E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, pensionet për 194 përfituesit e rinj

04/07/2011  Instituti i Sigurimeve Shoqërore detajon përfitimet suplementare dhe ato të parakohshme

Procedura e caktimit të masës së pensionit dhe rastet e zgjidhjeve për të pakënaqurit

Pranvera Kola

Listës së përfitimeve të llogaritura i shtohen edhe 194 ish-ushtarakë të tjerë. Gjatë ditës së djeshme organet e sigurimeve shoqërore kanë zbardhur edhe emrat e rinj, që i janë shtuar skemës së përfitimit sipas kushteve të përcaktuara në udhëzimet më të fundit mbi procedurën e llogaritjes. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni të plotë listën me 194 përfituesit e rinj, të cilët mund t’u drejtohen qendrave rajonale të sigurimeve për të marrë pagesat që u takojnë. Më tej ekspertët e sigurimeve shtojnë se procesi i lidhjes së pensioneve do të vijojë me ritme më të përshpejtuara, kjo pasi ka ardhur në rritje dhe numri i dosjeve të depozituara nga institucionet përgjegjëse pranë institutit të sigurimeve. Me marrjen e të dhënave të përcaktuara për secilin aplikues, që kanë të bëjnë me vjetërsinë e punës si dhe me pagën mesatare referuese, ekspertët e sigurimeve në një hark të shkurtër kohor, prej 48 orësh, caktojnë edhe masën e pensionit që i takon secilit përfitues. Tashmë pothuajse ka shkuar drejt fundit procesi i llogaritjes së pensioneve për përfitimet e parakohshme dhe u është hapur udhë llogaritjeve për përfitimet suplementare, ato të pleqërisë dhe llojet e tjera që i takojnë kësaj shtrese në bazë të ligjit. Rritja e numri të pensioneve që lidhen javë pas jave ka ardhur edhe si shkak i shtimit të strukturave që merren me detajimin e të dhënave që duhet të përmbajë dosja e secilit përfitues. Konkretisht, Ministrisë së Mbrojtjes tashmë do t’i vinë në ndihmë edhe strukturat e komandove, të cilat po ashtu do të ndihmojnë në plotësimin e të dhënave për secilin aplikues. Sipas përcaktimeve ligjore, bëhet e ditur se të pakënaqurit me masën e pensionit të caktuara mund të ankohen për rishikimin e tij. Nëse pas dorëzimit të kësaj ankese pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore verifikimet tregojnë se masa e pensionit mbetet në të njëjtat nivele, atëherë përfituesit nuk i mbetet gjë tjetër veçse t’u drejtohet organeve të gjykata për të kërkuar zgjidhjen e mëtejshme të masës së përfitimit. Procesi i ndarjes së përfitimeve të para për ushtarakët ka nisur që në mbyllje të vitit që lamë pas. Konkretisht për kategoritë e tjera bëhet me dije se procedura vijon, çka do të thotë se shpallja e listave që duhet të paraqiten për të tërhequr pensionet do të vijojë. Sipas të dhënave të deklaruara, nga llogaritja e pensioneve do të përfitojnë rreth 22 mijë ushtarakë, që u përkasin kategorive të caktuara.

Si llogaritet pensioni?

Ekspertët e Institutit të Sigurimeve shoqërore pohojnë se llogaritja është e thjeshtë për çdo përfitues. Duke u mbështetur në përcaktimet e bëra në aktin normativ nr. 5 datë 10.11.2010, vjetërsia e shërbimit të aplikuesit shumëzohet me 1,5 për qind. Rezultati që do të dalë nga ky veprim do të shumëzohet më pas me pagën neto mesatare referuese. Rezultati përfundimtar nuk mund të jetë kurrsesi më i vogël se një pension bazë.

Procedura e për pensionet

Llogaritja e përfitimit për secilin aplikues varet nga të dhënat që institucionet përgjegjëse do të sjellin pranë sigurimeve. Vetëm pas marrjes së këtyre të dhënave ISSH-ja do të mund të përcaktojë masën e pensionit të parakohshëm që do të shkojë për secilin aplikues. Në kërkesat e dërguara ministrive sigurimet shoqërore kanë kërkuar prej tyre plotësimin e dy formularëve: një për vërtetimin e vjetërsisë së shërbimit dhe të pagës mesatare referuese dhe një për pagën referuese në muajin e lindjes të së drejtës për përfitim, të dhëna të cilat kushtëzojnë llogaritjen e masës së përfitimit për secilin individ aplikues. Pas marrjes së këtyre të dhënave bëhet llogaritja mbi masën e pensionit për secilin përfitues.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›