E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në PAD. Gjashtë anëtarë largohen për shkak të aleancës së Cekës me Berishën



Gjashtë anëtarë të Asamblesë drejtuese të Aleancës Demokratike janë larguar nga kjo parti vetëm dy ditë pas zyrtarizimin të aleancës së re të Neritan Cekës me Partinë Demokratike. Bashkëpunimi i Cekës me Berishën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare është kundërshtuar nga anëtarësia e PAD-së, e cila e akuzon Cekën për shkelje të statutit të partisë dhe për anashkalim të strukturave. Xhevahir Ahmetliu, Zydi Kroi, Aziz Babaci, Xhemal Dauti, Zoi Kote e Lulzim Lumi akuzuan dje, nëpërmjet një deklarate për shtyp, kreun e PAD-së, Neritan Ceka si shkelës të statutit të kësaj partie. “Dënojmë veprimet e Cekës për vendimin që mori duke u rreshtuar në koalicion me PD-në pa marrë mendimin e organeve drejtuese të partisë. Në planin politik është e drejta e gjithkujt që të marrë pozicionet që dëshiron vetë partia, në planin organizativ minimalisht përpara preferencave vetjake duhet të merren mendimet e organeve drejtuese të partisë. Një vendim i tillë është marrë duke anashkaluar strukturat e partisë”, - thuhet në deklaratën e nënshkruar nga 6 anëtarët e mësipërm. Si rrjedhojë, anëtarët tashmë të larguar gjykojnë se “presidenti i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka, ka parë interesat vetjake dhe jo të partisë që drejton”. Anëtarët zbulojnë se qëndrimi i ardhshëm politik do të jetë pranë atyre forcave politike të majta që do të mbrojnë interesat e popullit, Kushtetuës dhe Drejtësisë. PAD-ja aktualisht në Parlament ka vetëm një deputet, Neritan Cekën, i cili u zgjodh në postin e nënkryetarit të Kuvendit me votat e PD-së. Ceka zyrtarizoi para dy ditësh koalicionin e PAD-së me PD-në, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›