Utopitë individuale në Tiranë
Lala Rashiç, artistja nga Sarajeva, do të vijë në Tiranë përmes një ekspozite, e cila do të çelet më 7 maj në galerinë “Zeta” në Tiranë. E titulluar “Utopitë individuale”, ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 7 maj, është bazuar në një ngjarje të vërtetë, e cila ka ndodhur në qendrat e shëndetit mendor në qytetin e Mostarit gjatë vjeshtës së vitit 2007. Artistja mësoi mbi këtë vend, kur një organizatë italiane e fton për një trajnim. Lala Rashiç e kuptoji menjëherë potencialin dramatik të ngjarjeve dhe vendosi të shkruajë një skript për një dramë audio, ku një nga karakteret kryesore ishte një furrë qeramike. Ekspozita “Utopitë individuale” është një dokument arti, i cili kombinon fakte reale dhe të fabrikuara dhe ngre si problem aspektet absurde dhe tragjiko-komike të jetës së përditshme në Bosnjë-Hercegovinën e ditëve të sotme. Kjo punë flet për praninë e komunitetit ndërkombëtar në këtë shtet, karakteristikat e një qyteti të ndarë (qyteti i Mostarit) dhe fuqinë kufizuese të artit. Nëpërmjet titullit “Utopitë individuale”, artistja portretizon pritshmëritë e paarritura që shqetësojnë atë vetë, si edhe të gjithë protagonistët dhe krijuesit e ngjarjes, të cilët e ndihmuan për të treguar këtë histori. Në këtë ekspozitë janë të përfshira elemente të ndryshme të artit, të tilla si 2 video, vizatime, relieve prej balte, një libër artisti që përmban skriptin e një audio drame dhe një performancë live. Secili prej këtyre elementeve është degë që ushqen një ide. Deri tani, ekzibicioni shfaqet në kombinime të ndryshme të këtyre elementeve, ose si një performancë që përsëritet disa herë. Ekspozita vjen në Tiranë pas një paraqitje para publikut të Sarajevës, Zagrebit, Ljubljanës, Stambollit etj. Lala Rashiç është një artiste që ka lindur në Sarajevë. Ajo jeton dhe punon në Zagreb e Sarajevë. Ka shfaqur punët e saj që prej 1988-s. Në punën e saj, ajo përdor një shumëllojshmëri të formateve të artit: pikturën, skulpturën, instalime të videos. Që prej 2005-s ajo merret me tingullin dhe shkrimin e skripteve, në të cilat vetë performon në punët e saj video. Ekspozita “Utopitë individuale”, performanca, si dhe një trajnimi i titulluar “Shkolla e imagjinatës”, me artisten Lala Rashiç, janë pjesë e një projekti afatgjatë “Utopitë individuale në kohë – Mosvazhdimi i dialogut mes gjeneratave apo çfarë kemi të përbashkët?” - organizuar në bashkëpunim me disa qendra të ndryshme. Ekspozita organizohet në Tiranë nga TICA – Tirana Institute of Contemporary Art.
#