Kledi Kadiu: “Jam artist, jo sex-symbol”
Kledi Kadiut nuk i shkojnë shumë për shtat etiketa si “sex-symbol” apo “ikonë e televizionit për çupëlina”. “Jam balerin, shprehet ai – dhe dua të më gjykojnë për vlerat profesionale”. Balerinëve të sotëm, u kritikon dëshirën e paktë për të mësuar, për t’u ushtruar, për të sakrifikuar. Në turne me “Non solo Bolero”, balerini i famshëm po shëtit skenat e mbarë Italisë, duke merituar kudo duartrokitjet e publikut. Në një intervistë dhënë edicionit fiorentin të të përditshmes “La Repubblica”, shprehet që nuk i pëlqejnë shumë etiketa si “sex-simbol” apo “ikonë e televizionit për çupërlina”. “Sepse ndihem balerin thotë Kledi, dhe kështu dëshiroj të më quajnë, edhe pse tashmë jam mësuar me pasojat e televizionit. Dua që të më gjykojnë për vlerat e mia profesionale, për atë çka përcjell si artist”. Për karrierën e tij tregon se vërtet famën ia dhanë emisionet televizive, por po merret edhe me teatër, aq sa deri në janar nuk do të ketë mundësi të merret me televizion. Po zgjedhjen e televizionit në fillim e shpjegon: “Zgjodha ekranin për shumë arsye: ambicia, dëshira për t’u vënë në dukje, dhe ndoshta isha edhe i ndikuar nga çfarë shihja në Shqipëri nga tv italian. Por fati im nisi me një episod të pafat. Pak pasi kisha mbërritur në Itali, në vitin 1994, u rendita në vend të mirë në një konkurs për të hyrë në teatrin e Veronës. Nuk më morën sepse, sipas rregullores së asokohe, i duhej dhënë përparësi shtetasve komunitarë”. Kledi nuk i kursen kritikat ndaj balerinëve të rinj që nuk duan të sakrifikojnë, nuk duan të mësojnë e të marrin njohuri rreth artit që dëshirojnë të ndjekin. “Të rinjtë e sotëm janë gjithnjë e më sipërfaqësorë. Unë vij nga baleti klasik dhe jam munduar shumë për të mësuar e për t’u përmirësuar. Ndërsa sot të rinjtë vijnë në stage e nuk ta vënë veshin. Kujtojnë se mjafton të marrësh një orë mësim nga Kledi apo Anbeta për të qenë balerinë. Duket sikur u mjafton ta shkruajnë në kurrikulum”. Dhe mes të tjerash shpjegon: “Baleti është art që kërkon sakrifica. Nuk mund të praktikohet vetëm me trup, ka nevojë edhe që të ushtrosh mendjen dhe të mendosh për bagazhin kulturor. Të rinjtë dinë pak, e duken edhe më pak të interesuar të mësojnë. Gjatë stazheve apo leksioneve në shkollën time në Romë më pëlqen t’i vë në provë. U bëj pyetje nxënësve për operën lirike, për baletin klasik, por 80% e tyre nuk di as kush janë Nureyev ose Baryshnikov, nuk kanë parë një teatër apo operë”.
Rock koncert për paqe dhe miqësi në Shkup
Në Strugë po zhvillohet aktiviteti dy ditor përgatitor i 6 muzikantëve të rinj, të cilët do të marrin pjesë në “Rock koncertin për paqe dhe miqësi” që do të mbahet sivjet në Shkup. Në këtë koncert, veç rinisë muzikore nga Maqedonia, që këtë aktivitet e zhvillon në organizim të Organizatës “Civil”, do të marrin pjesë edhe muzikantët e rinj nga të dy pjesët e Mitrovicës së ndarë nga dy etnitetet që jetojnë në këtë qytet buzë Ibrit. Lidhur me këtë aktivitet, koordinatori i “Civil”, Xhabir Deralla, mes tjerash theksoi: “Ky aktivitet që filloi vitin e kaluar në Strugë dhe u kurorëzua me një koncert tepër të suksesshëm, sivjet në bashkëpunim me Rock Akademinë nga Holanda, kemi përfshirë edhe Mitrovicën-respektivisht pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës. Në këtë koncert të përbashkët, që do të mbahet në Shkup, pos muzikantëve të rinj nga Maqedonia dhe Kosova, (shqiptar, maqedonas, turq etj), janë edhe muzikantët e rinj nga pjesa veriore e Mitrovicës, pra pjesëtar të etnitetit serb nga Mitrovica. Vlen të theksohet se në këtë koncert do të jenë të pranishëm edhe vetë prindërit e këtyre muzikantëve të rinj, që do të përpiqen të tejkalojnë aktualitetin e sotëm të Mitrovicës, për një të ardhme të përbashkët”. Koordinatori nga Rock Akademia e Holandës, Rud Borgers, që drejton këtë aktivitet në Mitrovicë, mes tjerash theksoi: “ Nuk ka shumë dallime ndërmjet sërbëve dhe shqiptarëve në fushën që unë veproj në Mitrovicë. Mbase pikërisht muzika është ura më e mirë e komunikimit dhe bashkëpunimit të tyre. Shkupi do të jetë vendtakimi i tyre i përbashkët, duke pas parasysh se në Mitrovicë për momentin është e pamundshme të realizohet një koncert i tillë në urën që bashkon Mitrovicën dhe ndanë serbët dhe shqiptarët. Ne nuk mund ta ndryshojmë Mitrovicën, por së paku mundemi të përpiqemi që të vendosim një komunikim normal”, përfundoi Borgers.
20 Gusht 2010