E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtria siriane hap zjarr kundër dezertorëve

Lokaliteti Rastan në provincën Homs është kthyer sërish nën kontrollin e forcave të sigurisë, bëri të ditur agjencia shtetërore e lajmeve Sana, e cituar nga DW-ja të dielën. Kundërshtarë të regjimit të presidentit Bashar al Assad folën të shtunën për një "masakër" në Rastan. Në këtë vend qe mbledhur një pjesë e madhe dezertorësh të ushtrisë. Në video, të cilat i publikuan në internet, dezertorët thonë se kishin kundërshtuar urdhrat për të hapur zjarr kundër civilëve.

Me rreth 250 tanke dhe automjete të blinduara si dhe me mbështetjen e helikopterëve ushtarakë, trupat siriane e sulmuan të shtunën Rastanin, sipas opozitarëve. Ky qytet konsiderohej si kështjellë e rezistencës kundër regjimit të Assad-it. "Qyteti u shkatërrua thuajse tërësisht nga zjarri i armëve", bënë të ditur kundërshtarë të presidentit që prej Libanit fqinj.

Regjimi kërkon dezertorët

Televizioni shtetëror sirian bëri të ditur të shtunën se "ushtarët po kërkojnë tani në qytet banda të armatosura dhe terroristë, për t'i arrestuar". Sipas paraqitjes së opozitës, në Rastan qenë fshehur rreth 2000 dezertorë. Se sa prej tyre i vranë, kjo të dielën (02.10.2011) nuk ishte e qartë. Që prej shpërthimit të protestave kundër regjimit sirian në mars, sipas Kombeve të Bashkuara janë vrarë 2700 vetë.

Lëvizja siriane e protestës po mbështetet aktualisht gjithnjë e më shumë tek ushtarët e pabindur. Këta duhet t'i forcojnë operacionet e tyre për të pakësuar presionin e forcave të sigurisë ndaj demonstruesve, thuhet në një deklaratë të opozitarëve. Një përfaqësues i opozitës siriane në Stamboll i tha agjencisë së lajmeve dpa se numri i dezertorëve ndërkohë është rritur në disa mijëra. Të premten, sipas të dhënave të aktivistëve në Homs u vra një toger dezertor, sepse nuk kishte pranuar të vriste demonstruesit./Start/

                                                                                             2011-10-02 17:57
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›