E Diel, 1 Nëntor 2026

Erjon Bogdani: Kam lidhje të veçantë me Serinë A



ROMË - Erjon Bogdani është prezantuar zyrtarisht te Cesena. Sulmuesi shqiptar është shprehur i kënaqur që ka zgjedhur këtë ekip, përkundër ofertës që kishte nga klubi anglez Queen's Park Rangers (QPR). 33-vjeçari preferoi të vazhdonte të luajë në Serie A, pasi është lidhur ngushtë me këtë ligë. Gjithashtu, afërsia e tij me trajnerin Fiçadenti, me të cilin kishte punuar më parë, e bindi që t’i bashkohet të rikthyerit në elitën e futbollit italian Cesena. Përfaqësuesi shqiptar e ka dhënë një intervistë për ueb faqen zyrtare të klubit, ku ka shpalosur objektivat e tij të radhës, pas eksperiencës trevjeçare me Chievon (një vit ishte huazuar te Livorno). “Jam i lumtur që jam këtu në Cesena, ndihem mirë pranë bashkëlojtarëve. Qytetin nuk e njoh mirë, pasi kam ardhur para dy ditësh, sepse kisha angazhime me Kombëtaren”, tha fillimisht ai.
Deklarata
‘Bogu’ konfirmoi se klubi anglez QPR kishte bërë gati një kontratë dyvjeçare, por që vendosi të mos largohej nga Italia. “Nuk dëshiroja ta braktisja Serie A, të cilin e konsideroj si njërin prej kampionateve më garues dhe sfidues. Unë dëshiroj ta demonstroj Bogdanin e vërtetë këtu. Edhe trajneri Fiçadenti më ka ndihmuar që të vendos. Me të kam shijuar momente të paharruara në të kaluarën”, tha ish futbollisti i Sienas dhe i Veronës. Në sezonet e fundit, ‘nuhatja’ e tij për golin paksa ka rënë. Në tri sezonet e fundit, ai nuk e ka kaluar kuotën e dy golave. Ai këtë ‘varfëri’ në aspektin e golave e arsyeton me ndryshim në lojën e tij, pasi që tash punon më shumë për skuadrën, duke i ndihmuar bashkëlojtarët të arrijnë deri te goli. Sipas Bogdanit, nga ky evoluim i lojës së tij në sezonet e fundit kanë përfituar shumë shokët e tij të repartit Tavano në Livorno e Pellissier në Chievo. Ai do të preferonte ta vazhdojë këtë stil të lojës edhe në Cesena, por thotë se do të veprojë varësisht se çka kërkon trajneri. Bogdani nuk ka dashur t’ia vë vetes ndonjë objektiv, sa i përket numrit të golave që mund t’i shënojë këtë sezon. “Në Serie A vetëm Milito e Gilardino mund të vendosin objektiva, me mundësi të mira për t’i arritur. Të gjithë të tjerët duhet të jenë në shërbim të skuadrës dhe nëse ju vjen mundësia, ta fusin topin në rrjetë”, nënvizoi Bogdani i cili ka realizuar pesë gola në 7 ndeshjet e fundit të Shqipërisë.
Seria A
Pas dhjetë sezonesh në elitën e futbollit italian, Bogdani konsiderohet si ekspert i kësaj lige. Ai premton se së bashku me Antoniolin, Coluçin e Appiah do të mundohen të jenë gjithmonë të koncentruar dhe të jenë në shërbim të lojtarëve të rinj. Ngase, vijon ai, skuadrat e mëdha nuk falin. Bogdani kërkon që të harrohet suksesi që arriti Cesena në Serie B dhe të fillojë të mendojë për Serie A, të cilën e konsideron të ndryshme dhe shumë më të vështirë. “Në Serie A është vendimtar aspekti mental. Në krahasim me Serie B ka një diferencë enorme, sepse në A e paguan shtrenjtë menjëherë gabimin e parë që e bën. Duhet të punojmë të gjithë së bashku për objektivin e skuadrës, që është mbijetesa”, tha ai. Futbollisti shqiptar shton se në ndeshjen e parë kundër Romës ekipi i tij i ri nuk duhet të ketë frikë. E di se Cesena do ta ketë vështirë, por kërkon që lojtarët të demonstrojnë personalitetin e tyre që në atë takim. Bogdani e konsideron veten si një njeri pozitiv, dhunti kjo e cila mendon se do ta ndihmojë në fushë për të qenë lider i ekipit, nëse ia kërkon trajneri Fiçadenti. Ai nuk e fshehu ëndrrën e tij që ka me Cesenan. “Ëndërr e imja është që të shënoj gol në San Siro, ndoshta kundër Interit. Do të ishte edhe më i rëndësishëm nëse do të na sillte pikë. Megjithatë, golat e mi do t’i ndërroja menjëherë me fitoren e Cesenas, pasi mbi të gjitha vjen skuadra”, përfundoi Bogdani.

Gati dokumentari për legjendën e boksit kosovar
PRISHTINË - Legjenda e boksit kosovar, Azil Salihu, të mërkurën e ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka njoftuar më hollësisht për përgatitjet që po bëhen për promovimin e dokumentarit “Historia shkruhet me të arritura”, i cili i kushtohet jetës së tij prej sportisti që nga fëmijëria. Ky dokumentar do të promovohet më 8 shtator në Prishtinë dhe pritet të marrin pjesë një numër i madh i personaliteteve të ndryshme nga të gjitha sferat e jetës. Salihu dukej shumë i lumtur që më në fund ka arritur ta realizojë një dokumentar kaq të rëndësishëm. “Jam shumë i lumtur që po realizohet ky dokumentar, në të cilin do të përfshihen të gjitha meçet dhe të arriturat e mia, edhe pse duhet të pranoj që mungojnë disa dokumente për shkak të dëmtimit të arkivës në televizion nga okupatori”, tha Salihu. Ai ka njoftuar se, ndër figurat e njohura, në këtë promovim e ka ftuar edhe ish kampionin e boksit, Lennox Lewis. “Jam duke i bërë përpjekjet e fundit që në këtë manifestim t’i ftoj njerëzit më eminentë të boksit. Jam duke kontaktuar edhe me boksierin e famshëm, Lennox Lewis, të cilin dëshiroj ta sjell në Prishtinë. Por, jo vetëm ky, pasi edhe shumë boksierë të njohur botërorë do të ftohen për këtë manifestim të madh”, pohoi Salihu i cili kërkoi mbështetje për realizimin e planeve të tij. Salihu ka nënvizuar se ky dokumentar do t’u shërbejë gjeneratave të reja, të cilat nuk kanë njohuri të mjaftueshme për karrierën e tij. Ai një falënderim të veçantë e ka adresuar te ministri për Kulturë, Rini e Sport, Lutfi Haziri, te biznesmeni Behxhet Pacolli dhe produksioni “Antika”, që do ta bëjë shpërndarjen falas të inçizimeve të këtij dokumentari me rastin e promovimit të tij. Promovimi i këtij dokumentari do të bëhet më 8 shtator në ambientet e Hotelit Grand në orë 20:00 dhe, sipas Salihut, të ftuar do të jenë mbi 500 persona.

Real Madrid, vjen ora për të shitur yjet
Real Madrid e ka mbyllur merkaton e blerjeve pasi presidenti Perez e ka kënaqur oreksin e trajnerit Mourinho, por tashmë nis një kapitull tjetër, ai i shitjeve. Për të rekuperuar një pjesë të shumës së shpenzuar për modifikimin e skuadrës, Perez duhet të nxjerrë në shitje lojtarë të klasit të lartë si Van der Vaart, Drenthe dhe dy Diarra-të, të cilët konsiderohen si të panevojshëm nga “Special One”. Holandezi Van der Vaart nuk ka më vend në formacion pasi mesfusha është e mbipopulluar nga dyshja Oezil-Kaka. Një destinacion i mundshëm për të është Hamburgu nga ku u largua pak vite më parë. Nga ana tjetër qëndron Chelsea që kërkon të zëvendësojë Joe Cole e Deco. Mesfushori Drenthe është ai që ka marrë më pak oferta pasi vetëm Milan e Fiorentina janë interesuar pak kohë më parë. Lassana pëlqehet shumë në Angli, ndërsa Mahamadou mund të bashkohet me Juventusin ose Milanin.

Prince Boateng huazohet tek Milani
MILANO - Kevin-Prince Boateng është zyrtarisht futbollist i Genoas. Lajmin e ka bërë të ditur klubi i tij i deritashëm, Portsmouth, përmes uebfaqes së vetë zyrtare, i cili i uron fat atij në vazhdim të karrierës. Në bazë të marrëveshjes, 23 vjeçari është huazuar menjëherë për një sezon te Milan. “AC Milan njofton se e ka angazhuar, si huazim, me mundësi të blerjes definitive pas një viti, futbollistin Kevin Prince Boateng”, shkruan në komunikatën për shtyp të lëshuar nga Rossonerët. 23 vjeçari i ka kaluar testet fizike dhe i është bashkuar menjëherë ekipit të Allegrit.

Ibrahimoviç, një mundësi për Milanin
MILANO - Drejtori i përgjithshëm i Milanit, Ariedo Braida, ka bërë të ditur se ekziston mundësia që klubi të transferojë sulmuesin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimovic, para përmbylljes së afatit kalimtar të verës. “E njoh mirë Ibrahimovicin, ai është futbollist shumë i mirë. Por, për ta blerë një futbollist ne duhet ta shesim dikë prej atyre që aktualisht kemi në ekip. Gjithçka është e mundshme, kjo mund të ndodhë, edhe pse nuk varet vetëm nga ne, por edhe nga Barcelona. Nuk është lehtë të transferohet Ibrahimovici, por është e mundshme”, tha Braida.

Ribery: Tek Bajerni Mynihut përjetë
MYNIH - Franck Ribery i mbyll derën cdo lloj oferte duke deklaruar besnikëri të përjetshme ndaj Bajerni Mynihut. Sulmuesi francez që para pak muajsh ishte në dyshim për shkak të interesimit nga Barcelona dhe Real Madrid, shpreh bindjen për të luajtur edhe shumë vjet në “Allianz Arena”. “Vitin e shkuar kalova shumë vështirësi. Shpresoj që këtë sezon të jem në gjendje të mirë pasi po stërvitem shumë. Bayern Munchen është një klub i madh shpresoj të luaj këtu deri ditën që do largohem nga futbolli”, thekson asi francez.

20 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›