V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1184, DATË 20.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REKRUTIMIT E TË EMËRIMIT, TË AFATEVE TË KALIMIT NGA NJË NIVEL MË I ULËT NË NJË NIVEL MË TË LARTË KARRIERE DH
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.1184, DATË 20.8.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE TË REKRUTIMIT E TË EMËRIMIT, TË AFATEVE TË KALIMIT NGA NJË NIVEL MË I ULËT NË NJË NIVEL MË TË LARTË KARRIERE DHE PËR MARRJEN E MASAVE DISIPLINORE PËR PUNONJËSIT E ADMINISTRATËS TATIMORE QENDRORE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të neneve 20, pikat 2 e 3, e 22, të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në vendimin nr.1184, datë 20.8.2008, të Këshillit të Ministrave, të bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
1. Në pikën 3 të bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “d” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“d) Kategoria C1 i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit të ulët drejtues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: përgjegjës sektori/zyre në drejtorinë rajonale, përgjegjës zyre në task force, inspektor I, inspektor i auditit të brendshëm, përgjegjës sektori në drejtoritë mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.”.
b) Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“dh) Kategoria C2 i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit ekzekutues. Në këtë kategori përfshihen funksionet: inspektor II dhe specialist i nivelit të parë dhe të dytë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe drejtoritë rajonale.”.
c) Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon:
e) Kategoria C3 i përgjigjet klasifikimit: nëpunës civil i nivelit ekzekutues. Në këtë kategori përfshihet funksioni: specialist i nivelit të ulët.”.
ç) Shkronja “ë” ndryshohet, si më poshtë vijon:
ë) Kategoria D1 përfshin personelin ndihmës: si nëninspektor dhe sekretar.”.
d) Shkronja “f” ndryshohet, si më poshtë vijon:
“f) Kategoria D2 përfshin personelin ndihmës, si llogaritar, arkivist, protokollist, magazinier, shofer, centralist etj., dhe personel tjetër, të ngjashëm me to.”.
Dh) Pas shkronjës “f” shtohet shkronja “g”, me këtë përmbajtje:
“g) Kategoria D3 përfshin personelin tjetër ndihmës, që kryen shërbimet sanitare dhe të mirëmbajtjes së zyrave etj..”.
2. Shkronja “b”, e pikës 6, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“b) Testimi bëhet me shkrim dhe me gojë dhe ndarja e pikëve të testimit bëhet në përputhje me vendimin nr.231, datë 11.5.2000, të Këshillit të Ministrave. Ministri i Financave ngre një komision me 5 anëtarë. Kryetar i komisionit është zëvendësdrejtori i shërbimeve mbështetëse dhe anëtarë, drejtori/përfaqësuesi i zyrës/sektorit të personelit, eprori direkt për pozicionin e vendit të shpallur të lirë dhe dy personalitete të fushës ekonomiko-financiare dhe juridike. Personat, që nuk janë pjesë e administratës tatimore, përfitojnë shpërblim, në përputhje me vendimin nr.231, datë 11.5.2000, të Këshillit të Ministrave, dhe paguhen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.”.
3. Paragrafi i tretë, i pikës 7.2, “Procedura për ngritjen në kategoritë B e A”, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Testimi bëhet me shkrim dhe me gojë. Ministri i Financave ngre komisionin e përzgjedhjes për kategoritë B e A, të përbërë nga 5 anëtarë. Kryetar i komisionit është zëvendësdrejtori i shërbimeve mbështetëse dhe anëtarë, zëvendësdrejtori i operacioneve, zëvendësdrejtori i informacionit dhe menaxhimit të të ardhurave dhe dy personalitete të fushës ekonomiko-financiare dhe juridike.”.
4. Ngarkohen ministri i Financave dhe drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit nё “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
19/11/2008