Ushtarët dhe luanët do të ruajnë Aleksandrin e Madh në Shkup
Për rreth skulpturës gjigante të Aleksandrit të Madh të premten janë vendosur luanët antik dhe tetë luftëtarët prej bronzi, të cilët do ti shërbejnë atij si roje.
Katër luanët janë vendosur në drejtim të shatërvanit dhe nga goja e tyre do të rrjedh ujë, ndërsa katër luanët tjerë do të luajnë rolin e rojtarëve dhe janë vendosur tek shkallët rreth përmendores.
Ushtarët janë të lartë nga 3 metra, ndërsa luanët nga 2,5 metra. Përveç tyre po vendosen edhe reliefët e pjesës më të poshtme të përmendores së Lekës.
Projekti Ushtari mbi kalë është paraparë të jetë gati deri më tetë shtator, ditën e pavarësisë së Maqedonisë.
Përmendorja Ushtari mbi kalë është sjellë në sheshin Maqedonia kohë më parë nga Firence. Pjesët e nevojshme janë përpunuar në fonderinë italiane Fernando Marieneli.
Studioja në të cilën është përpunuar përmendorja e Lekës së Madh është themeluar në vitin 1905 dhe në të janë përpunuar skulptura të njohura, si Muzeu i Vatikanit, portat e Katedrales të kishës Shën Pavle gjithashtu në Vatikan, skulpturat në pallatin Kremlin në Moskë etj. Autore e veprës është skulptorja Valentina Stevanoska. (INA)