Ushtria po punon për kompani private/ Gjeneralët akuzojnë Imamin: Ke politizuar Forcat e Armatosura

Abaz Lleshi
Tre gjeneralët e shkarkuar në mënyrë të beftë nga presidenti Bujar Nishani, dolën në një konferencë për shtyp, ku theksuar se shkarkimi i tyre ishte i paligjshëm.
Gjeneralët Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi thanë se shkarkimi i tyre u bë në mënyrë të fshehtë dhe nuk është mbështetur në ligjin për gradat.
Dekretet e Presidentit për lirimin nga detyra kanë mospërputhje ligjore dhe janë dërguar në rrugë postare. Presidenti ka injoruar ligjin pasi dekretet e tij janë publikuar me vonesë. Heshtja nuk i shërben askujt, ata që kanë bërë këtë të japin një shpjegim. I bëjmë thirrje presidentit të na citojë nenin ku është mbështetur për shkarkimin tonë, janë shprehur tre gjeneralët.
Të tre gjeneralët kanë deklaruar se do të bëjnë publike prova që tregojnë keqpërdorimin e ushtrisë nga ana e ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami.
Abaz Lleshi i kërkoi presidentit që të tregojë se ku është mbështetur për të bërë shkarkimin e tyre.
Ai ka hedhur dyshime për përdorim të Forcave të Armatosura për të kryer punë që nuk u përkasin.
Lleshi ka folur edhe për gazetën Shqip, e cila thekson se ushtria po përdoret nga kompanitë private në Shqipëri.
Lleshi thotë për Shqip se do bëjë publike faktet shumë shpejt, ndërsa shton se ushtria është përdorur politikisht.
Me keqardhje mund të them, që me këtë dekret, nga Presidenti nuk janë parë vlerat e mia si gjeneral, por është marrë vetëm fakti që unë nuk jam i politizuar. Më vjen keq, sinqerisht, për Forcat e Armatosura se ku po shkojnë me veprime të tilla! Kur këto bëhen me gjeneralët, çmund të mendojnë të tjerët?! Pra, mund të them në përfundim se një ushtri e politizuar nuk mundet që të jetë një ushtri e NATO-s. Nuk duhet të ketë politikë në ushtri, tha Lleshi.
Ndërsa Spirollari hedh dyshime për përdorimin e ushtrisë për fushatën zgjedhore./ep