E Shtunë, 31 Tetor 2026

Titov: “Rusia angazhohet për ripërtëritjen e bisedimeve Prishtinë-Beograd”



Zëvendësshefi i diplomacisë ruse, Vladimir Titov, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme në Athinë se Rusia angazhohet që Beogradi e Prishtina të nisin bisedime të reja për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për çështjen e Kosovës. “Ne jemi kundër pavarësisë së Kosovës, sepse ajo përbën shkeljen e ligjeve dhe parimeve ndërkombëtare dhe të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”,-është shprehur Titov pas takimit që ka zhvilluar në Athinë me ministren greke të Punëve të Jashtme, Dora Bakojanis, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Itar-Tas. Diplomati rus ka thënë se Moska angazhohet për ripërtëritjen e bisedimeve në mënyrë që të gjendet një zgjedhje e pranueshme për të dyja palët. “Prej disa muajsh jemi duke propozuar një ‘hartë të rrugës’, që do të ngërthente synimet e Kosovës dhe të Serbisë për të hyrë në BE, në mënyrë që të arrihet një zgjedhje e qëndrueshme dhe afatgjate që do të forconte paqen dhe stabilitetin në Ballkan”, - ka thënë Titov. Sipas tij ende nuk është vonë që të ripërtërihen bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës, pasi pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur shumë shtete duke bërë të ditur se nuk do ta njohin kurrë atë. “Pesëdhjetë shtete kanë thënë se nuk do ta njohin kurrë Kosovën, ndërsa atë e kanë njohur vetëm 37 shtete. Kjo do të thonë se kemi të bëjmë me një çështje shumë të kundërshtueshme”, - është shprehur ai për të shtuar se bashkësia ndërkombëtare ka qasje të ndryshme ndaj këtij problemi mirëpo se, “shumica e shteteve angazhohen për respektimin e normave të së drejtës ndërkombëtare”.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›