Ushtarakët, ligji shkon në Parlament
Fabiola Çela
Qeveria ka dërguar në Parlament ligjin e ri për pensionet e ushtarakëve. Sot është seanca e fundit e punimeve të Parlamentit dhe nuk dihet ende nëse ligji i ri do të miratohet apo jo. Ky është projekti i tretë për pensionet e ushtarakëve dhe vjen para zgjedhjeve, ashtu si ai që miratoi Kuvendi me shumicë socialiste ditën e fundit të mandatit në vitin 2005. Ligji i miratuar nga Kuvendi në shkurt të viti 2006 nuk u bë aktiv për shkak të hedhjes poshtë nga Gjykata Kushtetuese. Në atë ligj, ndarja e përfitimeve të pensionit bëhej sipas gradave, ku grada më e lartë përfitonte pension deri në 6 pensione minimale deri në gradën më të ulët ushtarake që përfitonte 2 pensione minimale. Me ndryshimin e ri, pensionet e ushtarakëve unifikohen, pra nuk ka ndryshime sipas gradave. Këto ndryshime do vijnë si rezultat i pagave që marrin aktualisht ushtarakët dhe sigurimeve të tyre suplementare.
Ligji i ri
Në ligjin e ri do njihet si kohë shërbimi për efekt pensioni e gjithë koha e dënimit apo internimit të ushtarakut për motive politike. Aktualisht ligji që është në fuqi e njeh këtë të drejtë, por me kusht që ushtaraku para dënimit të kishte të paktën 5 vite në shërbim. Sipas qeverisë, përcaktimi i një afati prej 5 vitesh nuk ka lidhje me arsyen e dënimit, në këtë mënyrë është vendosur që të njihet si periudhë sigurimi e gjithë periudha e përndjekjes së ushtarakut, e njohur si pafajësi në bazë të dispozitave të ligjit të vitit 1991 për amnistinë, pafajësinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve politikë, pavarësisht nga koha e shërbimit që ka bërë ushtaraku. Një ndryshim themelor dhe që ndihmon drejtpërdrejtë ish-ushtarakët dhe grupet e tjera të interesit, është njohja e pagave referuese. Aktualisht pas lirimit nga detyra ushtarakët trajtohen me pension të parakohshëm. Periudha nga data e lirimit deri në datën e mbushjes së moshës për pension mbulohej nga shteti si periudhë e siguruar. Kjo në mënyrë që pas mbushjes së moshës së pensionit, ushtarakët të merrnin pension të plotë pleqërie. Deri tani për këtë periudhë të trajtimit të ushtarakëve, shteti paguante sigurime mbi pagën minimale. Pra, pas mbushjes së moshës, ushtaraku duhet të merrte pension duke llogaritur kontributet që kishte paguar në kohën e punës dhe kontributet minimale që i kishte paguar shteti për kohën e largimit nga detyra. Mesatarja e këtyre kontributeve i jepe ushtarakut një pension më të vogël. Me ligjin e ri, edhe periudha e lirimit, pra periudha kur ushtaraku merr pension të parakohshëm do të sigurohet sikur ai të jetë në punë. Pra me pagë referuese. Kjo do të sjellë rritjen e pensionit të pleqërisë kur ushtaraku të mbushë moshën e pensionit. Për pensionin e parakohshëm në ligjin që ka shkuar në Parlament janë parashikuar dy mënyra. Varianti i parë për të përfituar pension të parakohshëm është për femrat 12 vjet shërbim dhe moshë 42 vjeç dhe për burrat 15 vjet shërbim dhe moshë 47 vjeç. Ndërsa varianti i dytë është 15 vite shërbim për femrat dhe moshë 47 vjeç dhe 18 vite shërbim për burrat dhe moshë 52 vjeç. Ministria e Financave e justifikon rritjen e moshës me ligjin e sigurimeve që ka hyrë në fuqi në vitin 2002, ku në mënyrë graduale mosha e daljes në pension bëhet 65 për burrat dhe 60 për gratë. Masa e pensionit të parakohshëm është 50 për qind e pagës referuese dhe 2 për qind shtesë për çdo vit tjetër shërbimi. Sidoqoftë, masa e shpërblimit me pension të parakohshëm nuk duhet të jetë më shumë se dy pensione bazë dhe shtesa jo më shumë se 20 për qind.
70 milione
lekë është kontributi mesatar mujor që paguhet nga buxheti i shtetit për 9985 përfitues, ose e thënë ndryshe rreth 840 milionë lekë në vit
45 milione
lekë në muaj do të jenë efektet financiare të këtij ligji lidhur me pensionet suplementare të ushtarakëve, që kanë përfituar pension pleqërie para vitit 1991