Uzina bërthamore Busher do hapet nën vëzhgimin ndërkombëtar

Uzina bërthamore në Busher të Iranit ka përfunduar së ndërtuari. Rusia, e cila i dha Iranit reaktorin bërthamor, po trajnon tani personelin e uzinës. Agjencia Ndërkombëtare Bërthamore, pjesëtare e së cilës është dhe Irani, thotë se është e angazhuar që të përçojë një kulturë të sigurisë bërthamore për të gjithë punonjësit e objekteve bërthamore. Duke iu referuar asaj çka ndodhi në uzinën bërthamore të Fukushimës në Japoni muajin e kaluar, e quajtura kultura e sigurisë bërthamore duket se po kthehet në çështje jete ose vdekje- shkruajnë mediat ndërkombëtare. Punonjësit në impiantin bërthamorë të Fukushimës, në veri të Tokios, pranë bregut të oqeanit Paqësor, janë përpjekur që të parandalojnë përhapjen e radioaktivitetit, që pasoi dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i muajit të kaluar. Përpjekjet e tyre pasqyrojnë trajnimin intensiv që ata dhe punonjësit e tjerë të objekteve të kësaj natyre në botë kanë marrë për raste emergjencash. Këtu përfshihet dhe personeli i impiantit bërthamor në Bushehr të Iranit. Industria e energjisë bërthamore nuk do të harrojë kurrë atë që ndodhi 25 vjet më parë në fabrikën e Chernobilit në Ukrainë. Një eksperiment me sistemin ftohës- i papërfshirë në programin e trajnimeve - çoi në shpërthimin e një reaktori dhe shkaktoi atë që njihet si fatkeqësia më e madhe bërthamore në botë. Kryesisht mbas Çernobilit, industria botërore e energjisë bërthamore u përqendrua në atë që u quajt “kultura e sigurisë bërthamore”. Një shtyllë e rëndësishme e kulturës së sigurisë është përgatitja e plotë e atyre që punojnë në impiantet e energjisë bërthamore. Njësia shtetërore e energjisë bërthamore të Rusisë, ROSATOM, e cila përfundoi fabrikën e Busher-it pas disa vitesh me vonëse, po përgatit tani dhe personelin iranian të saj. Ashtu si simulimi i fluturimeve, me të cilat përgatiten pilotët, operatorët e fabrikave bërthamore mund të mësojnë se si të përballojnë problemet dhe emergjencat e papritura pa kryer gabime të rënda që mund të shkaktojnë humbje jete dhe shkatërrim të ambientit. Agjencia ruse do të jetë vëzhguese edhe për të ardhmen në këtë fabrikë, siç ka vepruar edhe me vendet e tjera kliente të saj si Kina apo India.Agjencia Bërthamore e Iranit ka përsëritur vazhdimisht se si pjesëtare e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore, do të ndjekë protokollet e sigurisë e të veprimit të Kombeve të Bashkuara në fabrikën e Bushehrit.