E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, pensionet ulen në 6-7 mijë lekë

05/12/2011  Bordi ekzekutiv i ushtarakëve ngre shqetësimin për uljen e pensioneve të parakohshme nga 1 korriku 2009

Shoqata: ISSH duhet të ndalë menjëherë rillogaritjen, në të kundërt do të mbajë përgjegjësi penale

Përfituesit e pensioneve të parakohshme në radhët e ish-ushtarakëve po cenohen me uljen e pensioneve deri në 6-7 mijë lekë të reja në muaj. Shqetësimi është ngritur nga bordi ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, të cilët u kanë kërkuar organeve të sigurimeve shoqërore që të ndalojnë në mënyrë të menjëhershme procesin e rillogaritjes së pensioneve të parakohshme, duke qenë se këto të fundit kanë zbritur nën pragun minimal. Pas mbledhjes së zhvilluar mbi këtë problematikë bordi u ka kërkuar sigurimeve shoqërore që të mos lejojnë rillogaritjen e këtyre pensioneve, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi penale.

Ulja e pensioneve

“Bordi Ekzekutiv i Shoqatës vëren me shqetësim dhe indinjatë se është duke u implementuar ligji nr.10142 dt. 15.09.2009 për pensionet suplementare të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, i korrigjuar me aktin normativ të dhjetorit 2010. Në bazë të tyre, qeveria ka nxjerrë vendimin në shtatorin e vitit të shkuar, sipas të cilit pensioni i parakohshëm për ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ është ulur nga masa e pensionit maksimal në masën e pensionit minimal. E sikur kjo të mos mjaftonte, përfituesit janë shpallur edhe debitorë, duke paguar një pjesë të këtij pensioni minimal çdo muaj”, - konfirmohet nga bordi. Për rrjedhojë, personat që gëzojnë të drejtën e pensionit të parakohshëm jo vetëm kanë zbritur në nivelin e pensionit minimal, por janë shpallur edhe debitorë nga data 1 korrik 2009, duke u paguar në masën 6000–7000 lekë të reja në muaj, pra nën nivelin e pensionit minimal. Kreu i Shoqatës së Ushtarakëve, Mehdi Pogaçi, ka shpjeguar se kjo rillogaritje bie ndesh me vendimin nr. 33, datë 24.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese, i cili argumenton se rillogaritja duhet të bëhet vetëm në ato raste kur rezultati i saj është më i lartë se aktuali, por asnjëherë kur është më i vogël, pasi cenon sigurinë juridike të ushtarakëve në pension të parakohshëm për të drejta të fituara me ligje dhe vendime të mëparshme të gjykatave. “Pra, ISSH-ja nuk ka të drejtë të ulë masën aktuale të pensionit të parakohshëm, pasi bën krim ligjor dhe antikushtetues. Për sa më sipër, ISSH-ja duhet të ndalë menjëherë rillogaritjen dhe uljen e pensioneve të parakohshme, në rast të kundërt do ta mbajë përgjegjësi penale.”

Evidentimi i përfituesve

Bordi Ekzekutiv i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në rezervë u ka kërkuar të gjithë ushtarakeve në pension të parakohshëm që të paraqiten pranë këtyre strukturave, në mënyrë që të evidentohet numri i saktë i përfituesve që cenohen nga kjo rillogaritje antiligjore. Ndërkohë është propozuar edhe ngritja e një komisioni për gjetjen e zgjidhjeve që do të frenojnë uljen e mëtejshme të pensioneve. “Ata ushtarakë në pension të parakohshëm që nuk janë anëtarësuar duhet ta bëjnë një gjë të tillë, pasi në bashkëpunim me kolegët e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror e te tjerë të prekur nga kjo rillogaritje, do të krijojmë një komision ad hoc dhe të përcaktojmë rrugët dhe mënyrat ligjore e kushtetuese për të arritur në ndaljen dhe zgjidhjen e kësaj masakre financiare antiligjore e antikushtetuese”, - konfirmohet nga bordi i Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›