E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcohet monedha shqiptare, favorizohen kreditë në valutë

05/12/2011  Ekspertët: Nuk do të zgjasë

Kursi i këmbimit të monedhës vendase me valutat kryesore në treg, euron dhe dollarin ka pësuar luhatje këtë fundjavë, në favor të lekut. Në agjencitë e këmbimit valutor 1 euro ka arritur në 138 lekë në shitje, ndërsa blihet me 137 lekë, nga mbi 140 lekë që ishte përgjatë gjithë muajit nëntor. Kjo situatë, e cila nuk është vënë re prej kohësh në tregun vendas, është rrjedhojë e pasigurive që shfaq kriza në eurozonë. Shumë qytetarë dhe një pjesë e mirë e investitorëve kanë preferuar t’i kthejnë kursimet e tyre në monedhën vendase, për t’i shpëtuar këtyre luhatjeve. Por kjo situatë do të jetë e përkohshme, sipas ekspertëve të ekonomisë, për shkak se këto janë lëvizje më shumë emocionale dhe luhatjet në tregjet ndërkombëtare mund të sjellin më shumë humbje për qytetarët. Të vetmit që përfitojnë nga kjo situatë dhe ata përkohësisht janë kreditorët që bankat kanë në valutë, kryesisht në euro. Ata do të kenë mundësi që për një farë kohe të paguajnë këste më të lira për kredinë e marrë, për shkak se kostoja e euros do të jetë më e lirë. Edhe çmimet në treg pritet të jenë më pak të shtrenjta, aq më tepër në këtë fundsezoni të vitit, kur qytetarët do të duhet të konsumojnë më shumë për dhuratat dhe shpenzimet e festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›