Ushtria dislokohet në Dajt, Gjunkshi: Situata është kritike

Rreth 700 forca shtesë të ushtrisë janë dislokuar sot në mëngjes herët në Malin e Dajtit dhe në Qafë Priskë pas rëndimit të situatës së zjarreve. Forcat e reja u kanë ardhur në ndihmë 164 ushtarëve, 7 mjete dhe një autoambulancë, të cilat po vazhdojnë angazhimin e tyre maksimal në këtë operacion prej ditësh.
Operacioni për shuarjen e zjarrit në Dajt drejtohet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi ndërsa në operacion merr pjesë dhe Gjenerali Sandër Lleshi. Në një prononcim për mediat, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Xhemal Gjunkshi theksoi se situata nga zjarret në Malin e Dajtit është kritike.
“Pas kërkesës nga emergjenca civile Forcat e armatosura u angazhuan për shuarjen e zjarreve. Konktretisht po punojnë 800 forca, 45 mjete transporti, 16 autoambulanca dhe 4 helikopterë ndërsa nga Biza do të nisen edhe 300 trupa të tjerë. Janë në gadishëri dhe presin 2684 trupa, 152 mjete tranporti , 16 autoambulanca, 6 zjarrfikese dhe 4 helikopterë” theksoi shefi I FA-së Gjunkshi.
Ndërkohë për shuarjen e zjarreve janë ngritur ekipe pune në bashkëpunim dhe me punonjësit e shërbimit pyjor ndërsa gjithashtu ushtria ka vënë në dispozicion edhe një helicopter dhe disa mjete të tjera transporti.
Flakët e zjarrit kanë përfshirë prej ditësh malin e Dajtit, në Priskë edhe pavarësisht përfshirjes në operacionin e shuarjes së flakëve u angazhua edhe helikopteri turk, vatrat e zjarrit nuk u vunë nën kontroll, por u përhapën më shumë.
Një ditë më parë, si pasojë e rëndimit të situatës së krijuar nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe të gjitha strukturat e Armatosura kanë kaluar në gatishmëritë të plotë, duke vënë në gatishmëri të gjitha forcat dhe mjetet për të përballuar këtë situatë shumë të rënduar.