Agim Çeku merr drejtimin e Partisë Socialdemokrate në Kosovë
Ish-kryeministri Agim Çeku u zgjodh kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Gjatë një konference për gazetarë Çeku është shprehur se prioriteti i PSDK-së do të jetë ndërtimi i shtetit dhe zhvillimi i veçantë i shoqërisë kosovare si dhe integrimi në familjen europiane. Këshilli drejtues i Partisë Socialdemokrate ka vendosur unanimisht që Agim Çeku zgjidhej drejtues i kësaj partie. Duke folur për prioritetet e tij si kryetar i PSDK-së, Çeku u shpreh se solidariteti, toleranca, partneriteti dhe integrimi do të jenë objektivat e tij nën drejtimin e partisë. Ai tha se nuk do të kërkojë nga partitë politike që të bashkohen me PSDK-në, por nuk e ka mohuar mundësinë e bashkimit me partinë ORA, pasi e vlerëson se ka një program të afërt me PSDK-në. Sa i përket marrëveshjes së nënshkruar me PDK-në, Çeku u shpreh se PSDK-ja është parti parlamentare e jo qeveritare dhe se nuk do t'i shërbejë interesave të asnjë partie tjetër.
Kosovë, qeveria mbledhje në Mitrovicë. Së shpejti nën kontroll pikat kufitare me Serbinë
Mbledhja e radhës e qeverisë kosovare është zhvilluar gjatë ditës së djeshme në qytetin e Mitrovicës duke dëshmuar kështu se funksioni i institucioneve të Kosovës do të shtrihet në të gjithë vendin. Kryeministri Hashim Thaçi në fjalën e tij theksoi se do të marrë të gjitha masat për ruajtjen e tërësisë territoriale të shtetit të ri. Me këtë rast kryeministri u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës dhe sidomos atyre që jetojnë në pjesën veriore të saj për integrim me shoqërinë kosovare dhe të bëhen pjesë e institucioneve. Gjendja e sigurisë në Kosovë është konsideruar e qetë nga kreu i qeverisë kosovare por nga ana tjetër ai ka pranuar se Veriu i vendit ka ende probleme dhe pikat doganore në kufirin verior me Serbinë janë ende jashtë kontrollit të institucioneve kosovare pas djegies së tyre nga serbët lokalë gjatë një proteste kundër pavarësisë së Kosovës. Në këto dy pika kufitare tashmë janë vendosur forcat paqeruajtëse, të cilat nga ana e tyre nuk janë të detyruara të kontrollojnë mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë. Sipas udhëheqësve politikë kosovarë në këto dy pika kufitare po zhvillohet kontrabandë, e cila i ka shkaktuar buxhetit të shtetit të Kosovës një dëm mbi 40 milionë euro. Kryeministri Thaçi tha se në bashkëpunim me mekanizmat ndërkombëtare në Kosovë shumë shpejt në këto dy pika kufitare do të vendoset sërish Shërbimi Doganor i Kosovës.
11 Prill 2008