E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët, të burgosurit dhe pacientët do të votojnë në institucionin ku qëndrojnë

Ministria e Brendshme zbardh procedurën e hartimit të listës së zgjedhësve. Nuk është parashikuar ende se ku do të votojnë studentët

Eljona Ballhysa
Ushtarakët do të votojnë në repartet ushtarake ku janë në shërbim, ndërsa të burgosurit në burgje dhe pacientët që qëndrojnë më shumë se 10 ditë në spital do të votojnë aty ku kurohen. Ministria e Brendshme ka shpërndarë udhëzimin për hartimin e listës së zgjedhësve dhe procedurat që duhet të ndjekin kryetarët e njësive të qeverisjes vendore për ngritjen e qendrave të votimit. Në udhëzimin e Ministrisë së Brendshme nuk është parashikuar ende se ku do të votojnë studentët. Ekziston një debat i hapur midis pozitës dhe opozitës për qendrat e votimit në të cilat do të votojnë studentët. Qeveria ka parashikuar që këta të fundit të votojnë në qytetet ku ndodhet universiteti që ata ndjekin, por ky propozim është rrëzuar nga opozita në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Ndërkohë që i është dhënë përgjigjja se në cilat qendra votimi do të votojnë ushtarakët, të burgosurit dhe pacientët.
Udhëzimi
Udhëzimi i Ministrisë së Brendshme parashikon që komandantët e reparteve ushtarake, brenda datës 14.5.2009, duhet të përgatisin dhe t’i dorëzojnë kryetarit të njësisë së pushtetit vendor (bashkisë, komunës, apo njësisë bashkiake), brenda territorit në të cilin ndodhen, listën emërore të zgjedhësve që ndodhen në repart gjatë ditës së zgjedhjeve. Drejtuesit e burgjeve të vendeve të paraburgimit, brenda datës 19.5.2009, duhet të përgatisin dhe të dorëzojnë në njësinë e pushtetit vendor në të cilën ndodhen listën emërore të zgjedhësve që ndodhen në institucionin e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve. Drejtuesit e institucioneve shëndetësore që pranojnë pacientë për një periudhë më shumë se 10 ditë, brenda datës 28 maj 2009 duhet të përgatisin dhe të dorëzojnë listën emërore të zgjedhësve që ndodhen në institucionin e tyre gjatë ditës së zgjedhjeve. Kryetarët e bashkive dhe komunave, pasi marrin listën nga drejtuesit e institucioneve të lartpërmendura, përfshijnë emrat në listën përfundimtare të zgjedhësve dhe vendosin për hapjen e qendrave të votimit në këto institucione. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, pasi ka marrë listat nga bashkitë dhe komunat për zgjedhësit në institucionet e posaçme brenda datës 25 maj, u dërgon listën e zgjedhësve në këto institucione dhe kërkon fshirjen e tyre nga lista e zgjedhësve në njësinë përkatëse të pushtetit vendor, në mënyrë që zgjedhësi të ketë mundësi të votojë vetëm një herë.
Detyrimet
Në udhëzimin e Ministrisë së Brendshme parashikohen detyrimet që rrjedhin nga parapërgatitja e procesit zgjedhor për drejtuesit e njësive të pushtetit vendor. Kryetarët e bashkive dhe komunave kanë për detyrë të caktojnë vendndodhjen e saktë, adresën e plotë të qendrave të votimit dhe të përgatisin hartën e njësisë së qeverisjes vendore me zonat e qendrave të votimit. Për të prodhuar listën paraprake të zgjedhësve nën autoritetin e kryetarit të bashkisë apo komunës, zyrat e Gjendjes Civile duhet të verifikojnë nëse në listën e zgjedhësve ndodhen të gjithë shtetasit që në datën 28 qershor 2009 kanë mbushur moshën 18 vjeç. Zyrat e Gjendjes Civile më tej duhet të verifikojnë lëvizjet e shtetasve, transferimet, martesat dhe vdekjet, të cilat kanë impakt në listën e zgjedhësve, por që nuk janë përditësuar në Regjistrin Kombëtar të Shtetasve dhe duhet të reflektohen menjëherë. Përditësimi do të kryhet në dy hapa: fillimisht do të përditësohet lista e zgjedhësve dhe më pas do të reflektohen të plota këto veprime në sistemin on-line të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile. Shtetasit që janë larguar, që janë transferuar, martuar apo vdekur, që ekzistojnë ende në listën e zgjedhësve të njësisë, duhet të hiqen nga lista. Ndërsa shtetasit e ardhur apo që kanë mbushur moshën 18 vjeç, duhet të përfshihen në listë. Po kështu duhet të saktësohet dhe qendra e votimit për shtetasit që e kanë të përcaktuar gabim. Kriteri parësor që do të ndiqet për përcaktimin e një qendre votimi do të jetë që zgjedhësi të vendoset në atë qendër brenda së cilës ndodhet adresa e tij e banimit. Në rast se pjesëtarët e tjerë të familjes kanë një qendër votimi të vlefshme, e njëjta qendër i vendoset dhe zgjedhësit të ri. Procesi i përcaktimit të qendrave të votimit dhe i përditësimit të listave të zgjedhësve duhet të përfundojë brenda datës 24 shkurt 2009. Ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile reflekton të gjitha ndryshimet e kryera në përbërësit zgjedhorë të zgjedhësve në Regjistrin Kombëtar të Shtetasve brenda datës 27 shkurt 2009.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›