E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Enverit, ja si u pasqyrua ngjarja nga “The New York Times”

Gazeta përgatit specialen për ndarjen nga jeta të Hoxhës më 12 prill. Karriera e diktatorit që nga fillimet deri në ditët e fundit të jetës

Wolfgang Saxon

Enver Hoxha, udhëheqësi shqiptar që vdiq dje në Tiranë, e mbajti vendin e tij malor të izoluar në mënyrë të egër për katër dekada me radhë. Shqipëria, gjatë gjithë historisë, u viktimizua që në kohërat e grekëve dhe romakëve, por ruajti pavarësinë e saj në mënyrë sfiduese nën udhëheqjen staliniste. Politikat e saj e larguan Shqipërinë nga miqtë e saj të paktë që kishte përreth si dhe e degraduan qeverisjen e tij me një seri protektoratesh dhe përfituesish të huaj të fuqishëm. Zoti Hoxha mori nën zotërim pushtetet absolute në vend, duke filluar që nga detyra e Sekretarit të Parë të Partisë së Punës (Komuniste) të Shqipërisë dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. “Le ta kuptojë çdokush në mënyrë të qartë se muret e kështjellës tonë janë shkëmb graniti i pathyeshëm”, - thotë ai në një prej shumë volumeve me kujtimeve, që ka shkruar gjatë viteve, disa prej të cilave përmbajnë kujtimet me Stalinin. Tashmë janë publikuar më shumë se 40 volume të fjalimeve dhe kujtimeve të Enver Hoxhës.
Fragmente domethënëse
Librat e tij përmbajnë fragmente domethënëse. Në vitin 1982, pasi po denonconte “imperialistët dhe lakenjtë e tyre, tha se “ne kemi izoluar veten tonë nga ‘bota e qytetëruar’”, dhe më pas ai shtoi këtë fjali domethënëse: “Të dyja, historia e hidhur e vendit tonë në të kaluarën dhe realiteti i ‘botës’ që ata reklamojnë, na kanë mbushur bindur se kjo nuk vjen nga moskuptimet e një ‘bote të civilizuar’, por të një bote në të cilën më i madhi dhe më i forti e shtypin dhe e rrjepin më të voglin dhe më të dobëtin; në të cilën paraja dhe korrupsioni bëjnë ligjin dhe padrejtësia, pabesia dhe prapaskena triumfojnë".
Shqipëria ishte një nga vendet e para komuniste që denoncoi revizionizmin jugosllav të Josif Broz Titos, duke u rreshtuar me Stalinin në vitin 1948. Pastaj, zoti Hoxha ndërpreu lidhjet e tij me Bashkimin Sovjetik pikërisht në kulmin e fushatës kundër çmitizimit të Stalinit nga Nikita Hrushov në vitin 1961, në kohën e përçarjes kinezo-sovjetike. Zoti Hoxha nisi të besojë te Kina për mbështetje materiale. Siç thotë një proverb në Ballkanin e vjetër, “armiku i armikut tim është miku im”, zoti Hoxha bëhet një zë, megjithëse gjithnjë e më shumë i pandjeshëm, një mbështetës i Mao Ce Dunit kur ai e pa veten të izoluar nga blloku sovjetik.
Ftohja në lidhjet me Kinën
Por sërish zoti Hoxha mbetet i zhgënjyer. Shkrirja e akujve në marrëdhëniet kinezo-amerikane solli ftohjen e miqësisë së Shqipërisë me Kinën dhe shndërrimin e tyre në një çarje të madhe që në vitin 1982, pikërisht atëherë kur u ndërprenë plotësisht marrëdhëniet mes dy vendeve.
Më vonë, Shqipëria, përmes qeverisë “Hoxha”, tentoi të vendosë kontakte me Greqinë dhe Turqinë, duke përpunuar minoritetet etnike, veçanërisht atë grek, për të arritur qëllimet e saja. Në fakt, Vietnami mbeti i vetmi vend me të cilin Shqipëria kishte një marrëdhënie të ngushtë, megjithëse nuk ishte dobiprurëse.
Së brendshmi, synimi i zotit Hoxha ishte të modernizojë dhe industrializojë një nga vendet që mbeti përgjithësisht më i prapambeturi në Europë. Megjithëse udhëtarët e kanë përshkruar Shqipërinë e sotme më të zhvilluar, por vitet e fundit Tirana ka mbetur me rrugët e kalldrëmta të saja dhe trafikun e rralluar, pothuajse si të ishte një zonë e shekullit të 19.
Përgjatë viteve qeveria “Hoxha” kishte dhënë fonde për zhdukjen e analfabetizmit. Gjithashtu, besimi ishte i ndaluar, ligjërisht nga diktati i zotit Hoxha duke e bërë kështu Shqipërinë "shtetin e parë ateist në të gjithë botën, i cili ka për besim të saj "shqiptarizimin". E drejta e ushtrimit publik të besimit ishte e ndaluar. Problemet për grekët etnikë Minoritetet etnike brenda popullsisë së Shqipërisë, e cila llogaritet rreth 3 milionë banorë, ishin stisur vetëm në një zonë të banuar nga grekë etnikë, të cilët, për shembull, ishin detyruar të ndryshonin shqiptimin e emrave grekë. Sipas vizitorëve, vetëm së fundi, disa mësues të greqishtes ishin lejuar të jepnin mësime nëpër shkolla, në kuadër të lëvizjes së Shqipërisë në drejtim të një politike më të hapur ndaj Greqisë.
Përtej gjithë këtyre, zoti Hoxha mbajti kontrollin e tij në drejtimin e asgjësimit të komplotistëve, duke udhëhequr spastrimet e përgjakshme dhe burgosjet masive të të gjithë atyre që kundërshtonin ose që nuk e ndiqnin në linjën e tij të ndryshimeve zyrtare.
Shumë shpejt, pas njoftimit se në vitin 1981 Mehmet Shehu, kryeministri më jetëgjatë i vendit, ka kryer vetëvrasje, atje kishte informacione të pakonfirmuara se ai në fakt ishte vrarë. Por, zoti Hoxha, përmes një libri të publikuar në vitin 1982, theksoi se zoti Shehu kishte vrarë veten. Versioni për vrasje ishte konstatuar nga analistë perëndimorë që i kushtuan vëmendje një fjalie të një artikull që u publikua në shkurt në gazetën ditore partiake shqiptare, “Zëri i Popullit”. Në një përkthim të shpërndarë nga misioni shqiptar në Kombet e Bashkuara, zoti Shehu ishte cilësuar “një agjent sekret i amerikanëve, sovjetikëve dhe jugosllavëve”, që ishte likuiduar sepse ai atakoi unitetin e pathyeshëm të partisë me popullin.
Dyshimet rreth versionit të vrasjes
Anëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikanë në Nju-Jork debatuan se përkthimi ishte keqkuptuar dhe se përkthimi i fjalëpërfjalshëm në shqip “ishte likuiduar” ishte përdorur në kuptimin figurativ, i cili nuk ka kuptimin se zoti Shehu kishte qenë ekzekutuar. Ata theksojnë se artikulli thotë gjithashtu: “Historia rreth çështjes së Mehmet Shehut ishte përshkruar gjerë e gjatë në të gjitha aspektet e tij në një libër të publikuar tashmë nga shoku Hoxha”.
Veç kësaj, duke u përqendruar në sigurinë e brendshme, qeveria “Hoxha” në vitet e fundit kishte ndërmarrë hapa për hapjen e lidhjeve me fqinjët e saj; Greqinë dhe Jugosllavinë, megjithëse marrëdhëniet me ato ishin ende të ftohta.
Dhe nga vitet e fundit kishte të dhëna të tjera se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më pak e izoluar dhe po shikonte për lidhje të reja me shtete të tjera. Në marsin e vitit 1984 ishte firmosur një pakt për zgjerimin më të madh tregtar me Italinë, i cili, gjithashtu, përfshin marrëveshjen për zgjerimin e lidhjeve kulturore.
Djali i një tregtari prodhimesh islame
Enver Hoxha ka lindur më 16 tetor 1908 në Gjirokastër, një qytet tregtar në Jug të Shqipërisë. Babai i tij ishte një shitës veshjesh islame. Ai mbaroi shkollën e mesme franceze në Korçë dhe në moshën 22-vjeçare shkoi në Francë që të studiojë në Universitetin e Monpeljesë. Kur ishte në Francë ai shkroi për gazetën komuniste "L'Humanite". Në vitin 1934 ai emërohet sekretar në Konsullatën Shqiptare në Bruksel, ku ai përfundoi një kurs për drejtësinë, ndërsa vazhdoi të shkruante për të përditshmen franceze. Që kur artikujt e tij u bënë kritikë për qeverinë e Shqipërisë, - në atë kohë monarki, e drejtuar nga mbreti Zog, - funksioni i tij si konsull ndërpritet pas dy vitesh. Por, ai rikthehet në vendlindje dhe pranoi një punë si mësues i frëngjishtes në shkollën ku kishte mbaruar arsimin e mesëm në Korçë. Sulmet e vazhdueshme të tij ndaj qeverisë rezultuan me burgosjen për një periudhë të shkurtër në fillimin e vitit 1939.
Roli i fshehtë gjatë pushtimit italian
Ushtria italiane e Musolinit aneksoi Shqipërinë pak më vonë, pikërisht në atë vit, duke e përzënë jashtë vendit mbretin Zog dhe duke e kthyer vendin nën Mbretërinë Italiane. Një qeveri shqiptare marionetë iu bashkua Boshtit në Luftën e Dytë Botërore dhe u shpalli luftë Aleatëve në vitin 1940.
Zoti Hoxha, i cili vazhdonte aktivitetin e tij të fshehtë, bëhet themelues dhe udhëheqës i Partisë Komuniste Shqiptare në vitin 1941. Gjithashtu ai ishte drejtues i gazetës “Zëri i popullit”, organi i Partisë Komuniste. Ai për herë të parë punoi në një dyqan cigaresh në Tiranë, i cili shërbeu si një strehë për aktivitetet e tij komuniste. Italianët nuk arritën kurrë ta kapnin atë, por ai mori malet, kur mori mbështetje nga oficerët rusë që zbritën në Shqipëri me parashuta, ashtu siç erdhën edhe oficerët britanikë dhe amerikanë të ndërlidhjes.
Ish-mësuesi i frëngjishtes organizoi një forcë partizane prej 70 mijë njerëzish që luftuan kundër italianëve dhe më vonë kundër gjermanëve, të cilët patën mbështetjen e aleatëve të tyre për rreth një vit. Pas kapitullimit të Italisë nga Aleanca në Luftën e Dytë Botërore, forcat e saj u tërhoqën nga Shqipëria dhe partizanët komunistë shpallën një qeveri të përkohshme në tetorin e vitit 1944 me Enver Hoxhën, që në atë kohë mbante gradën e “Gjeneralit”; Ai u caktua si kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes. Qeveria e tij u deklarua se do të njihej nga aleatët perëndimorë, më vonë, në vitin 1945, me kushtin që të mbaheshin zgjedhje të lira.
Enveri, i vetëm në listën e kandidatëve
Kur nisën votimet, atje kishte vetëm një person në listën e kandidatëve, i mbështetur nga komunistët. Në janarin e vitit 1946 Shqipëria u shpall Republikë Popullore dhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania refuzuan njohjen e saj dhe e bllokuan Shqipërinë që t’i bashkëngjitej Kombeve të Bashkuara deri në vitin 1955.
Komunistët jugosllavë, që i kishin ndihmuar partizanët shqiptarë që nga fillimet, kishin një bashkim monetar dhe doganor me Shqipërinë e re. Por zoti Hoxha, i frikësuar nga supermacia e Beogradit, ndërpreu të gjitha lidhjet me jugosllavët pikërisht në kohën e prishjes mes Stalinit dhe Titos në vitin 1948. Gjithashtu ai ndryshoi emrin nga Parti Komuniste në Parti Pune dhe mori drejtimin e saj.
Në vitin 1954 zoti Hoxha dorëzon te Mehmet Shehu detyrën e kryeministrit, por mbetet i gjithëfuqishëm si kryetar partie, duke ndryshuar pozicionin e tij nga Sekretar i Përgjithshëm në Sekretar i Parë.
Pas ndërprerjes së marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961, zoti Hoxha triumfoi në një numër luftërash për pushtet dhe një tentativë për goditje të brendshme ushtarake në vitin 1974, ku ishte përfshirë ministri i tij i Mbrojtjes. Në këtë rast, ministri dhe disa oficerë të ushtrisë u ekzekutuan.
Vritet gjysma e Komitetit Qendror
Në fakt, rreth gjysma e 31 anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë së vitit 1948 ishin vrarë përgjatë viteve në vazhdim. Vështirësitë gjithnjë e më të mëdha ekonomike çuan në gjallërimin e grindjeve politike dhe qindra zyrtarë raportoheshin se po dënoheshin nëpër burgje për shkak të kundërshtimit të politikës së prishjes me Kinën, e cila kishte shërbyer si një nga mbështetëset kryesor në nevojën e tyre për zhvillimin ekonomik. Gjeneral Hoxha, një burrë i gjatë dhe i pashëm, ishte martuar me Nexhmije Hoxhën, një mësuese, të cilën e kishte takuar që në kohën e lëvizjes partizane. Ajo u bë anëtare e Komitetit Qendror dhe pas vitit 1969 punoi si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë.
Shkrimi është publikuar në “The New York Times” më 12 prill 1985
Titulli është redaksional. Titulli origjinal është: “Enver Hoxha. Mastermind of Albania’s isolation”
Përgatiti: Albert Gjoka
Në numrin e së shtunës do të lexoni: “The New York Times” 3 ditë pas vdekjes së Enverit: “Ramiz Alia në krye të shtetit”

Gazeta analizon zhvillimet në Shqipëri pak ditë pas vdekjes së diktatorit
Gazetari David Binder përcjell ceremonialin e varrimit të Enver Hoxhës
Skemat që po çojnë drejt pushtetit Ramiz Alinë dhe zhvillimet e pritshme

Për më shumë, na ndiqni në numrin pasardhës

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›