V E N D I M PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR UNAZA SHKODËR
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR UNAZA SHKODËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, dhe të ligjit nr.9836, datë 26.11.2007, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2008”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor Unaza Shkodër (kolektorët).
2. Shpronësimi të bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen, në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen 1 617 (një mijë e gjashtëqind e shtatëmbëdhjetë) m2 tokë truall, me një vlerë të përgjithshme shpronësimi 24 025 033 (njëzet e katër milionë e njëzet e pesë mijë e tridhjetë e tre) lekë.
4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 130 000 (njëqind e tridhjetë mijë) lekë, të përballohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve.
5. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, 24 025 033 (njëzet e katër milionë e njëzet e pesë mijë e tridhjetë e tre) lekë, të përballohet nga buxheti i vitit 2008, zëri “Shpronësime”, miratuar për Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit.
6. Shpronësimi të fillojë më 30 nëntor 2008 dhe të përfundojë më 30 dhjetor 2008.
7. Pronarët e përmendur në listën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për të cilët është bërë shënimi “Konfirmim ZRPP”, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e plotë të pronësisë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve. Për pronarët, për të cilët është shënuar “Proces regjistrimi”, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve do të bëjë likuidimin, pasi të kenë përfunduar procedurat e regjistrimit dhe pasi të kenë paraqitur dokumentacionin përkatës të pronësisë.
8. Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve të kryejë verifikimet për përputhshmërinë e sipërfaqeve, të cilat preken, me numrat e pasurive, në pronësi të pronarëve, që shpronësohen.
9. Ngarkohen Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
19/11/2008