E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria egjiptiane vret 20 militantë

Zyrtarët ushtarakë të Egjiptit kanë bërë të ditur se helikopterët e ushtrisë kanë gjuajtur me raketa militantët e dyshuar islamikë në Sinai, pas sulmeve në tri pikat e kontrollit të sigurisë, duke vrarë së paku 20 militantë.

Kjo është hera e parë që ushtria e Egjiptit sulmon zonën që nga lufta e vitit 1973 me Izraelin, për të rimarrë Gadishullin Sinai.

Sulmet me raketa kanë ndodhur disa orë pas sulmeve të militantëve pranë qytetit Al-Arish, rreth 50 kilometra nga kufiri Gaza-Izrael.

Zyrtarët thonë se një oficer ushtarak, dy ushtarë, dy policë dhe një civil janë lënduar nga militantët.

Mediat shtetërore kanë raportuar për vrasjen e 20 personave nga sulmet ajrore.

Presidenti i Egjiptit, Muhamed Morsi, është zotuar se do të rikthejë nën kontroll të plotë Sinain, duke thënë se militantët "do ta paguajnë shtrenjtë" për sulmin kundër ushtrisë, si pasojë e të cilit u vranë 16 ushtarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›