E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NЁ VENDIMIN Nr.1, DATЁ 10.1.2007, TЁ KЁSHILLIT TЁ MINISTRAVE, “PЁR MIRATIMIN E RREGULLAVE PЁR PROKURIMIN PUBLIK”, TЁ NDRYSHUAR

V E N D I M 

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NЁ VENDIMIN Nr.1, DATЁ 10.1.2007, TЁ KЁSHILLIT TЁ MINISTRAVE, “PЁR MIRATIMIN E RREGULLAVE PЁR PROKURIMIN PUBLIK”,  TЁ NDRYSHUAR

Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs dhe tё neneve 27 e 75, të ligjit nr.9643, datё 20.11.2006, “Pёr prokurimin publik”, tё ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Kёshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në “Rregullat për prokurimin publik”, që i bashkëlidhet vendimin nr.1, datё 10.1.2007, tё Kёshillit tё Ministrave, tё ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1. Shkronja “d”, e pikës 2, “Prokurimi i përqëndruar dhe organi qendror blerës”, të  kreut 1, “Organizimi i prokurimit publik”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“d) Organi qendror blerës shqyrton dhe miraton specifikimet teknike, të dërguara nga autoritet kontraktore.

Nëse organi qëndror blerës gjykon se specifikimet teknike nuk janë përgatitur në përputhje me ligjin për prokurimin publik ose se mund të shkaktojnë dështim të procedurës së prokurimit, kryen rishikimin dhe modifikimin e tyre.

Për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, organi qendror blerës bashkërendon punën me specialistë të fushës, të institucioneve përgjegjëse, si dhe me specialistë të jashtëm, vendas ose të huaj, për unifikimin e specifikimeve teknike, në përputhje me standardet.

Nëse autoritetet kontraktore, në përcaktimin e të dhënave sasiore, kanë marrë për bazë çmime të ndryshme, për mallra dhe shërbime të të njëjtit lloj, organi qendror blerës bashkërendon punën për testimin e tregut dhe përllogarit të dhënat sasiore, sipas fondit të vënë në dispozicion.”.

2. Shkronja “a”, e pikës 1, “Kufijtë monetarë”, të kreut II, “Rregulla të përgjithshme të prokurimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

  “a) Në përputhje me nenin 27, të ligjin për prokurimin publik, kufijtë monetarë janë:
 
i. Kufiri i lartë monetar:
-  1 200 000 000 lekë, për kontratat e punëve publike;
-     200 000 000 lekë, për kontratat publike të shërbimeve dhe   mallrave.”.
ii. Kufiri i ulët monetar:
-      12 000 000 lekë, për kontratat e punëve publike;
-     8 000 000 lekë, për kontratat publike të shërbimeve dhe të mallrave.”.
3.     Në kreun III, “Dokumentet e tenderit”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
A.  Në fjalinë e parë, të paragrafit të dytë, të shkronjës “ ë”, të pikës 2, “Informacion i përgjithshëm”, fjalët “... e cila llogaritet si diferencë e çmimit më të lartë,... ” zëvendësohen me “... e cila llogaritet si diferencë ndërmjet çmimit të kontratës dhe çmimit më të lartë,.. ”.
B.  Në pikën 3, “Informacion i veçantë”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a)  Në nënndarjen e dytë  të nënndarjes “i”, “Për kapacitetet financiare dhe ekonomike”, të shkronjës “a”,  “Kontratat për punë”, fjalët  “...dhe ose raportet e menaxhimit financiar, të certifikuara nga një subjekt i jashtëm, i licencuar, auditimi;”, shfuqizohen.
b)  Në nënndarjen “ii”, “Për kapacitetet teknike dhe profesionale”, bëhen ndryshimet, mëposhtme:

i) në nënndarjen e parë, fjalët “licencat profesionale” zëvendësohen me “licenca profesionale e shoqërisë”;
ii)   nënndarja e dytë shfuqizohet;
                    iii)  në nënndarjen e tretë, fjalët “...dhe për numrin e stafit drejtues...”, shfuqizohen.
 
c)  Në nënndarjen e dytë, të nënndarjes “i” , “Për kapacitetet financiare dhe ekonomike”, të shkronjës “b”, “Kontratat e mallrave”, fjalët “..., dhe ose raportet e menaxhimit financiar, të certifikuara nga një subjekt i jashtëm, i licencuar auditimi;”, shfuqizohen.
ç)  Në nënndarjen e dytë, të nënndarjes “i”,  “Për kapacitetet financiare dhe ekonomike”, të shkronjës “c”, “Kontratat e shërbimeve”, fjalët “...dhe ose raportet e menaxhimit financiar, të certifikuara nga një subjekt i jashtëm, i licencuar auditimi;”, shfuqizohen.
4.  Në fund të paragrafit të parë, të shkronjës “a”, të pikës 5, “Procedura me negociim, pa shpallje të njoftimit”, të kreut IV, “Llojet dhe përzgjedhja e procedurave”, pas fjalëve “...asnjë ofertë...” shtohen “...apo kërkesë e përshtatshme...”.
5.  Në kreun V, “Zhvillimi i procedurave”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Shkronja “d”, e pikës 1, “ Njësia e prokurimit dhe urdhri për prokurim”, shfuqizohet.
b) Në pikën 2, “Hartimi i dokumenteve të tenderit”, bëhen këto ndryshime:

i. Në fund të shkronjën “b” shtohet një  paragraf, me këtë përmbajtje:
“Në rastin e zhvillimit të procedurës së prokurimit me mjete  elektronike, botimi i dokumenteve të tenderit do të bëhet sipas udhëzimeve të APP-së.”.
 ii.  Në fjalinë e parë të shkronjës “ç” fjalët “... i emëruar në përputhje me shkronjën “d”, të pikës 1, të këtij kreu,...” zëvendësohen me “... i cili emërohet me urdhër të veçantë të titullarit të autoritetit kontraktor...”.

c) Në fund të shkronjës “d”, të pikës 3, “Dorëzimi i ofertave”, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:
“Në rastin e zhvillimit të procedurës së prokurimit me mjete elektronike, dorëzimi i ofertave të operatorëve do të bëhet sipas udhëzimeve të APP-së.”.

ç)  Pas nënndarjes “i”, të pikës 4, “Hapja dhe vlerësimi i ofertave”, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

 “Në rastin e zhvillimit të procedurës së prokurimit me mjete elektronike, procedura e hapjes dhe e vlerësimit të ofertave do të bëhet sipas udhëzimeve të APP-së.”.

6. Në nënndarjen “Lista e shkurtër e kandidatëve”, të shkronjës “ç”, të pikës 3, “Shërbimet e konsulencës”, të kreut VI, “Zhvilllimi i procedurës së kërkesës për propozim, prokurimi me vlera të vogla, shërbimet e konsulencës, konkursi i projektimit”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Fjalia “Lista e shkurtër përfshin të pakën 3 kandidatë” zëvendësohet me “Lista e shkurtër përfshin të paktën 2 kandidatë”.
b) Fjalia e fundit e kësaj nënndarjeje shfuqizohet.

7. Në fund të shkronjës “c”, të pikës 2, “Bashkimi i operatorëve”, të kreut VII, “Kushtet e përgjithshme për zbatim”, shtohet një paragraf, me këtë përmbajtje:

“Kur oferta paraqitet nga një bashkim operatorësh, kushti i parë, i përcaktuar në paragrafin e shtatë, të shkronjës “a”, “Kontratat për punë”, të pikës 3, “Informacione të veçanta”, të kreut III, “Dokumentet e tenderit”, plotësohet nga anëtari, i cili ka përqindjen më të madhe të pjesëmarrjes në bashkim. Anëtarët e tjerë të bashkimit do të paraqesin kontrata të ngjashme, në raport me përqindjen e pjesëmarrjes së tyre në bashkim.”.

Ky vendim hyn në fuqi  menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


21/01/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›