihet vend për krijimin e ndonjë ndarjeje bazuar në këto kritere.
Gjykata vëren se ligji objekt gjykimi në nenin 14 pika 2 parashikon një masë më të lartë përfitimi të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi për ushtarakët që kanë paguar kontributin suplementar prej 2%. Gjykata vlerëson se ky diferencim është i mbështetur mbi një kriter të arsyeshëm dhe objektiv në kuptim të standardeve të përmendura më sipër, pasi në nenin 5 të ligjit objekt gjykimi parashikohet se përfitimet suplementare financohen pjesërisht nga Buxheti i Shtetit dhe pjesërisht nga kontributet suplementare të derdhura nga ushtarakët gjatë kohës që ata janë aktivë. Gjykata vlerëson se është i përligjur dhe i arsyeshëm vendimi i ligjvënësit që ushtarakët, që kanë kontribuar më shumë gjatë kohës që kanë qenë aktivë të gëzojnë një përfitim më të lartë sesa ata që nuk kanë kontribuar në të njëjtën masë.
Në mbështetje të pretendimit të cenimit të parimit të barazisë përpara ligjit, kërkuesi pretendon gjithashtu se, ligji objekt gjykimi u mohon të drejtën e përfitimit të pensionit suplementar të pleqërisë atyre ushtarakëve që kanë vjetërsi shërbimi më pak se 15 vjet për burrat dhe 12 vjet për gratë, të njohur me ligjet e mëparshme, ndërkohë që ua njeh këtë të drejtë ushtarakëve të dënuar për motive politike.
Gjykata vëren se ky argument është i pabazuar në ligj, për arsye se në të kundërt nga sa argumenton kërkuesi, ligji objekt gjykimi nuk e lidh përfitimin ose jo të pensionit suplementar të pleqërisë me numrin e viteve të shërbimit në Forcat e Armatosura. Neni 15 i këtij ligji shprehet qartë se “ushtarakët e Forcave të Armatosura... që përfitojnë pension pleqërie, sipas ligjeve numër 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe numër 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, gëzojnë të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie”. Rrjedhimisht ligji objekt gjykimi nuk përjashton nga përfitimi i pensionit suplementar të pleqërisë asnjë ushtarak të Forcave të Armatosura, pavarësisht nga periudha e shërbimit të tij.
I pambështetur është gjithashtu edhe argumenti se ligji objekt gjykimi shkel parimin e barazisë përpara ligjit, pasi krijon një diskriminim ndërmjet qytetarëve të tjerë të Republikës së Shqipërisë dhe qytetarit ushtarak, në disfavor të këtij të fundit, duke parashikuar një afat më të shkurtër për tërheqjen e përfitimeve suplementare sesa ai i përfitimeve bazë sipas ligjit numër 7703.
Gjykata vëren se ligji objekt gjykimi nuk ka të njëjtin objekt me ligjin numër 7703. Ligji objekt gjykimi ka si qëllim garantimin e përfitimeve suplementare mbi ato të ligjit 7703. Gjykata vëren se të dy ligjet garantojnë përfitime të një natyre të ndryshme. Gjithashtu, gjykata vëren se përfituesit ushtarakë të Forcave të Armatosura përfitojnë në të njëjtat kushte me të gjithë qytetarët e tjerë nga ligji 7703. Për këto arsye gjykata e gjen argumentin të pambështetur në ligj.
“Organizata e Punonjësve të Policisë së Shtetit në Lirim” pretendoi se ligji objekt gjykimi shkel parimin kushtetues të barazisë përpara ligjit, pasi barazon përfitimet e punonjësve të policisë që kanë grada më të larta dhe paguajnë më shumë kontribute dhe atyre që kanë grada dhe paga më të ulëta dhe paguajnë më pak kontribute. Një pretendim i ngjashëm u paraqit nga subjekti i interesuar, shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë”, e cila pretendoi se ligji objekt gjykimi diskriminon ushtarakët, duke i barazuar me përfituesit e tjerë që nuk janë ushtarakë. Sipas kërkuesve, parimi i barazisë përpara ligjit duhet të interpretohet se përfshin jo vetëm detyrimin e shtetit për të trajtuar në mënyrë të njëjtë situata objektivisht të njëjta ose të ngjashme, por edhe detyrimin për të trajtuar në mënyrë të ndryshme situata objektivisht të ndryshme dhe në këto kushte ata nuk mund dhe nuk duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me kategori të tjera, që nuk ndodhen në të njëjtat kushte me ta.
Gjykata është shprehur në vendimet e saj të mëparshme se neni 18 i Kushtetutës ”... para së gjithash, sanksionon një detyrim negativ, sipas të cilit shteti duhet të mos ndërhyjë, me qëllim që askush të mos diskriminohet padrejtësisht... “. Ky interpretim buron nga vetë natyra e parimit të barazisë përpara ligjit, të sanksionuar në nenin 18 të Kushtetutës, që nënkupton të drejtën për t’u trajtuar në mënyrë të barabartë, duke u mbrojtur nga diskriminime të pambështetura në një përligjje të arsyeshme dhe objektive. Kërkuesit pretendojnë se parimi kushtetues i barazisë përpara ligjit duhet të interpretohet in extenso, duke përfshirë në kuptimin e tij detyrimin e shtetit për të ndërmarrë një rol aktiv, në mënyrë që të garantohet trajtimi i ndryshëm i situatave të ndryshme. Gjykata vlerëson se Kushtetuta i imponon ligjvënësit mbrojtjen e barazisë dhe vetëm në raste përjashtimore lejon trajtime të diferencuara. Interpretimi i kërkuesve i jep një kuptim të gabuar parimit të barazisë përpara ligjit, të mbrojtur nga neni 18 i Kushtetutës, siç është interpretuar nga kjo Gjykatë në jurisprudencën e saj të mëparshme. Sa më sipër, gjykata vlerëson se ky pretendim nuk është i mbështetur në ligj.
Lidhur me pretendimin se ligji objekt gjykimi shkel parimin e sigurisë juridike
Kërkuesit pretendojnë se ligji objekt gjykimi shkel parimin e sigurisë juridike, pasi cenon të drejtat e fituara nga ushtarakët e Forcave të Armatosura dhe nga punonjësit e Policisë së Shtetit nga zbatimi i ligjeve të mëparshme dhe të vendimeve të formës së prerë të gjykatave.
Gjykata rithekson se parimi i shtetit të së drejtës, i sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës, është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Jurisprudenca e kësaj gjykate referon te ky parim konceptin e sigurisë juridike, të së drejtës së fituar dhe të pritshmërive të ligjshme. Siguria juridike është një nga elementët më esenciale të parimit të shtetit të së drejtës dhe përfshin, krahas qartësisë, kuptueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit normativ, edhe besimin te sistemi juridik, pa marrë përsipër garantimin e çdo pritshmërie për mosndryshim të një situate të favorshme ligjore. Në këtë pikëpamje duhet parë në çdo rast se në çfarë mase dhe deri ku besimi që ka qytetari në situatën e favorshme ligjore paraqitet i rëndësishëm për t’u mbrojtur dhe cilat janë arsyet për një mbrojtje të tillë. Ligjvënësi jo vetëm që ka të drejtë, por është i detyruar të rregullojë, nëpërmjet akteve të veta, me hollësi të drejtat e parashikuara në Kushtetutë.
Siguria juridike presupozon, veç të tjerash, besueshmërinë e qytetarëve te shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara. Besueshmëria ka të bëjë me bindjen e individit se nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht ose të jetojë me frikë për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve juridike, të cilat mund të cenojnë jetën e tij private ose profesionale dhe të përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme.
Gjykata vëren se ligji objekt gjykimi unifikon kushtet dhe masën e përfitimeve suplementare të disa kategorive përfituesish. Gjykata vëren se ky unifikim ka sjellë pasoja pozitive për një kategori përfituesish dhe pasoja negative për një tjetër kategori, prandaj me të drejtë kërkuesit pretendojnë se disa prej dispozitave të ligjit objekt gjykimi cenojnë të drejtat e fituara për një pjesë të ushtarakëve të Forcave të Armatosura dhe të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke ulur masën ose kohëzgjatjen e përfitimeve të tyre.
Gjykata vlerëson se, edhe pse kërkuesit pretendojnë shfuqizimin në tërësi të ligjit objekt gjykimi, në vështrimin e saj dispozitat që paraqesin probleme kushtetuese janë neni 14/2, neni 27 dhe neni 29/2 i këtij ligji. Neni 14/2 rregullon masën e pensionit të parakohshëm dhe parashikon se pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi kufizohet për personat që nuk kanë paguar kontribute suplementare në dyfishin e pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin numër 7703 dhe për personat që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më i madh se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 % të pagës referuese të muajit të fundit të punës.
Gjykata vëren se neni 27 i ligjit objekt gjykimi përjashton nga përfitimi, duke lenë jashtë rregullimit të këtij ligji ushtarakët që janë nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje, ndërkohë që neni 29/2 parashikon se pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare, të caktuara në përputhje me ligjet e mëparshme, si edhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha e vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës, do të rillogariten sipas rregullave të përcaktuara në ligjin objekt gjykimi.
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi jepet në konsideratë të natyrës së punës të ushtarakëve ose punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët pas ndërprerjes së karrierës, me ose pa dëshirën e tyre, e kanë të vështirë të gjejnë një vend pune të një niveli të krahasueshëm me funksionet që ushtronin. Ligjvënësi, duke marrë parasysh këtë konsideratë, parashikoi krijimin e një sistemi përfitimesh suplementare që të garantohet ruajtja e një niveli të krahasueshëm jetese dhe ekonomik për ushtarakët e Forcave të Armatosura dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilëve u ndërpriteshin marrëdhëniet e punës. Në këtë këndvështrim gjykata vlerëson se pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe pensioni suplementar i pleqërisë është e drejta, që mbrohet nga parimi i sigurisë juridike.
Gjykata vëren se dispozita e pikës 1 të nenit 14 të ligjit numër 10142, objekt gjykimi rregullon masën e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, ndërkohë që dispozita e pikës 2 të po këtij neni rregullon përllogaritjen e masës së këtij pensioni në varësi të faktit nëse përfituesit e tij kanë paguar ose jo kontribute suplementare.
Gjykata thekson se siguria juridike nënkupton, veç të tjerash, edhe mbrojtjen e të drejtave të fituara të personave, të cilët kanë të drejtë të presin në mënyrë të arsyeshme që të drejtat e fituara, nëpërmjet akteve ligjore të vlefshme, t’u garantohen për të gjithë periudhën dhe të zbatohen realisht. Ligji duhet të ofrojë siguri dhe vijimësi me qëllim që individët të mund të kryejnë veprimet në mënyrën e duhur. Duke qenë se këto ligje e vendime perceptohen si burime pritshmërie të ligjshme për individët, ato nuk mund të ndryshohen e shfuqizohen në një fazë të mëvonshme. Ky parim u lejon individëve një lloj mbrojtjeje kundër ndryshimeve të menjëhershme e të pajustifikueshme të rregullave. Gjykata ka theksuar gjithashtu, edhe se parimi i sigurisë juridike nuk mund të prevalojë në çdo rast. Kjo do të thotë se, nëse paraqitet rasti që një rregullim ligjor ndryshe i një marrëdhënieje ndikohet drejtpërdrejt nga një interes i rëndësishëm publik, me të gjitha elementet e tij thelbësore, ky interes mund të ketë përparësi ndaj parimit të sigurisë juridike. Gjykata vëren se me rregullimin e ri të bërë nga pika 2 e nenit 14 vendoset një kufizim në masën e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, duke u vendosur një tavan maksimal. Gjykata vlerëson se vendosja e këtij kufizimi sjell si pasojë uljen e masës së pensionit të parakohshëm për një kategori përfituesish. Kjo ulje mund të jetë e përligjur në funksion të uljes së shpenzimeve buxhetore dhe vështirësive paguese të shtetit, por subjektet e interesuara parashtruan se shpenzimet e Buxhetit të Shtetit për këto përfitime nuk pësojnë ulje nga zbatimi i ligjit objekt gjykimi. Këto subjekte nuk paraqiten përpara gjykatës asnjë argument bindës që kjo ulje është bërë për arsye të një interesi publik. Nisur nga funksioni dhe rëndësia e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, zvogëlimi i masës së tij ose kufizimi nga neni 14/ 2 e ligjit objekt gjykimi të shumës maksimale që mund të përfitohet nuk janë veprime që mund të përligjen me interesin e rëndësishëm publik. Për këtë arsye Gjykata çmon se dispozitat e nenit 14/2 të ligjit objekt gjykimi janë në kundërshtim me parimin e sigurisë juridike dhe të shtetit të së drejtës. Për sa i përket rregullimit që sjell neni 27 i ligjit objekt gjykimi, pra përjashtimi nga përfitimet i ushtarakëve që janë nxjerrë në lirim për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor, të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje, gjykata vlerëson se kjo dispozitë është një sanksion me natyrë pasurore dhe që për shkak të karakterit të saj strikt, barazohet me dënimin penal. Në nenin 34 të Kushtetutës parashikohet se: “Askush nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën vepër penale... “. Kjo dispozitë kushtetuese sanksionon parimin “non bis in idem”: personi nuk mund të dënohet më shumë se një herë për të njëjtën shkelje të ligjit. Pikërisht ky përjashtim nga përfitimet suplementare të përfituesve, që janë dënuar nga gjykata për kryerjen e një krimi me dashje është i barabartë me një ridënim për të njëjtën vepër dhe për pasojë bie ndesh me dispozitën kushtetuese të lartpërmendur. Gjithashtu, Gjykata vëren se zbatimi i kësaj dispozite sjell pasoja negative edhe për ata ushtarakë, të cilët pas vuajtjes së dënimit me burgim janë rehabilituar.
Në lidhje me dispozitën e nenit 29 të ligjit objekt gjykimi, gjykata vlerëson se mund të zbatohet një interpretim pajtues i kësaj dispozite. Ky interpretim është i mundur kur një ligj ose dispozitë ligjore mund të interpretohet në më shumë se një mënyrë, njëri nga të cilët është në pajtim me Kushtetutën. Kjo metodë kërkon efektet kushtetuese të rezultateve të ndryshme dhe përzgjedh rezultatin që është në pajtim me vlerat kushtetuese, duke marrë parasysh këtu të drejtat themelore të individëve.
Neni 29 i ligjit objekt gjykimi parashikon rillogaritjen e të drejtave të njohura në zbatim të ligjeve të mëparshme, pra parashikon se pensionet e parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare të pleqërisë të caktuara në përputhje me këto ligje, si dhe ato të caktuara me vendime të gjykatave, pavarësisht nga mosha dhe vjetërsia në punë, në çastin e fillimit të së drejtës do të rillogariten, pra këto dispozita mund të prekin, duke ulur/pakësuar ose duke rritur të drejtat e fituara. Gjykata thekson se nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive, konkretisht trajtim më të mirë financiar për subjektet përfituese.
Gjykata ka theksuar në jurisprudencën e saj se, rregullimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve duhet të kenë qëndrueshmëri të mjaftueshme që siguron vijimësinë e tyre. Sanksionimi i të drejtave dhe lirive të njeriut të pranuara në Kushtetutë dhe shoqërimi i tyre me masat për vënien në jetë të tyre duhet të synojnë përmirësimin dhe rritjen e standardeve të të drejtave, forcimin e shtetit të së drejtës. Parimi i shtetit të së drejtës përmban në vetvete edhe detyrimin e autoriteteve publike për të vënë në ekzekutim vendimet gjyqësore të formës së prerë. Siguria juridike nënkupton që në rastet kur gjykatat kanë vendosur përfundimisht për një çështje, vendimet e tyre nuk duhet të vihet në dyshim. Asnjë organ shtetëror nuk mund të vërë në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe askujt nuk i lejohet të vërë në diskutim njohjen dhe vlerën e vendimeve apo të refuzojë zbatimin e tyre, pasi ato kanë marrë formë të prerë.
Në konsideratë të këtyre përcaktimeve, gjykata vlerëson se qëllimi i dispozitave të nenit 29 të ligjit objekt gjykimi, duke u nisur nga konteksti i saj, si dhe konteksti i përgjithshëm i këtij ligji, është që kjo rillogaritje e këtyre të drejtave të fituara në zbatim të ligjeve të mëparshme ose dhe të vendimeve të gjykatave, do të bëhet vetëm në rast se ndryshon pozitivisht, pra përmirëson situatën e përfituesve. Në asnjë rast nuk lejohet që të kryhet një rillogaritje që do të çonte në përkeqësimin e situatës pozitive ose në cenimin e të drejtave të fituara. Në rast të kundërt, pra nëse do të bëhej një interpretim dhe zbatim ndryshe i kësaj dispozite, atëherë do të ishim përpara cenimit të parimit të sigurisë juridike. Nga subjektet e interesuara nuk u dhanë argumente për të justifikuar cenimin e sigurisë juridike për një interes të rëndësishëm publik. Qëllimin e mbrojtjes së sigurisë juridike e ka pasur parasysh dhe ligjvënësi, duke parashikuar në nenin 24 paragrafi i parë të ligjit objekt gjykimi se përfitimet suplementare, pasi janë llogaritur, nuk janë më objekt i ndonjë ndryshimi me përjashtim të indeksimit të bërë me vendim të Këshillit të Ministrave.
Gjykata, bazuar në këtë interpretim pajtues, arrin në përfundimin se neni 29 i ligjit 10142 është i pajtueshëm me Kushtetutën, me kusht që dispozitat e tij të interpretohen si më sipër. Asnjë interpretim tjetër i këtyre dispozitave nuk është i lejueshëm nga pikëpamja kushtetuese dhe se mbrojtja e të drejtave të fituara nuk mund të arrihet në rast se dispozitave të kundërshtuara u jepet një kuptim tjetër. Duke u nisur nga interpretimi i mësipërm, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se kjo dispozitë nuk cenon parimin e sigurisë juridike.
Sa më sipër, gjykata vlerëson se neni 14/2 dhe neni 27 i ligjit numër 10142, janë të papajtueshme me Kushtetutën, sepse cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe si të tilla ato duhen shfuqizuar.
V E N D O S I:
- Shfuqizimin si antikushtetues të pikës 2 të nenit 14, si dhe të nenit 27 të ligjit numër 10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të shpëtimit e të punonjësve të shërbimit të kontrollit të brendshëm në Republikën e Shqipërisë”.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

U shfuqizuan

Neni 14/2
Masa e përfitimit të pensionit të parakoh-shëm për vjetërsi shërbimi
2. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1 të këtij neni, (Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese), në çastin që lind e drejta për përfitim:
a) Për personat që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
b) Për personat që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës.
Neni 27
Përjashtimi nga përfitimi
Nga ky ligj nuk përfitojnë ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›