E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhamia në Nju Jork, Obama humbet pikë dhe vë në rrezik zgjedhjet



Mbështjetja e ndërtimit të një xhamie dhe të një qendre tregtare afër kuotës zero, ku u realizuan sulmet terroriste të 2001-s në Nju Jork mund t’i kushtojë presidentit Barak Obama shumë, duke rrezikuar kështu zgjedhjet e nëntorit. “Epiqendra e sulmeve terroriste në të vërtetë është vend i shenjtë. Por më lejoni të jemi i qartë me ju. Si qytetar dhe si president i vendit, unë besoj se myslimanët kanë të drejtë të ushtrojnë besimin e tyre si çdokush tjetër në këtë vend përfshirë të drejtën për ndërtimin e një vendi për adhurim në një qendër komuniteti në një pronë private në Manhatanin e poshtëm”. Kjo ishte deklarata e presidentit Obama, ndërsa një ditë më pas ai tha se megjithëse mbështet të drejtën e myslimanëve për ndërtimin e një qendre komuniteti dhe një xhamie afër epiqendrës së sulmeve terroriste, ai nuk donte të komentonte se sa me vend e konsideronte këtë zgjedhje. Komentet e presidentit revoltuan shumë kundërshtarë të ndërtimit të xhamisë në afërsi të vendit ku kanë ndodhur sulmet terroriste të vitit 2001. Në mesin e tyre është edhe ish-guvernatorja e Alaskës Sarah Palin, e cila po inkurajohet nga disa konservatorë që të konkurrojë në garën presidenciale të vitit 2012. “Kjo çështje shkakton dhimbje. Kjo është një goditje ndaj viktimave të pafajshme të cilët u vranë me 11 shtator të vitit 2001. Si mund ta përshkruash ndryshe? Ai nuk e kupton se ky plan nuk përfill ndjenjat e njerëzve.” Ndërtimi i xhamisë ishte çështje e debatueshme kryesisht në Nju Jork para ndërhyrjes së presidentit, dhe disa republikanë tani shpresojnë ta bëjnë këtë pjesë të debatit kombëtar para fillimit të zgjedhjeve të nëntorit për Kongres. Sipas një ankete të opinionit publik e kryer nga “CNN”, 68 për qind e të anketuarve kundërshtojnë ndërtimin e qendrës islamike kaq pranë epiqendrës së sulmeve terroriste të vitit 2001. Por presidenti Obama mori pikë për qëndrimin e tij parimor në mbështetje të atyre që duan të ndërtojnë xhaminë.
Nihad Auad është drejtor ekzekutiv i Këshillit mbi Marrëdhëniet Amerikano-Islamike. “Këto janë parimet e të drejtave kushtetuese të Amerikës që nuk duhet të anashkalohen, negociohen, apo të jenë subjekt i ndjenjave emocionale të atyre që janë kundër ndërtimit të xhamisë e që ka orkestruar këtë reagim histerik nga disa politikanë. Deklarata e presidentit ishte e nevojshme dhe në kohën e duhur.” Por kjo deklaratë do të kuptohet më ndryshe në arenën ndërkombëtare se sa në vend, thotë Xhon Farina, një ekspert i fesë në universitetin “George Mason” në Virxhinia.
“Duke e parë tekstin, unë mendoj se deklarata kishte një mesazh i cili thekson faktin se Amerika beson në idealet e veta edhe kur nuk u shkon për shtat disa vetave. Ky është një mesazh i mirë. Por kjo nuk është mënyra si e komentojnë disa amerikanë”.
Analistët e politikës thonë se duke marrë parasysh kundërshtimin e opinionit publik ndaj ndërtimit të xhamisë afër epiqendrës së sulmeve terroriste, presidenti dhe demokratët do të paguajnë një çmim politik për këtë çështje në zgjedhjet e nëntorit. Lerri Sabato, drejtues i Qendrës për Politikat në universitetin e Virxhinias shprehet ndërkaq se mbështetja ndaj ndërtimit të xhamisë ishte politikisht e gabuar dhe e panevojshme , pasi bëhej fjalë thjesht për një çështje lokale. Kjo sipas tij i ka shtuar një barrë të panevojshme kandidatëve demokratë, të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit e në të cilat natyrisht Obama nuk do të marrë pjesë.

Irak, ambasadori i ri i SHBA-ve, Xhefri paraqet letrat kredenciale

Ambasadori i ri i SHBA-ve në Irak, Xhejms Xhefri ua paraqiti kredencialet e tij diplomatike zyrtarëve irakianë, disa orë pas mbërritjes së tij në këtë vend. Xhefri u takua me presidentin e Irakut, Xhalal Talabani dhe ministrin e jashtëm, Hoshjar Zebari në një ceremoni në Bagdad. “Shpreh kënaqësinë për takimin me presidentin Talabani dhe që po paraqis kredencialet e mia diplomatike”, tha Xhefri, emërimi i të cilëve u konfirmua nga Senati i SHBA-ve më 5 gusht. “Është një nder i madh për mua që të kthehem në Irak. Mezi po pres të takoj miqtë e vjetër të forcoj lidhjet me liderët e Irakut, si dhe të përpiqem për thellimin e angazhimit tonë për këtë vend”. Xhefri kishte qenë i ngarkuari me punë në Irak nga marsi në qershor 2005 dhe zëvendës-shefi i misionit në Bagdad nga qershori 2004 deri në mars 2005. Përpara emërimit të tij, ai ishte ambasador në Turqi. Ai ka shërbyer gjithashtu si i dërguari i lartë në Shqipëri. Xhefri zëvendëson Kristofer Hill, i cili do të bëhet dekan i Shkollës “Josef Korbel” i Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Denverit, i cili u themelua në 1964 nga babai i ish-sekretares së shtetit Medlin Ollbrajt.

Franca fillon dëbimin e 700 romëve, nisen për në Rumani dhe Bullgari

Franca filloi dje dëbimin e rreth 700 romëve për në Rumani dhe Bullgari, ndërsa me këtë rast janë shtuar kritikat për masat e Presidentit Nikolas Sarkozi ndaj emigrantëve. Një avion me rreth 60 romë u nis dje nga një aeroport i Lionit, drejt Rumanisë, për në qytetet e Timishoarës dhe Bukureshtit. Ditën e sotme pritet të nisen edhe avionë të tjerë dhe autoritetet franceze thonë se largimi i romëve do të përfundojë deri në fund të muajit. Secilit prej romëve në moshë madhore ju dhanë nga 385 dollarë dhe të miturve nga 130 dollarë për të mbuluar shpenzimet e sistemimit të tyre në vendet e tjera. Sarkozi tha se dëbimi i romëve është një masë që po merr qeveria në kuadrin e luftës kundër krimit ndërsa zyrtarë të tjerë thonë se vetë romët kishin kërkuar të largoheshin nga Franca.

Pakistan, thellohet kriza humanitare, OKB kërkon marrje masash

Kriza humanitare në Pakistan e shkaktuar nga përmbytjet e mëdha sa vjen dhe thellohet. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka thënë se në provincën e Pujabit dhe Sindhit 4 milion persona kanë mbetur të pastrehë. Gjithsej 8 bilionë njerëz kanë nevojë për ndihmë ugjente ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të adresojë Asamblenë e Përgjithshme pas vizitës në Pakistan. Ai pritet t'i kërkojë anëtarëve të Asamblesë të kontribuojnë më shumë për fondin e ngritur për t'i ardhur në ndihmë Pakistanit.
Gjatë vizitës së tij në Pakistan zoti Mun tha se nuk kishte parë kurrë katastrofë të tillë. Një e pesta e vendit është shkatërruar nga përmbytjet. Qytete dhe fshatra të tërë janë zhdukur dhe miliona kanë humbur gjithçka.

Irak, largohen trupat e fundit amerikane

Brigada e fundit sulmuese amerikane ka lënë Irakun, duke i dhënë virtualisht fund 7 vjet e gjysmë luftë. Sipas NBC-së, Stryker-i i katërt ka kaluar kufirin me Kuvajtin. Burime të administratës Obama saktësojnë se misioni do të ndryshojë natyrë vetëm nga “31 gushti kur brigadat e mbetura do të konvertohen në forca ndihmuese” për trupat irakiane. Aktualisht ushtarakët amerikanë që gjenden në Irak janë 56 mijë dhe në fund të muajit do të shkojnë në 50 mijë. Ato do të përqendrohen në trajnimin e ushtarëve irakianë dhe do të marrin pjesë në operacione anti-terrorizëm. Automjetet e brigatës së katërt të Divizionit të dytë të këmbësorisë kaluan dje në orët e para të mëngjesit për në Kuvajt. Ushtarët amerikanë thanë se ndiheshin të lehtësuar që largoheshin nga Iraku.

20 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›