SHBA: Marrëveshja hap rrugën për vijimin e dialogut
Zëvendësndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Thomas Countryman, ka mirëpritur në emër të Shteteve të Bashkuara arritjen e pajtueshmërisë për qetësimin e situatës në veri të Kosovës, duke thënë se me të hapet rruga për vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimin Evropian midis Kosovës dhe Serbisë.
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, Countryman ka thënë se Shtetet e Bashkuara e mirëpresin arritjen e pajtueshmërisë nga KFOR-i me të dyja qeveritë, atë të Kosovës dhe të Serbisë. “E vlerësojmë faktin se Beogradi dhe Prishtina kanë ushtruar durim dhe gatishmëri për të qetësuar situatën, derisa zhvilloheshin diskutimet për këtë pajtueshmëri. Duam ta falënderojmë KFOR-in, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në dy javët e fundit, në përmbushjen e mandatit të tij, për të ruajtur një ambient të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Duam ta falënderojmë gjithashtu Bashkimin Evropian për kontributin e tij të rëndësishëm rreth kësaj pajtueshmërie dhe në qetësimin e situatës”.
Countryman ka theksuar se kjo arritje e pajtimit mundëson disa gjëra - qetëson situatën mes palëve, që është thelbësore për ruajtjen e ambientit të qetë dhe të sigurt në Kosovë; i lejon jo vetëm KFOR-it, por edhe të gjithë njerëzve në Kosovë lirinë e qarkullimit, që është parim thelbësisht i rëndësishëm, si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për Bashkimin Evropian, dhe është në pajtim me nevojën për të vendosur sundimin e ligjit në mbarë Kosovën. ”Ky pajtim që është arritur, stabilizon situatën, por, ç’është më e rëndësishmja, hap rrugën për një diskutim shumë të rëndësishëm, që është vazhdimi i dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian midis Kosovës dhe Serbisë. Do të donim të shihnim dhe besojmë se do të mund ta arrijmë një situatë, në të cilën nuk do të ketë reciprocitet negativ midis dy shteteve, por një reciprocitet pozitiv, ku mund të shohim jo vetëm qarkullim të lirë të njerëzve, por edhe qarkullim të lirë të tregtisë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Ai ka nënvizuar bindjen e SHBA-së në menaxhimin e Bashkimit Evropian të atij dialogu dhe u bëj thirrje të dyja palëve, Beogradit dhe Prishtinës, të marrin pjesë me durimin e njejtë dhe qasjen konstruktive, të dëshmuar në ditët e fundit.
Më tutje Countryman ka shprehur besimin se çështjet praktike, të cilat janë në favor të të gjithë qytetarëve të Kosovës, qofshin ata serbë apo shqiptarë, kudo ku jetojnë, në veri apo jug, duhet të jenë në tavolinën e dialogut. ”Është e pashmangshme, çështjet që ndërlidhen me veriun duhet të diskutohen dhe është në interes të të dyja palëve të punojnë në një mënyrë praktike, për t'i zgjidhur këto çështje të jetës së përditshme të të gjithë qytetarëve të Kosovës, e gjithashtu është në dobi edhe të qytetarëve të Serbisë”.
Zyrtari i lartë amerikan ka theksuar se Beogradi e ka bërë të qartë se favorizon ndarjen si zgjidhje. Por ka përsëritur se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara, ndërsa beson se ky është qëndrimi edhe i Bashkimit Evropian dhe shteteve kyçe në BE, është se ndarja nuk është e mundshme, nuk është e dëshirueshme dhe nuk është temë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. “Të gjitha palët kanë qenë të qarta mbi qëndrimet e tyre respektive dhe nuk kam dyshim se Beogradi e kupton qëndrimin e Shteteve të Bashkuara”.