E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, lehtësohen procedurat për dokumentet

06/05/2011  Ahmetaj: Ministrisë së Mbrojtjes i vijnë në ndihmë edhe 10 struktura të tjera për plotësimin e të dhënave

Përshpejtimi i procesit, vetëm gjatë kësaj jave 300 kërkesa në proces për lidhjen e pensionit

Procesi i llogaritjes së përfitimeve për ish-ushtarakët do të ecë me ritme më të shpejta, pasi më shumë struktura do të vihen në dispozicion për plotësimin e të dhënave të kërkuara, mbi bazën e të cilave organet e sigurimeve caktojnë përfitimet për aplikuesit. Kreu i Drejtorisë së Përfitimeve pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Agron Ahmetaj, bën me dije se vendimi i qeverisë, i cili është zbardhur dy ditë më parë edhe në Fletoren Zyrtare, zgjeron kapacitetet për shpejtimin e procesit të llogaritjes. “Ndryshimet e bëra në vendimin përkatës shtojnë linjat për shpejtimin e procesit të llogaritjes. Ky përshpejtim do të vijë pasi Ministria e Mbrojtjes nuk do të jetë i vetmi institucion që do të plotësojë të dhënat përkatëse mbi aplikuesit. Këtij institucioni, që përmban edhe numrin më të madh të përfituesve, rreth 18 mijë do t’u vijnë në ndihmë edhe 10 struktura të tjera të komandave që janë nën juridiksionin e saj, por që do të ndihmojnë në plotësimin e dokumentacionit dhe të dhënave të kërkuara. Shtimi i strukturave ndihmëse në plotësimin e dokumenteve do të shoqërohet me shtimin e kërkesave që do të mbërrijnë pranë ISSH-së për llogaritjen e përfitimeve. Si rrjedhojë e këtyre ndryshimeve, vetëm gjatë kësaj jave kanë mbërritur rreth 300 kërkesa, për të cilat do të bëhen llogaritjet e pensioneve, numër ky që do të vijë në rritje gjatë javëve të ardhshme”, - sqaron Ahmetaj. Sipas ndryshimeve të bëra, krahas zyrave qendrore të Ministrisë së Mbrojtjes plotësimi i dokumentacionit me të dhënat e kërkuara mbi vjetërsinë e punës dhe pagën referuese do të bëhet edhe nga strukturat e tjera në juridiksionin e kësaj ministrie, si komanda e forcave, komanda e doktrinës dhe stërvitjes, brigada, regjimenti, reparti ose njësia në varësi të drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura etj. Në kërkesat dërguar ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim. Plotësimi dhe dorëzimi i këtyre të dhënave nga Ministria e Mbrojtjes dhe dikasteret e saj, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë dhe SHISH-i i hap udhë të menjëhershme procesit të llogaritjes së ndarjes së parave. Vetëm pas marrjes së formularëve të plotësuar me të dhënat përkatëse organet kompetente të sigurimeve mund të bëjnë llogaritjen e masave të pensionit që do të jepet për secilën kategori. Lidhur me llogaritjen bëhet e ditur se për secilin nga përfitimet e parakohshme masës së pensionit do t’i mbivendosen edhe përfitimet nga kompensimet, siç është ai i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, duke bërë klasifikimet përkatëse për shtresat në nevojë si dhe kompensim në masën 150 (njëqind e pesëdhjetë) lekë në muaj, shpenzimeve nga liberalizimi i çmimit të bukës, lëndëve djegëse dhe vajgurit.

Llogaritja dhe ankimimi

Llogaritja është e thjeshtë për çdo përfitues. Në zbatim të aktit normativ nr. 5 datë 10.11.2010, vjetërsia e shërbimit shumëzohet me 1,5 për qind dhe ajo që del shumëzohet me pagën neto referuese. Kjo shumë nuk mund të jetë më e vogël se një pension bazë. Të gjithë ushtarakët që mund të jenë të pakënaqur për llogaritjen e përfitimit ose për rillogaritjen e përfitimit, mund t’i drejtohen ISSH-së për rishikimin e masës së përftimit. Në rast se edhe kjo përgjigje është negative, në zbatim të Kodit Civil, kanë të drejtë t’u drejtohen gjykatave.

Vlerësimi për spitalet, poliklinikat,farmacitë, laboratorët e klinikat dentare

Institucionet shëndetësore në “sitë” për certifikatën kredituese të cilësisë

Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve do të vërë në garë tashmë edhe institucionet shëndetësore publike e private në vend. Brenda një periudhe 2-vjeçare parashikohet që të gjitha këto institucione t’i nënshtrohen procesit të akreditimit, rezultatet e të cilit do të shoqërohen me dhënien e certifikatave ndaj strukturave që plotësojnë standardet. Në këto kushte, pacientët do të kenë më në fund një ide të qartë se cila është qendra e duhur shëndetësore për të zgjidhur problemin dhe për të marrë trajtimin që u duhet. Kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe ai i Qendrës së Cilësisë Sigurisë dhe Akreditimit, Isuf Kalo, kanë bërë publike nisjen e procesit të akreditimit të institucioneve shtetërore, për të cilin është miratuar nga qeveria edhe vendimi për aprovimin e rregullores se akreditimit. Vasili ka bërë me dije se ky proces do të stimulojë kompeticionin ndërmjet këtyre institucioneve. Për këtë është përgatitur paketa e standardeve, sipas së cilave do vlerësohen institucionet shëndetësore, respektivisht: spitalet, qendrat e kujdesit parësor, shërbimet stomatologjike, shërbimet farmaceutike dhe ato laboratorike, si dhe gjithë institucionet që ofrojnë shërbim shëndetësor. “Akreditimi përfaqëson konfirmimin publik të kompetencës profesionale të pretenduar nga institucioni, e vlerësuar kjo përkundrejt standardeve të përcaktuara për ofrimin e kujdesit ndaj pacientit, duke filluar nga kushtet dhe puna e personelit. Akreditimi i mbron pacientët, konsumatorët dhe qytetarët nga praktika e keqe mjekësore, ajo e rrezikshme apo abuzive.” Akreditimi i institucioneve bëhet çdo pesë vjet dhe Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja do të parashikojnë buxhet për realizimin e këtij procesi. Ndërkohë edhe vetë strukturat do të paguajnë një kontribut pranë Qendrës së Akreditimit, që ka për qëllim të mbulojë shpenzimet e lidhura me zbatimin e procedurës së akreditimit të institucionit shëndetësor, siç janë kostoja për pagesën e stafit që koordinon vizitën akredituese, trajnime për punonjësit e institucionit që do kryejnë procesin e vetëvlerësimit dhe vlerësuesve të jashtëm, kostoja e udhëtimit, shpenzimet e lidhura me printimin, magazinimin dhe shpërndarjen e dokumenteve dhe materialeve të tjera që kërkohen në procedurën e akreditimit etj.

Certifikata

Pas vlerësimit të punës së të gjitha institucioneve shëndetësore qendra e akreditimit do t’i dërgojë rekomandimin e Këshillit të Akreditimit, Ministrit të Shëndetësisë dhe në rastet e rekomandimit pozitiv ose të përkohshëm, lëshohet certifikata e akreditimit, që lejon dhënien e shërbimeve. Ministri miraton dhe firmos ose jo brenda një afati kohor 30-ditor, certifikatën e akreditimit bazuar në rekomandimin e këtij këshilli. Vendimi i ministrit mund të apelohet në gjykata brenda afatit 30-ditor. Në rregullore janë parashikuar e drejta e ankimimit ose apelimit, konfliktet e interesit dhe zgjidhja e konfliktit personal të interesit.

Virozat e stinës

Pediatria, rreth 200 urgjenca në ditë

Luhatjet e temperaturave gjatë ditëve të fundit janë shoqëruar me rritjen e komplikacioneve shëndetësore, veçanërisht te moshat pediatrike. Urgjenca e pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë ditëve të fundit është përballur me një fluks pacientësh të vegjël, që kanë manifestuar komplikacione të shkaktuara prej virozave të stinës. Çdo ditë rreth 150-200 pacientë të vegjël kanë kërkuar ndihmën e specializuar mjekësore. Megjithatë, shumë prej urgjencave janë ndjekur edhe pranë mjekut të familjes. Ndër komplikacionet më të shpeshta të shfaqura nga fëmijët e sëmurë janë ato që prekin më shumë traktin e sipërm respirator, ku hyjnë rinofaringitet si dhe infeksionet infeksionet bakteriale të rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes. Po ashtu janë manifestuar edhe infeksione të traktit të poshtëm respirator, bronkopneumonia, por që fatmirësisht sipas mjekëve nuk janë shoqëruar me pasoja të rënda. Me tej mjekët sqarojnë se ka pasur edhe raste kur fëmijët janë shfaqur me temperaturë të lartë, bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, bark, të vjella etj. Megjithatë, simptomat e shpeshta të shfaqura tek të vegjlit sipas mjekëve kanë qenë teshtimat, bllokim e kullim hundësh, dhimbje fyti, dhimbje muskujsh, temperaturë e lartë, mungesë oreksi, dhimbje koke dhe kollë. Kundrejt kësaj situate mjekët kanë kërkuar që prindërit të tregohen të kujdesshëm në trajtimin e fëmijëve të tyre sapo të identifikohen simptomat e para. Një ndër këshillat bazë që japin mjekët në këto raste është mospërdorimi pa kriter i antibiotikëve. Kjo pasi në shumë raste prindërit u drejtohen farmacive për të marrë antibiotikë si qetësues për fëmijën e tyre. Kjo duhet të jetë kategorikisht e ndaluar, pasi mund të përkeqësojë edhe më shumë shëndetin e fëmijës. Përdorimi i tyre autorizohet vetëm në rastet kur rekomandohet nga mjeku specialist pas kryerjes së vizitës, ku përcaktohet edhe diagnoza trajtuese.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›