V E N D I M PËR SHTYPJEN DHE SHPËRNDARJEN E DOKUMENTACIONIT TATIMOR
V E N D I M
PëR
SHTYPJEN DHE SHPëRNDARJEN E DOKUMENTACIONIT TATIMOR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutes dhe të pikës 2, të nenit 52, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shtypja e dokumentacionit tatimor realizohet nga “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sha, me kapital tërësisht shtetëror, në varësi të Ministrisë së Financave.
2. Shpërndarja e dokumentacionit tatimor bëhet nga administrata tatimore qendrore.
3. Prodhimi i dokumentacionit tatimor do të bëhet me porosi të drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
4. Dokumentacion tatimor, në kuptim të këtij vendimi, do të vlerësohen faturat tatimore me TVSH, faturat e thjeshta tatimore, dëftesat tatimore, faturat e shoqërimit dhe çdo dokument tjetër tatimor, miratuar, përkatësisht, nga ministri i Financave apo drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve për dokumentimin e veprimtarisë tregtare të tatimpaguesit.
5. “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë”, sha, duhet të garantojë prodhimin e dokumentacionit të kërkuar në kushtet, sasinë dhe cilësinë e kërkuar nga porositësi.
6. Formati, informacioni apo standardet e sigurisë së çdo dokumenti tatimor, që do të prodhohet, të miratohen, përkatësisht, nga ministri i Financave apo drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve.
7. Procedurat, afatet dhe çështjet e tjera, që lidhen me prodhimin e dokumentacionit tatimor, në zbatim të këtij vendimi, rregullohen me udhëzim të ministrit të Financave.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA25/11/2009