E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria ndërhyn për ruajtjen e rendit në Kil

Qindra mijëra kilianë janë ende pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm, tri ditë pas tërmetit të fortë që goditi vendin ditën e shtunë dhe ku humbën jetën mbi 700 vetë.

Në qytetin e dytë më të goditur të vendit, Konsepsion të mbijetuarit e tërmetit të shkallës 8.8 sipas asaj Rihter, kanë plaçkitur dyqanet në kërkim të ushqimit dhe ushtria është udhëzuar të vendosë kontrollin.

Një tjetër ditë e dëshpëruar për mijëra njerëz në qytetet pranë epiqendrës së tërmetit.
Në Konsepsion, njerëzit luftuan me njëri-tjetrin për ushqim dhe u vunë zjarrin dyqaneve, duke ngritur një re të zezë tymi mbi qytetin e shkatërruar.

Për të dytën natë radhazi, ushtria ka qenë në rrugët e qytetit dhe ndalim-qarkullimi është ende në fuqi.

Mes qyteteve Konsepsion dhe Santiago është vendosur një urë lidhëse ajrore, përmes së cilës janë dërguar në zonat e prekura 300 ton ndihma ndër ato edhe 120 ton ushqime.
Ndihma ndërkombëtare ka mbërritur gjithashtu.

Argjentina fqinje po dërgon një spital fushor dhe ka premtuar gjysmë milion litra ujë pijshëm.

Edhe sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton do të jetë në Kili në orët në vazhdim për të parë se si mundet Uashingtoni të ndihmojë vendin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›