Kabashi përfundon dëshminë, por do të akuzohet

Dëshmitari Shefqet Kabashi ka përfunduar dëshminë e tij në procesin e gjykues ndaj Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt, por ai tash do të ulet në karrigen e të akuzuarit.
Gjithashtu trupi gjykues në rastin Haradinaj dhe të tjerët ka marrë vendim që ta pranojë si provë materiale një pjesë të dëshmisë së Shefqet Kabashit nga procesi gjyqësor i Limaj dhe të tjerët, vetëm pjesa ku flitet për Jabllanicën, transkripti është kërkuar të konsiderohet si dëshmi.
Vendimin për marrjen e transkriptit si dëshmi e ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues Moloto, megjithëse dëshmitari Shefqet Kabashi dje kishte thënë se nuk është në gjendje të thotë se a e ka thënë të vërtetën në vitin 2005 në gjyqin Limaj apo jo.
I pyetur nga avokatët se a qëndron pikërisht kjo që ai e kishte thënë dje, Kabashi është përgjigjur me ‘po’ dhe më pas është liruar nga gjykatësi.
Mbrojtja ka kundërshtuar fuqishëm që transkripti të konsiderohet si dëshmi, pasi avokatët nuk kanë pasur mundësi t’i bëjnë kundërpërgjigje dëshmitarit për ato që ka thënë në vitin 2005.
Ndryshe atë kohë Kabashi kishte thënë se kishte parë Pal Krasniqin e Skënder Kuçin të jenë maltretuar në një qendër ndalimi, siç e kishte quajtur ai, në Jabllanicë.
Por, në gjyqin e tanishëm ka thënë që s’është në gjendje të vërtetojë ato që ka thënë atëherë dhe se në Jabllanicë nuk ka pasur asnjë qendër të ndalimit.
Pas Kabashit në seancë ka dëshmuar Zoran Stijoviq, ish-shef i sektorit analitik në Shërbimin sekret shtetëror serb.
Stijoviq ka shpjeguar metodat si kanë marrë informacione rreth aksioneve të UÇK-së qysh në vitin 1995.
Ndërkaq, ish-pjesëtari i UÇK-së, Shefqet Kabashi, do të paraqitet para gjykatës të premten, më 26 gusht, për akuzat që e rëndojnë atë, si “shpërfillje ndaj Tribunalit të Hagës”.