E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët: Ja shkeljet ligjore dhe financiare që na u bënë gjatë 20 vjetëve



Misioni i papërfunduar i ushtarakeve

Gazeta “Albania” sjell letrën e plotë që drejtuesit e Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve iu ka dërguar institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare për të drejtat e mohuara gjatë 20 viteve të demokracisë. Mesazhi iu është përcjellë instancave më të larta të shtetit shqiptarë: Presidentit Topi, në cilësinë e Komandantit të Forcave të Armatosura, kryeministrit Berisha, kryetares së Kuvendit, Topalli, ministrit të Mbrojtjes, Imami, ministrit të Financave Ridvan Bodes, ministrit të Drejtësisë, Nishani, si dhe krerëve të partive që kanë përfaqësues në Kuvendin e Shqipërisë. Letra e hapur iu është adresuar edhe Drejtorisë së Përgjithshme të ISSH-së, Prokurorisë së Përgjithshme, dhe organizatave jo-qeveritare vendase që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si KSHH dhe GSHMDNJ. Aleanca e dërgon këtë mesazh gjithashtu tek përfaqësuesit e Komisionit Europian në Tiranë, OSBE-së, Këshillit të Europës, Zyrës së NATO-s dhe ambasadave të SHBA-së, Anglisë, Italisë, Greqisë, Gjermanisë, Francës, Austrisë, etj.. Në listën e gjatë të institucioneve janë edhe Parlamenti Europian dhe organizmat e huaja që merren me mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve dhe të njeriut, si EUROMIL-i, CIORIT, Amnisty International, Gjykata e Strasburgut, etj.. Gazeta do të publikojë sot dhe në vazhdim letrën prej 16 faqesh që iu është dërguar institucioneve që merren me trajtimin ligjor dhe social-ekonomik të ushtarakëve.

Ushtaraku ka qenë dhe është një simbol kombëtar, figura më patriotike dhe demokratike, emblema e Republikës, i cili betohet para Flamurit për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e atdheut. Ai me pozitën kushtetuese të tij është i mbrojtur me status të veçantë, sepse ka një profesion të veçantë dhe të vështirë, të rrezikshëm për jetën e njeriut, me detyrime dhe të drejta të veçanta dhe të pa krahasueshme me profesionet e tjera. Mbështetur në karakterin e veçante të veprimtarisë profesionale dhe të shërbimit të ushtarakut, për të kuptuar më mirë si janë respektuar e zbatuar të drejtat e ushtarakut në fushën morale, sociale dhe ekonomiko-financiare, duhet t`i referohemi të drejtave themelore të njeriut, të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare dhe nga Kushtetuta e legjislacioni shqiptar, në statusin e ushtarakut në fuqi.

Shkeljet ligjore

Shkeljet ligjore në të gjitha fushat, mbi të drejtat e ushtarakëve gjatë 20 vjetëve, si për pensionet dhe të drejta të tjera të fituara në trajtën më koncize paraqiten si vijon:
* Nuk është zbatuar ligji Nr. 7496 date 3. 7. l991 dhe Nr. 9210 datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, dispozita organike-bazë nga burojnë edhe shumë ligje e vendime të tjera. Nuk është zbatuar vendimi Nr. 9, datë 26.02.2007 i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë;

* Nuk është paguar pension për asnjë ushtarak pas përfundimit të trajtimit me pagë kalimtare (asistence) për një periudhë për 6 vjet, nga data 01.01.1993 deri në datën 01.01.1999. Përjashtimi, bëjnë vetëm ushtarakët që kanë përfituar asistencë brenda një kohe të kufizuar.

* Nuk është bërë llogaritja e pensionit të ushtarakut, sipas kritereve të ligjit mbi statusin e ushtarakut, sipas pagës referuese të përfituar, viteve të shërbimit dhe sipas kontributeve të detyruara të sigurimeve shoqërore të derdhura.
Llogaritja e pensionit është bërë apriori më e ulet nga çfarë i takon çdo ushtaraku, duke hedhur poshtë skemën e llogaritjes, duke vënë kufizime, “tavan juridiko-financiar”, jo më shumë se 1 pension maksimal ose 1- 2 pensione minimale në shkalle vendi. Kjo situatë ka vazhduar edhe pas shfuqizimit të këtij kufizimi nga neni 49 i statusit të ri, pra edhe nga data 14 maj 2004 e në vazhdim.

* Pensioni i ushtarakut nuk është llogaritur drejtë, sipas kritereve ligjore të përcaktuara në status: Janë shkelur kufijtë ligjor të moshës së ushtarakut, si përfitues në pension të parakohshëm.

* I është hequr ushtarakut pensioni i parakohshëm në rast punësimi, në kundërshtim me pikën 3 të nenit 35 të statusit të ushtarakut të 23 marsit të vitit 2004.

* Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi nuk është lidhur menjëherë me daljen në rezervë për ushtarakët që plotësojnë kushtet për këtë pension, por pas trajtimit dy vjeçar me pagë kalimtare dhe plotësimit të moshës.

* Ushtarakët e dalë në rezervë/lirim që nuk plotësojnë kushtet për pension të parakohshëm, në vend të trajtimit me shpërblim, në masën e aq pagave mujore sa vjetërsi shërbimi kanë në Forcat e Armatosura, sipas nenit 46 të statusit të 2004-ës janë trajtuar me pagë kalimtare.

* Nuk është paguar pensioni suplementar i pleqërisë nga 14 maj i vitit 2004 caktuar me nenin 36 të statusit të ushtarakut dhe neni 15, 16, 29 të ligjit Nr. 9418, datë 20.05.2005

* Nuk janë paguar nga buxheti i shtetit kontributet e sigurimeve shoqërore për ushtarakët nga 1.7.1992 deri 31.12.1998, kur kjo periudhe njihet si periudhë sigurimi për efekt të pensionit të plotë të pleqërisë.

* Nuk janë aplikuar të drejtat morale dhe njëkohësisht financiare për dhënien e gradave ushtarake për ushtarakët që janë pa grada. Nuk është bërë njëjtësimi apo ekuivalentimi, sipas funksionit që ka kryer secili në bazë të ligjit, për statusin e ushtarakut. Kjo pati dhe ka pasoja negative, jo vetëm në vlerat morale të ushtarakut, por edhe në efektet financiare në llogaritjen e pagës referuese dhe të pensionit.

* Nuk bëhet trajtimi shëndetësor brenda dhe jashtë vendit, sipas nenit nr. 40 të statusit të ushtarakut. Këtë të drejtë e kanë gëzuar një numër i vogël ushtarakësh.

* Nuk është privatizuar nga asnjë ushtarak, asnjë objekt ushtarak për strehimin e tyre, apo për aktivitete të tjera vetëpunësimi në zbatim të nenit 38 dhe 39 të statusit të ushtarakut.

* Nuk trajtohen ushtaraket me medikamente me rimbursim deri 80 për qind apo me çmime favorizuese në transport dhe nuk janë të pajisur me kartën e identitetit si pensionist ushtarak .

* Nuk ka argument juridik, ekonomiko-financiar dhe logjik për shkeljet e deritanishme, për pensionet e ushtarakëve nga organet ekzekutive, por përdoret argumenti absurd politik. Ky është vendim apo qëndrim politik. Qëndrime të tilla janë reflektuar deri para organeve gjyqësore, që vonojnë nxjerrjen e vendimeve nuk përgjithësojnë vendimet e tyre si një e drejtë e pamohueshme. Zëri i tyre në shtetin e së drejtës duhet të dëgjohet më fuqishëm, i sintetizuar në zbatim të parimeve kushtetuese të jurisprudencës, të sigurisë juridike, të barazisë, të së drejtës, që të mos sjellë në të ardhmen jo përkeqësimin ligjor me efekte negative në nivelin jetik të ushtarakeve.

* Nuk është zbatuar për rreth 9 muaj ligji i fundit për pensionet e ushtarakeve nr. Nr. 10142, datë 15.05.2009, kur data e hyrjes ne fuqi ishte me 27 qershor 2009, për pasojë nuk është përfituar asnjë qindarkë nga rillogaritja, sipas pikës 2 neni 29, kur Gjykata Kushtetuese nuk e pezulloi dhe nuk e ka shfuqizuar këtë ligj.

* Ushtarakët që kanë përfunduar trajtimin me pagë kalimtare nga data 27 qershor 2009 nuk janë trajtuar me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi.

* Po zvarritet për rreth 7 muaj dalja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi shqyrtimin e ankimimeve të shoqatave ushtarake, ku “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë” kundërshtoi 19 nene që përkeqësojnë nivelin jetik të ushtarakëve.

* Kohët e fundit Gjykata Kushtetuese nuk arrin të marrë vendim edhe pas debateve të tensionuara të dalë në mbrojtje të të drejtave ligjore të ushtarakëve, por ”ngrin” pensionet e ushtarakëve për një kohë të pacaktuar. Edhe këtë radhë nuk u përdor argumenti juridik, por si gjithmonë u gjete shkaku, se një nga problemet kryesore ishte ”fatura e larte financiare”, duke renduar përsëri gjendjen ekonomike të ushtarakëve.

Statusi dhe problemet e ushtarakëve

Ballafaqimi juridik i problemeve të ushtarakëve nxjerr më në pah dhe më mirë të drejtën e tyre të fituar. Pozitën juridike të ushtarakut e përcakton ligji themeltar, - Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 12 dhe Statusi i Ushtarakut, - ligji organik që përcakton detyrimet dhe të drejtat jo vetëm të ushtarakut aktiv, por edhe të ushtarakut në rezervë, në lirim dhe në pension. Statusi i parë i ushtarakut, i miratuar në 3 korrik të vitit 1991 ishte pararendës dhe rregullues i proceseve të reformës në Forcat e Armatosura. Ky status dhe i dyti, në vitin 2004, i cili është aktualisht në fuqi të miratuar me unanimitet të plotë nga parlamenti pluralist, jo vetëm rregulluan juridikisht masat e reformës, pozitën e ushtarakut dhe sigurimin jetik të tyre, por patën objektiv strategjik futjen e Shqipërisë në NATO, i cili u bë realitet në prill të vitit 2009.

Në nenin 1 të statusit përcaktohet qartë pozita juridike, ekonomiko-financiare dhe sociale, kërkesat e përgjithshme të pranimit, të drejtat e detyrimet dhe kufizimet e ushtarakëve të FA, për arsye të karakterit të veçantë të detyrës dhe të shërbimit ushtarak, si dhe garancitë ligjore për zbatimin e tij. Shërbimi ushtarak konsiderohet juridikisht (në nenin 3), si veprimtari e veçantë, shoqërisht e domosdoshme për t’i shërbyer atdheut dhe interesave të kombit. Sipas përcaktimeve, statusin e fitojnë edhe ushtarakët në rezervë, në lirim dhe në pension.

Në këtë status (në nenin 11 dhe 12), përcaktohet detyra themelore e ushtarakut për mbrojtjen me besnikëri të të drejtave dhe lirive të popullit, duke u betuar para Flamurit Kombëtar. Pra detyrën, ushtaraku e realizon nëpërmjet urdhrit të ligjshëm, të detyrueshëm për zbatim edhe në rast se paraqet rrezik për jetën e tij (neni 13-2).

Nga sa më sipër rezulton që profesioni i ushtarakut është i veçante edhe në lidhje me kohën e punës, ku përcaktohet që ushtaraku ka detyrë të respektojë orarin e punës dhe ta shfrytëzoj vetëm për kryerjen e saj. Koha e punës dhe shërbimit, orari mund të zgjatet për interesa të shërbimit dhe detyrës me urdhër të eprorit (neni 17/dh). Akoma më tej kur e kërkon misioni dhe situatë operacionale ushtaraku punon edhe ditët e pushimit javor dhe festat pa të drejtë përfitimi ose pagesë suplementare (neni 31, 32). Siç shihet nga detyrimet dhe kufizimet ligjore të këtij profesioni të veçantë, ushtaraku nuk mund të krahasohet me asnjë grup-profesion tjetër që punon 8 orë, dhe as me kategorizimin në grupin e II pjesërisht, por as në kategorinë e I-rë për efekt pagese e pensioni. Kjo kërkon një klasifikim të ri, të veçante, ashtu siç është vetë profesioni me kufizimet e vështirësitë respektive.

Misioni i Aleancës së Ushtarakëve

Pikërisht këtë mision fisnik, mbrojtjen e të drejtave të lindura, por të munguara, e ka marrë përsipër “Aleanca Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë” ( AKUSH). Kjo është një shoqatë jo qeveritare, jo partiake dhe jo fitimprurëse e miratuar me vendim të gjykatës, Tiranë nr. 2644 date 30.09.2009. Shoqata është një bashkim vullnetar i të gjithë ushtarakëve në pension, në lirim, në rezervë, veteran dhe pse jo edhe aktivë, oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe civile, pa dallim grade ushtarake, funksioni të ushtruar, apo arsimi dhe profesioni. AKUSH lindi si një produkt intelektual, logjik, ligjor e historik i domosdoshëm, si një rrjedhojë e përpjekjeve të shumta të intelektualëve ushtarakë dhe në kushtet e përpjekjeve shumë vjeçare të disa shoqatave ushtarake, por që nuk patën suksesin e duhur në mbrojtje të të drejtave të ushtarakëve. Aktiviteti dhe objekti i sajë është i mbështetur mirë jo vetëm mbi legjislacionin shqiptar, por edhe mbi përvojën dhe rregullat statutore të vendeve perëndimore europiane dhe të SHBA, anëtare të NATO-s, dhe të shoqatave homologe. Si një shoqatë mbarëkombëtare, gjithëpërfshirëse dhe pluraliste, ka karakter dhe rol gjithëpërfshirës në kuadrin e një bashkëpunimi profesionalisht të mirë me mbi 15 shoqata të tjera, juridikisht të pavarura dhe me shtrirje territoriale mjaft të gjerë. Deri tani të tilla janë shoqatat si: FLD, Aviacionit Ushtarak, Xhenjos, Historisë dhe Shkencës Ushtarake e të Papunëve Ushtarakë, Sindikata e ushtarakeve dhe shume shoqata te tjera. AKUSH nuk zëvendëson,nuk dublon, nuk zëvendëson dhe nuk suprimon shoqatat e tjera, përkundrazi fuqizon dhe bën unifikimin e bashkimin e përpjekjeve dhe te veprimtarisë së tyre për të realizuar një qëllim, mbrojtjen e interesave te përbashkëta të ushtarakëve.

Misioni i saj është bashkëpunimi, koordinimi dhe unifikimi i përpjekjeve dhe veprimtarive të të gjitha shoqatave ushtarake për mbrojtjen e të drejtave morale, sociale, ekonomiko-financiare e shëndetësore të gjithë kategorive te ushtarakëve pa dallim bindje politike, arsimi, grade ushtarake, funksioni apo detyre që kanë kryer. Aleanca e bazon veprimtarinë e saj në respektimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut të sanksionuara në marrëveshje dhe konventa ndërkombëtare, në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Statusin e Ushtarakut- ligjin baze e organike dhe ne legjislacionin shqiptar në fuqi. Ajo e shtriu veprimtarinë e vet me krijimin e degëve në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe jashtë saj. Ne kushtet e shoqërisë sonë demokratike, Aleanca në përpjekje për vendosjen e marrëdhënieve institucionale me organe të ndryshme është dhe mbetet një partnere dhe bashkëpunuese e re, e denjë dhe e kualifikuar me parlamentin, qeverinë dhe organet ekzekutive, si në hartimin e drafteve ligjore dhe në procesin e zbatimit të tyre. Njëkohësisht në kuadrin e shtetit tonë të së drejtës ajo nuk është palë kundërshtare, nuk bën opozitë, por është vetëm një oponente bashkëpunuese edhe në raste të shkeljeve ligjore të të drejtave të këtij grupi social.

Ndryshimet në Forcat e Armatosura

Ndryshimet demokratike në Shqipëri, mbi bazën e Dispozitave Kryesore Kushtetuese, përcaktuan edhe vendin dhe pozitën kushtetuese të Forcave të Armatosura në shoqërinë dhe shtetin e ri demokratik. Ushtarakët e Forcat të Armatosura mbështeten plotësisht reformat demokratike në vendin tonë për ta bërë atë, si gjithë Europa”. Kuvendi i parë pluralist me unanimitet të plotë miratoi ligjin Nr. 7492, datë 8.6.1991 për depolitizimin dhe departizimin e Forcave të Armatosura, duke i hapur rrugë reformave në ushtri. U miratua ligji Nr. 7496 date 3. 7. l991, ”Për statusin e ushtarakut të FA të RSH”, në mbrojtje të ushtarakeve dhe familjeve te tyre. Këto të drejta, nga 3 korrik 1991 dhe deri më 1 janar 1999, për një periudhe 7.5 vjet nuk gjeten zbatim. Pas shkurtimeve në strukturat e Forcave te Armatosura, ushtarakët kaluan në një papunësi të plotë të detyruar në pamundësi për ushtrimin e profesionit për vetë karakterin e veçante të tij. Ushtaraku u ndodh para një situate të vështirë ekonomike dhe nuk iu dha mundësia për kualifikime në ndonjë profesion tjetër, siç u veprua në disa vende të Evropës Lindore.

E drejta e lindur nga ligji-organik “Për Statusin e Ushtarakut”, e cila nuk parashkruhet, nuk humbet, por është cenuar nga ligjet e sigurimeve shoqërore me kufizimet në pagesën e pensioneve, me tavanet juridiko-financiare. Për shembull, jo më shumë se 1 apo 2 pensione baze. Llogaritja e pensionit është bërë deri tani jo sipas ligjit mbi statusin e ushtarakut. Pensioni është llogaritur më i ulet nga çfarë i takon çdo ushtaraku, i kufizuar,i llogaritur jo sipas kritereve ligjore, sipas pagë referuese të përfituar viteve të shërbimit dhe kontributeve të detyruara të sigurimeve shoqërore të derdhura gjatë gjithë kohës së shërbimit ushtarak.

Kjo ka sjellë nivelim pensionesh në mënyrë krejt të padrejtë, praktikë e gabuar që nuk ndodhte as në sistemin shoqëror të kaluar. Në vitin 1999 një pensionist në pension pleqërie filloi të marrë 3.800-4.000 leke (rreth 31 €) dhe një pensionist ushtarak në pension të parakohshëm mori një pagesë 8.000 leke( rreth 60€). Mbi këtë bazë nivelimi është mjaftë e qartë se nuk u mbajt asgjë parasysh, asnjë kriter ligjor dhe asnjë skemë për llogaritjen e pensioneve të ushtarakëve. Apriori u bë nivelim absurd i pa drejtë juridikisht dhe pa asnjë logjikë ekonomike për pensionet. Nuk u mbajt parasysh aspak diferencimi i kontributeve të derdhura të sigurimeve shoqërore, sipas pagës së përfituar dhe vjetërsisë së shërbimit respektive të diferencuar për çdo ushtarak.
Mbi bazën e indeksimit të pagave, të çmimeve, të inflacionit është bërë ndërtimi i pagës referuese për llogaritjen e pensionit të ushtarakëve dhe konvertimi me koeficientet përkatës të rritjes vjetore të tyre. Aktualisht rezulton që ushtaraku në pension të paguhet nga sigurimet shoqërore me 100 deri 150 euro në muaj. Kjo do të thotë që pensioni i ushtarakut është i pakrahasuar me minimumin jetik të llogaritur sipas një studimi të përafërt mbi artikujt e kufizuar të shportës. Asnjë qeveri nuk po llogarit treguesin e minimumit jetik të qytetarëve të këtij vendi dhe nuk e deklaron këtë zyrtarisht, mbasi mbi këtë bazë ngrihet tërë skema sociale dhe ushtrimi i funksioneve sociale të shtetit tonë të së drejtës. Pa pretenduar të bëhet krahasim me vendet e Europës perëndimore. Pensioni i sotëm i ushtarakut mund të mbulojë nevojat jetike në masën rreth 40-50 për qind të tyre. Këta tregues, duke i shtuar edhe rritjen e çmimeve për artikujt konsumit të importit në rreth 18-20 % apo rritjen e çmimit të medikamenteve, të energjisë elektrike dhe të ujit, flasin për zhytjen akoma më shumë në varfëri të tejskajshme të ushtarakëve. Në vendet demokratike shpesh dëgjohet shprehja çdo popull meriton qeverinë e tij, por duhet shtuar se asnjë popull dhe asnjëherë nuk voton për varfërinë e tij.

Roli i qeverive dhe ushtarakët

Historikisht, gjatë 2 dekadave qeveritë e majta apo të djathta në trajtimin me pension të ushtarakëve kanë iniciuar ndryshime të shpeshta ligjore të pa motivuara. Mesatarisht në çdo 2 vjet është miratuar një ligj që bie ndesh me të drejtat që ju jepen ushtarakëve statusi dhe akoma më keq është politizuar zbatimi i tyre, edhe pse ushtaraket quhen të depolitizuar. Shpesh ligji ka mbetur i pa shoqëruar me akte të tjera ligjore dhe nënligjore për zbatim. Kjo praktike që nisi me 1991 me statusin e 3 korrikut të këtij viti u përsërit edhe me ligjin e sigurimit shoqëror suplementar të 20 majit 2005, me ligjin e 16 shkurtit 2006 që bëri ndryshime në të, por edhe me atë të 15 majit 2009. Një neglizhencë flagrante, kjo dhe një papërgjegjshmëri totale nga organet ekzekutive, duke shkelur në këtë mënyrë vazhdimisht parimin kushtetues të së drejtës së fituar dhe të sigurisë juridike. Temës së të drejtës së fituar nga ushtarakët i qëndrojnë larg edhe organet gjyqësore dhe përdorin argumente false, si sa është fatura financiare, pa menduar fare për një fature juridike që sjell dëmin më të madh për shtetin e së drejtës. Përjashtim bën Gjykata Kushtetuese që e pohoi këtë në vendimin e saj të vitit 2007, por për fat keq edhe ky vendim nuk gjeti zbatim.

Për ushtarakët janë shkelur nenet 1, 14,17,18 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive themelore, nenet nr. 4, 132, 145 të Kushtetutës se Republikës së Shqipërisë, dispozitat e ligjit baze-organik në Nr. 7496 date 3. 7. l991 dhe Nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, si dhe vendimi Nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

Nga 3 korriku 1991, kur ka lindur e drejta për pension e ushtarakëve dhe nga 2 dhjetori 1996, kur Shqipëria ka ratifikuar Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nuk është respektuar neni 17 i saj. Këtu theksohet: Asnjë nga dispozitat e kësaj Konvente nuk mund të interpretohet se i jep një Shteti, grupimi ose individi, të drejtë që të përfshihet në ndonjë veprimtari ose të kryejë ndonjë akt që synon cenimin e të drejtave dhe lirive të përcaktuara në këtë Konventë ose kufizime më të gjera të këtyre të drejtave ose lirive se sa është parashikuar. Me 1 janar 1999, filloi pagesa e pare e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, mbi bazën e ndryshimeve që ju bënë ligjit Nr. 8087, datë 13.03. 1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA”, me ligjin Nr. 8521, datë 30.07.1999 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 8087, datë 13.03. 1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA”. Zbatimi i ligjit për pensionet, u bë jo në përputhje me kriteret e llogaritjes sipas ligjit mbi statusin e ushtarakut, por me kufizime dhe cungimet që aktualisht njihen nga të gjithë. Nuk u dha masa e pensionit në përputhje me nenin 6 të këtij ligji, që ndryshonte nenin 11 të ligjit Nr. 8087, datë 13.03. 1996. Më 23 mars të vitit 2004 miratohet ligji Nr. 9210 “Për statusin e ushtarakut të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me votat pothuaj 100% të deputetëve të pozitës dhe të opozitës s kohës. Një vit e dy muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në realizim të detyrimit ligjor, të nenit 48 të tij, për ndryshime në ligjin “Nr. 8087, datë 13.03.1996 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH” dhe në zbatim të nenit 35 dhe 36, me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi miratoi ligjin Nr. 9418, datë 20.05.2005 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të FA të RSH”.

Vijon në numrin pasardhës

20 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›