E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëzhguesit, KQZ regjistron Glover

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përpos debateve për kreun e ODIHR-it, akrediton ambasadoren Audrey Glover si vëzhguese të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. KQZ-ja miratoi me unanimitet të plotë listën e vëzhguesve afatgjatë të ODIHR, të kryesuar nga ambasadorja e kontestuar nga Kryeministri Sali Berisha. Me shtatë vota pro, anëtarët e majtë dhe të djathtë në KQZ miratuan listën e paraqitur prej 39 vëzhguesish afatgjatë. Kjo gjë i jep mundësinë ODIHR të zbresë konkretisht në terren, pranë KZAZ-ve për të ndjekur nga afër përgatitjet e procesit zgjedhor. Nga 39 vëzhguesit, 5 prej tyre janë nga Mbretëria e Bashkuar, ku bën pjesë edhe 71 vjeçarja, Audrey Glover. Gjashtë vëzhgues afatgjatë janë nga Gjermania, tre janë nga SHBA-ja. Ndërsa mungojnë vëzhguesit nga vendet e Ballkanit dhe shtetet fqinje, si Kroacia, Maqedonia dhe Greqia. Pavarësisht debateve mes qeverisë dhe ODIHR-it për kreun e këtij misioni, KQZ duket se ka preferuar të sheshojë “përplasjet”, duke certifikuar emrat e 39 vëzhguesve që kryesohen nga Glover.
Gjobitja e
vendorëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme ka gjobitur 77 drejtues të njësive të qeverisjes vendore, për shkak të mos paraqitjes së listave të zgjedhësve. Kreu i KQZ-së bëri të ditur se do të gjobiten me nga 5 mijë lekë të reja për mos paraqitjen brenda afatit të listave të zgjedhësve. “Ky është paralajmërimi i parë, më vonë mund të merren edhe masa më drastike ndaj tyre”, deklaroi kryekomisioneri Arben Ristani. Ai la të nënkuptojë edhe paraqitjen e kërkesës zyrtare nga KQZ, për ndjekje penale të këtyre drejtuesve të bashkive dhe komunave nëse nuk plotësojnë detyrimin për paraqitjen e listave të zgjedhësve. Nga 77 njësi vendore, 7 janë në rang bashkie, ndërsa 70 në komuna. Kryetarët e bashkive të Koplik, Peshkopi, Kukës, Shijak, Manëz, Përrenjas, Këlcyrë, Mamurras, Rubik. Ndërsa dje KQZ ka shtyrë votimin për manualin që do të përdoret gjatë procesit të votimit nga ana e anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit.

Meta takon shefen e ODIHR
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, takoi dje pasdite shefen e misionit të ODIHR-it, znj. Glover. Gjatë këtij takimi Meta dhe Glover diskutuan për problemet kryesore që hasen në realizimin e standardeve të zgjedhjeve të 28 Qershorit. “Kemi shkëmbyer mendime të ndryshme për problemet kryesore të standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit dhe natyrisht ne kemi shprehur përsëri shqetësimin tonë për vështirësitë e mëdha, që po hasin shqiptarët për t’u pajisur me kartat e identitetit. Kemi kërkuar për të sqaruar këto procedura kaq të ngarkuara dhe së dyti kemi kërkuar, që qeveria të tregojë një vullnet të sinqertë për të mbështetur nga pikëpamja logjistike të gjithë procesin që të mos zvarritet deri tani, se përndryshe kemi një ambient kontestues të procesit të ardhshëm zgjedhor, që
nuk është në interes të vendit tonë.

Bosch: ODIHR-Qeveri, përplasje e tejkaluar
Kreu i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Robert Bosch, gjatë një vizite pune në Kukës, e ka konsideruar të tejkaluar debatin me qeverinë për emërimin si kryevëzhguese të ODIHR-it të ambasadores britanike, Aundry Glover, dhe pas atashimit të saj dhe vëzhguesve afatgjatë të këtij misioni nga KQZ-ja. Ndërsa ka theksuar se nuk ka asnjë përplasje apo problem në lidhje me këtë konflikt ndërmjet ODIHR-it dhe qeverisë. “Unë nuk kam problem me asnjë. Kjo është një çështje e ODIHR-it. Ky mision dhe OSBE-ja janë dy institucione të ndryshme dhe unë nuk kam asnjë problem me askënd. Dje në mëngjes KQZ-ja ka atashuar mision vëzhgues të ODIHR-it”, tha Bosch. Kreu i Prezencës së OSBE-së, dy ditë më parë kontestoi qëndrimin e qeverisë ndaj Glover, duke u shprehur se “nuk është e drejta e Ekzekutivit shqiptar për të përcaktuar vëzhguesit”. “ODIHR nuk merr udhëzime nga ndonjë organ tjetër. Ashtu sikurse edhe ju, unë jam një vëzhgues i kësaj që po ndodh. Unë e përkrah ODIHR-in dhe të njëjtin qëndrim mbajnë të gjithë vendet pjesëmarrëse të OSBE-së. ODIHR do të ketë rolin e gjykatësit. Sot ka një ndeshje futbolli dhe mesa dini arbitrin nuk e zgjedhin palët, por organizma të tjerë”, deklaroi Bosch. Ambasadori bëri thirrje për të aplikuar sa më shpejt për kartat e identitetit, për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Duhet të rrisim rolin e gruas në aktivitete politike dhe të luftojmë për të drejtat e tyre. Ende listat e partive politike nuk kanë përfunduar, por ideja është se 30 për qind në listat e partive politike duhet të jenë gra. Eshtë e domosdoshme që edhe vetë gratë të luftojnë në këtë drejtim”, - theksoi Bosch.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›