V E N D I M PËR CILËSINË E LËNDËS DJEGËSE DIEZEL, TË PRODHUAR NGA RAFINIMI I NAFTËS BRUTO, VENDASE
V E N D I M
PËR
CILËSINË E LËNDËS DJEGËSE DIEZEL, TË PRODHUAR NGA RAFINIMI I NAFTËS BRUTO, VENDASE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 10, të ligjit nr.8897, datë 16.5.2002, “Për mbrojtjen e ajrit nga ndotja”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Lënda djegëse diezel, e cila në nomenklaturën e mallrave përshkruhet në kodin 27101941, e që plotëson kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të, e prodhuar nga rafinimi i naftës bruto, të nxjerrë në vendburimet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, do të lejohet të tregtohet sipas kushteve të përcaktuara, si më poshtë vijon:
a) Nga data 1 janar 2010, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 350 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 % m/m.
b) Nga data 1 janar 2011, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 150 mg/kg dhe përmbajtja e hidrokarbureve policiklike aromatike nuk lejohet të kalojë vlerën 16 % m/m
c) Nga data 1 janar 2012, përmbajtja e squfurit në lëndën djegëse, për motorët, diezel, nuk lejohet të kalojë vlerën 10 mg/kg dhe duhet të plotësojë kërkesat e standardit shqiptar S SH EN 590 ose të standardeve të tjera, të barazvlefshme me të.
2. Nëse pas afateve të përcaktuara në shkronjat “a”, “b” e “c”, të pikës 1, të këtij vendimi, vërehet tregtimi i lëndës djegëse diezel, me cilësi, që nuk respekton kërkesat e këtij vendimi, lënda djegëse sekuestrohet dhe dërgohet në destinacionin e përcaktuar nga Inspektorati Qendror Teknik.
3. Ngarkohet Inspektorati Qendror Teknik për kontrollin e zbatimit të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA