E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarët zviceranë, të dehur, të lazdruar

Ushtarët zviceranë, të cilët veprojnë në kuadër të KFOR-it, akuzohen se kanë vizituar bordele. Sipas një hulumtimi të gazetës zvicerane “Weltwoche“, ushtarët po ashtu kanë organizuar festa të ndryshme, ku të gjithë janë dehur. Sipas kësaj të përditshmeje zvicerane, këta ushtarë kanë qenë pjesë e shumë rrahjeve që kanë ndodhur nëpër klube të ndryshme të Kosovës.

Kjo gazetë shkruan se ushtarëve, tash e dy vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mungon ndonjë aktivitet serioz. Akuzat e gazetës drejtohen në kontingjentin 21 të ushtrisë zvicerane. Derisa ish-ushtarët që kanë shërbyer në Kosovë i kanë quajtur këto akuza si të pabaza.“Weltwoche“ sjell fakte se si një ushtar është rrahur me truprojën e një bordeli në Borovec të Bullgarisë. Kjo kishte ndodhur në kohën kur ushtarët zviceranë ishin në një udhëtim argëtimi jashtë Kosove.

Sipas udhëheqësve të KFOR-it në Kosovë, çdo ushtar merr vetë përgjegjësinë për sjelljet e tij, gjatë kohës së lirë. Ndërkohë, Departamenti për Mbrojtje, Mbrojte Popullore dhe Sport (VBS) ka udhëzuar udhëheqësit e ushtrisë zvicerane që të përpilojnë deri në fund të muajit një raport të detajuar. Kështu, shefi i këtij departamenti dëshiron të ketë një pamje të detajuar të akuzave të gazetës.

”Unë dhe shumica e kolegëve e kemi dashur këtë punë dhe e kemi bërë në mënyrën më të mirë”, ka thënë një ushtar për ueb -portalin “20 Minuten”. Sipas tij, është normale që ushtarët kur janë në rroba civile, mund të shkojnë edhe në bordel. Sipas tij, fajet i ka komandanti. ”Hannes Göldi është nënoficer“, shton ai. Sipas këtij ushtari, komandanti nuk ishte shumë i rreptë, megjithatë ka gëzuar gjithmonë mbështetjen e krerëve të ushtrisë.

Një pjesë e ushtarëve kanë pranuar akuzat e gazetës. Sipas tyre, në ushtri janë gjë normale alkooli, bordelet dhe rrahjet. Ndërsa një roje e ushtrisë ka kritikuar kontingjentin e 21-të zviceran në Kosovë. ”Kanë shumë kohë, shumë para, birrat gati janë falas…pjesën tjetër mund ta imagjinoni vetë”, thotë ai. Edhe ky ushtar fajëson komandantin Hannes Göldi për shfrenimin e ushtarëve të KFOR-it zviceran në Kosovë. “Ishte një problem; ishte i paaftë dhe një oficer i pasigurt në vete”, thekson ky ushtar. Ndërsa, Pascal M. tani shërben si ushtar në Kosovë dhe është pjesë e kontingjentit të 22-të të ushtrisë zvicerane që tani gjendet në Kosovë. Sipas tij, imazhet e ushtrisë që paraqiten në artikullin e gazetës “Weltwoche“, nuk janë të vërteta.

“Të gjithë këtu kryejnë punët e tyre, në mënyrë që ta kryejnë misionin e tyre këtu”, thekson ai. Sipas tij, askush nuk udhëton 200 kilometra larg për të vizituar një bordel. Ndërkohë, javë më parë, ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Karl-Theodor zu Guttenberg kishte thënë se misioni i KFOR-it në Kosovë është sukses me të cilin mund të krenohet bashkësia ndërkombëtare. Ndërkohë, edhe kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi vlerëson lart ushtarët zviceranë. Sipas tij, ata përveç që kanë ruajtur sigurinë, kanë realizuar shumë projekte infrastrukturore.

“Ushtria zvicerane ka ndërtuar shkolla dhe çerdhe, kanë riparuar shumë ura”, ka shtuar ai. Kuçi ka thënë se Suharekës i duhet edhe më tutje ndihma e KFOR-it. Duket se tani është koha për tërheqjen e KFOR-it nga Kosova. Spanjollët tashmë kanë shkuar, edhe kontingjenti i Belgjikës, derisa Franca është duke menduar për të reduktuar trupat. Ndërsa, gjermanet para pak ditësh kanë vendosur që t’i reduktojnë trupat e tyre në Kosovë. Por, duhet pritur deri në vjeshtë, deri në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Askush nuk llogarit që gjendja e sigurisë mund të eskalojë. Prezenca e KFOR-it frikëson të gjithë ekstremistët. Derisa KFOR-i është duke rekrutuar FSK-në, në një ushtri, epitet të cilin pritet ta marrë në fund të këtij viti. (Weltwoche, 20 Minuten Online, sda)

Fakte

Zvicra nuk është pjesë e NATO-s, por ajo kontribuon në Kosovë me 206 ushtarë, të cilët janë të vendosur nën komandën e trupave gjermane të KFOR-it, me seli në Prizren. Zvicra, Austria, Finlanda, Irlanda, Maroku, Suedia dhe Ukraina, janë shtete të cilat kontribuojnë në KFOR me 18 për qind të numrit të përgjithshëm të këtyre forcave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›