E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta kërkon gjykim të plotë, tërhiqet nga kërkesa për pavlefshmëri hetimesh

04/07/2011  Ish-ministri i Ekonomisë kërkon nxjerrjen e së vërtetës për videon “Meta-Prifti”

TIRANË- Ilir Meta, përmes avokatëve të tij, i kërkoi dje Gjyqtares së Lartë që të mos e pushojë çështjen për pavlefshmëri hetimesh nga Prokuroria për shkak afatesh, por që gjyqi të vazhdojë i plotë, debatues dhe i pandërprerë. Në fakt, kërkesën për pavlefshmëri avokatët Petrit Serjani dhe Gëzim Veleshnja e kishin bërë më 20 qershor të këtij viti, çka e tërhoqën dje. Në njoftimin për shtyp avokatët deklarojnë se “Në cilësinë e mbrojtësit me prokurë të shtetasit Ilir Meta, në procesin penal të regjistruar në ngarkim të tij pranë Gjykatës së Lartë, mbështetur ligjërisht nëse disiplinohet nga neni 110 i K. Pr. Penale “Mbi memot apo kërkesat e palëve në çdo gjendje dhe shkalle të procedimit” parashtrojmë në vijim, këtë memo tonën, që konsiston në heqjen dorë nga njëra prej kërkesave paraprake të lexuara dhe të dorëzuara me shkrim në seancën e parë gjyqësore të datës 20.06.2011. Në tërësinë e kërkesave paraprake kemi ngritur disa probleme që në interpretimin tonë të ligjit procedural do duhej të produktonin pavlefshmëri të veprimeve hetimore të organit procedues. Të detyruar nga kërkesa e vendosur e të mbrojturit prej nesh, zotit Ilir Meta, si dhe mbi motivin e lartë shtytës të zhvillimit të një procesi gjyqësor të plotë, debatues dhe me fuqi jo vetëm nxjerrjen e së vërtetës, por edhe certifikimin e saj, deklarojmë se heqim dorë nga pjesa e parë e kërkesave paraprake e konkretisht nga deklarimi i pavlefshëm i kryerjes së veprimeve hetimore jashtë afateve procedurale dhe pa respektuar veshjen imunitare të subjektit që procedohet. (Nga faqja një deri në fund të faqes pesë të materialit të dorëzuar me shkrim). Me qëllim shpjegimin më në detaje të kësaj tërheqjeje të pjesshme, qartësisht pohojmë se e gjitha lidhet me mungesën absolute të dëshirës së shtetasit Ilir Meta, për të zgjidhur këtë çështje thjesht dhe vetëm procedurialisht. Gjithsesi, vlerësimin e këtij fakti, pra regjistrimin pa emër të kësaj çështje, në regjistrin e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm prej një kohe të gjatë, e çmojmë të nevojshëm për të konstatuar papërgjegjshmërisë hetimore të organit të Prokurorisë dhe provuar njëanshmërinë ekstreme të tij”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›