E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhte karta për të mos lejuar votimin, procedohet

06/05/2011  Procedohet një shtetas, dukuria prezente prej kohësh në Durrës

Sipas denoncuesit u premtoi 2 mijë lekë për një kartë të bllokuar

DURRES- Kallëzimi penal i bërë nga një shtetas ndaj kushëririt të tij për heqjen e të drejtës së votimit ka shtyrë policinë të nisë hetimet. Sabaudin D. 56 vjeç nga Durrësi është proceduar në gjendje të lirë nën akuzën e dhënies shpërblimi e premtimi. Në një komunikatë për shtyp policia ka bërë të ditur se ka qenë i afërmi i të denoncuarit, shtetasi H. D 49 vjeç që ka deklaruar lidhur me veprimin e paligjshëm të të afërmit të tij. 56-vjeçari Sabaudin D. i ka premtuar për t’i dhënë 2 mijë lekë për çdo kartë të grumbulluar shtetasit që më pas e ka denoncuar. Sipas kallëzimit penal mësohet se autori i këtij veprimi i ka marrë 4 karta identiteti të pjesëtarëve të familjes së shtetasit H. D., duke i thënë këtij të fundit se do e shpërblente me 8 mijë lekë. Qëllimi i këtij veprimi ka të bëjë me tendencën e disa personave për të mos lejuar mbështetësit e një kandidati të votojnë duke favorizuar kështu kandidatin tjetër. Policia ka dhënë fare pak detaje duke mos afruar informacion për emrin e mbiemrin e personit që është bërë objekt akuze, vendbanimin e tij apo edhe se cilin kandidat kërkonte të favorizonte me veprime të tilla të paligjshme. Por policia nuk ka mundur të sigurojë as edhe kartat e identifikimit për të cilat bëhet fjalë se kanë shërbyer si pikënisje për të ngritur akuzën. Personi për të cilën bëhet fjalë se ka afruar para për të mbledhur kartat është banor i lagjes numër 15 në Spitallë. Edhe të afërmit e tij janë nga Spitalla. Në Durrës ka dy javë që flitet se disa persona kanë nisur të mbledhin hapur kartat e identitetit me qëllim që të mos u japin atyre mundësi të votojnë kandidatin e pëlqyer. Madje ky lloj aktiviteti flitet se është shtrirë gjithandej në lagjet e Durrësit, por nuk ka pasur asnjë të ndaluar.

Xh. Gradica

Drejtësia e dënoi me 8 muaj burg, falsifikoi dhe deklaratat për mbështetjen e kandidimit

Prokuroria: Të tërhiqet

kandidimi i Hysen Llacës në Sukth

XHEVAHIR GRADICA

DURRES- Prokuroria e rrethit gjyqësor në Durrës ka kërkuar shpalljen të pavlefshëm të emrit të kandidatit për kryetar Bashkie në Sukth të Durrësit, Hysen Llaca. Shkak për këtë aplikim të drejtuar nga akuzë në adresë të KZAZ-së numër 9, është bërë një vendin i formës së prerë të drejtësisë së Durrësit, si dhe verifikimi i disa deklarimeve, të cilat kanë rezultuar të falsifikuara. Hysen Llaca ka qenë për dy mandate kryetar i Bashkisë së Sukthit, ndërsa këtë herë është regjistruar si kandidat i pavarur.

Vendimi

Në bazë të deklarimeve të Prokurorisë së Durrësit mësohet se ish-kryetari i Bashkisë së Sukthit është shpallur fajtor me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila e ka dënuar me 8 muaj burg. Socialisti Llaca nuk ka mundur të bindë drejtësinë në pafajësinë e tij, ndërkohë që së fundi është përballur me një tjetër telash. Përfshirja në kandidim për postin e kryetarit të komunës në Bashkinë e Sukthit e shtetasit Hysen Llaca ka shtyrë socialistët t’i drejtohen Prokurorisë ndërhyrje për ta përjashtuar Llacën nga kandidimi. Ata kanë paraqitur në KZZA dhe në Prokurori 8 deklarime qytetare, të cilat janë pjesë e formularëve model 09 që plotësohen për mbështetje ndaj kandidatit. Prokuroria bën të ditur se nënshkrimet janë dërguar në laboratorin e ekspertizës shkencore në Tiranë dhe rezulton se katër prej tyre janë falsifikuar. Nisur nga deklarimet e Prokurorisë thuhet se kanë rezultuar të falsifikuara nënshkrimet dhe firma e shtetasve Anesti Dokolli, Vasilika Petani, Kristina Petani dhe Bajram Kebaj. Të mërkurën më datë 4 maj 2011 Prokuroria e rrethit gjyqësor në Durrës ka dërguar në KZAZ numër 9 një shkresë zyrtare në të cilën theksohet se Hysen Llaca është person me precedent penal dhe i dënuar me 8 muaj burg, si dhe person që do të vendoset sërish para drejtësisë për shkak të falsifikimit të dokumentacionit për regjistrim si kandidat, proces penal me numër 567. Shkresa e organit të akuzës mban firmën e prokurorit Altin Binaj, i cili ka pasqyruar edhe hollësi lidhur me sa kërkohet. Kështu mësohet se Hysen Llaca, ish-kryetar Bashkie në Sukth për dy mandate me mbështetjen e PS, me vendim penal numër 479, datë 10.9.2011 do të duhet të vuajë dënimin me burg, ndërkohë që nuk janë dhënë shpjegime pse ky shtetas nuk e ka hequr dënimin. Dënimi për 8 muaj burg është dhënë me vendim numër 479, datë 10 shtator 2009 nga gjykata e Durrësit. KZAZ-së numër 9 në Durrës që mbulon Bashkinë e Sukthit, Bashkinë Manëz, si dhe komunat Ishëm e Katundi i Ri. Prokuroria ka lënë të kuptohet se pavarësisht rezultateve të 8 majit shtetasi Hysen Safet Llaca do të detyrohet të shlyejë dënimin. Vetëm dy ditë kohë do të ketë KZAZ dhe KQZ për të vendosur, e parë për ta dërguar në destinacion materialin e Prokurorisë së bashku me arsyetimet e saj dhe e dyta për të marrë një vendim të prerë. Burime nga KZAZ kanë thënë se është shumë vonë, madje dhe e pamundur për të ndërhyrë, pasi fletët e votimit janë plotësuar dhe rikthimi i tyre kërkon një procedurë të ngarkuar.

Flamur Bime: Ka shumë prona në bregdet

Deputeti Tavo padit kryebashkiakun Bime për shpifje

GJIROKASTËR - Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), njëherazi nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Tavo, ka dorëzuar sot në Prokurorinë e Gjirokastrës një kallëzim penal për “shpifje dhe shpërdorim detyre" ndaj kryebashkiakut të qytetit të gurtë, Flamur Bime. "Asnjëherë në karrierën time politike nuk kam shpërdoruar apo përfituar në mënyrë të paligjshme tokë në bregdet, ashtu siç ka deklaruar disa ditë më parë kryebashkiaku në ikje, Flamur Bime", theksoi Tavo, pasi dorëzoi në sekretarinë e Prokurorisë së Gjirokastrës kallëzimin penal. "Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, në mënyrë të qëllimshme ka publikuar në tre televizione lokale dy dokumente “pronësie”, gjoja me emrin tim. I garantoj publikut se asnjëherë nuk do të abuzoj me detyrën, siç ka bërë Flamur Bime, gjatë shtatë viteve të fundit në krye të bashkisë", nënvizoi Tavo.

Katër ditë më parë, kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të ardhmen”, Flamur Bime, nëpërmjet zëdhënëses së Bashkisë së Gjirokastrës, ka publikuar në media dy dokumente “pronësie” që figuronin me emrin e deputetit Vangjel Tavo.

T. Skuqi

Petrit Vasili: Zgjedhjet e 8 majit,

administrative dhe jo politike

FIER- Petrit Vasili në cilësinë e nënkryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim dha në ambientet e kësaj force politike në Fier një konferencë shtypi. Me nota optimiste ai theksoi fitoren e “Aleancës për qytetarin” në Fier dhe në të gjithë vendin gjithashtu ai u ndal dhe në zgjedhjet, të cilat i konsideroi si zgjedhje administrative dhe jo politike.

“Zgjedhjet e 8 majit, ka thënë në fjalën e tij Vasili, janë zgjedhje lokale dhe administrative dhe jo politike, ndaj duhen konsideruar të tilla si alternativa më e mirë për Bashkitë ose komunat dhe jo si një luftë e ashpër politike për kolltuk”. Vasili falënderoi komunitetin fierak për qytetarinë e treguar gjatë fushatës elektorale.

A. Damini

Kandidati Ilir Bele premton vëmendje

Evidentohen problemet e banorëve të lagjes “1 Maj”

FIER- Pas evidentimit të gjitha problemeve në lagjen “1 Maji” dhe në përmbyllje të fushatës elektorale kandidati për kreun e Bashkisë Fier Ilir Bele në takimin me banorët e saj ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë kësaj zone vlerat e munguara. Në çdo takim të zhvilluar më parë në territorin e kësaj lagje kandidati evidentoi dhe mori vetëm ankesa nga qytetarët për mungesë të rrugëve kanalizimeve madje edhe ujit të pijshëm. Për të gjitha këto mangësi në takimin me kandidatin ata kanë dhënë mbështetje të plotë për të qenë ai udhërrëfyesi i rrugës për ndryshimin e këtij qyteti. “E kam thënë shpesh se lagjja “1 Maj” dhe lagjet e tjera periferike vuajnë më shumë se çdo lagje tjetër mungesën e vëmendjes së Bashkisë, në drejtim të infrastrukturës, kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, kushteve të vështira jetësore. Për kreun aktual të Bashkisë, vetëm një copë vend para Bashkisë duhet të ketë gjelbërim dhe sistemim sepse në lagjet e tjera rreth qytetit lëngojnë nga mungesa e shumë kushteve më elementare të jetesës”. Ky takim dëshmoi edhe njëherë se ky komunitet kërkon ndryshimin dhe vota e tyre më 8 maj do të shkojë për alternativën më të mirë. Ndërkohë kandidati Ilir Bele zhvillon takimin përmbyllës me banorët e lagjes “Liri” dhe “Kongresi i Përmetit” duke marrë mbështetjen e tyre. A. Damini

Merr pjesë Sokol Olldashi dhe Ardian Kollozi

Hapet segmenti rrugor Levan-Vlorë

VLORE- Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, ka marrë pjesë në çeljen e segmentit rrugor Levan- Vlorë në një gjatësi prej 16km. Ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, ka marrë pjesë në çeljen e segmentit rrugor Levan- Vlorë në një gjatësi prej 16 km. Ministri Olldashi është shprehur se çelja e këtij segmenti rrugor prej 16 km nga Novosela deri në Pusë Mezin do të mundësojë çlirimin e qarkullimit në këtë aks rrugor e sidomos në pjesët më të vështira si kthesat e Bestrovës. Ministri Olldashi gjithashtu ka siguruar se me çeljen e sezonit turistik do të bëhet i mundur qarkullimi i mjeteve në një krah të rrugës në të gjithë gjatësinë Levan-Vlorë, ndërkohë që përfundimi i punimeve dhe hapja e kësaj rruge do të ndodhë në muajin shtator të këtij viti. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›