Ushtria turke vret 11 pjesëtarë të PKK-së
Në operacionin dyditor të ushtrisë turke në krahinën jugore Tunceli, janë vrarë 11 guerilë të Partisë së Punës së Kurdistanit, ka njoftuar guvernatori i kësaj zone. Në këtë operacion ushtarak kanë marrë pjesë rreth 3.000 ushtarë ndërsa helikopterët turq kanë bombarduar bazat e PKK-së në rajonet e Tuncelisë, ka bërë të ditur agjencia e lajmeve Reuters. Autoritetet në Ankara kanë akuzuar PKK-në, partinë të cilën SHBA-të, Bashkimi Europian dhe Turqia e konsiderojnë organizatë terroriste, për vdekjen e 40000 njerëzve, të vrarë prej vitit 1984, kur grupimi ka filluar luftën për pavarësi në rajonin e juglindjes së Turqisë.
Kina zbulon terroristët që planifikonin sulme në Pekin
Kina ka njoftuar se ka zbuluar dy grupe terroriste nga Turkestani lindor, të cilat po planifikonin të sulmonin sportistët dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Lojërat Olimpike në Pekin.
Është pohuar se janë arrestuar 45 të dyshuar dhe se janë sekuestruar eksploziv e armë zjarri. Zëdhënësi i Ministrisë për Siguri Publike Wu Heping, ka deklaruar se ekstremistët, të cilët luftojnë për pavarësi të Turkestanit lindor në krahinën veriperëndimore Xinjiang, kanë planifikuar sulme në hotelet e Pekinit dhe Shangait, në ndërtesat qeveritare dhe kazerma ushtarake. Ata ishin porositur të kryenin operacione në të cilat do të përdornin mish të helmuar, gaz helmues, si dhe shpërthime me aktivizim në largësi, ka thënë Wu.
11 Prill 2008