E Diel, 1 Nëntor 2026

V E N D I M PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.205, DATË 13.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DISPOZITAVE ZBATUESE TË KODIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRIS˔, TË NDRYSHUAR

V E N D I M

PËR

DISA SHTESA  E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.205, DATË 13.4.1999, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E DISPOZITAVE ZBATUESE TË KODIT DOGANOR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, dhe të  ligjit nr.8449,                 datë 27.1.1999, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave,  Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

Në vendimin nr.205, datë 13.4.1999, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:

1.          Në kreun II të titullit III, paragrafi 9, i nenit 248, ndryshohet si më poshtë vijon:

“9.  Personat për të përfituar regjimin e magazinës doganore të tipit C, Duty Free Shop, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë Zyrës Doganore, ku mendohet të vendoset magazine. Kërkesa formulohet sipas aneksit 26, të Dispozitave të Kodit Doganor dhe i bashkëlidhen dokumentet e mëposhtme:

f)  Plani i vendosjes së magazinës (dyqanit).

g)  Certifikata tatimore, NIPT (fotokopje e noteruar).

h)  Statusi i shoqërisë dhe akti i themelimit.

i)  Vërtetim nga Prokuria/Ministria e Drejtësisë, që subjekti nuk ka precedente penale.

j)  Dokumentat e pronësisë ose kontratës së qerasë për ambjentin që do të përdoret.

o) Vërtetim nga zyra tatimore që mbulon aktivitetin, për detyrime të palikujduara.

p)  Plan-biznesin, ku argumentohet qarkullimi vjetor i parashikuar, si dhe numri/lista e mallrave, që do të tregtohen.

q)  Të dhëna mbi sistemin e skanimit të inventarit, si në hyrje, dhe në dalje, si dhe të “Bording pass”, të pasagjerëve, që paraqiten, si klientë të dyqanit.

r)  Planvendosje të dyqanit dhe vendit të magazinimit, kushteve të ruajtjes së sigurisë së mallrave në këto ambiente, mundësinë e mbikëqyrjes nga autoriteti doganor.

s)  Garanci bankare për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në shumën 5 (pesë) milionë lekë, në një nga format e garancisë.

2.          Në kreun II të titullit III, paragrafi 9, i nenit 248,  shtohet paragrafi 10, me këtë përmbajtje:

“10. Subjekti i interesuar për të marrë autorizimin, duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim pranë degës doganore, që ka kompetencën territorial mbi ambientet e kërkuara për t’u miratuar  si magazinë doganore  e tipit C (Duty Free Shop).  Dega doganore me marrjen e aplikimit nga subjekti i interesuar, nëpëmjet një komisioni prej 3 personash verifikon dosjen dhe ambjentet e propozuara. Verifikimi konsiston në:

e)  Vendosjen e dyqanit (hapësira e mjaftueshme e lëvizjes në dalje nga territori doganor i Republikës së Shqipërisë dhe mbas ambienteve të kryerjes së veprimeve me policinë dhe doganën).

f)  Analizimi i nevojave në bazë të fluksit të udhëtarëve.

g)  Kushtet e ruajtjes së sigurisë së mallrave në këto ambiente (nr. i dyerve dhe mundësia e plumbosjes, mbyllja e dritareve, etj), kur godina ekziston, dhe përshtatshmërisë së vendosjes dhe projektit në rastin, kur godina do të ndërtohet e re.

h) Mundësinë e mbikëqyrjes, kontrollit dhe/ose inventarizimit të mallrave) nga autoriteti doganor.

Brenda 15 ditësh nga data që është dorëzuar kërkesa, dega doganore, përcjell dosjen në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, si dhe një relacion ku sqarohet qëndrimi i komisionit.

10.1  Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas shqyrtimit nga sektori përgjegjës, brenda 10 ditëve ia përcjell dosjen për miratim Ministrisë së Financave, nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara, në të kundërt  ia kthen për plotësim, apo për refuzim degës doganore propozuese.

10.2.  Ministri i Financave, brenda një afati jo më të gjatë se 30 ditë, nga depozitimi i dosjes në drejtorinë, që mbulon politikat fiskale në Ministrinë e Fiannacave, miraton ose jo autorizimin duke njoftuar subjektin dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Në rastin e mosmiratimit të autorizimit, ministri i Financave shpjegon arsyet e refuzimit. Subjektet e interesuara kanë të drejtën e ankimit administrativ, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative.

10.3.  Autorizimi është i vlefshëm për 5 vjet, me të drejtë rinovimi.

10.4.  Subjekti, të cilit i është miratuar autorizimi, njoftohet zyrtarisht të kryejë pagesën e tarifës vjetore të autorizimit për shumën 20 000 (njëzet mijë) euro, në llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Me paraqitjen e dokumentit bankar të pagesës, subjekti pajiset me autorizimin përkatës dhe, drejtoria e Përgjithshme e Doganave, kryen aktivizimin në sistemin kompjuterik të fillimit të funksionimit të magazinës Duty Free Shop. Në rastin e marrjes së autorizimit për magazinë doganore duty free në bordin e anijeve dhe të avionëve, tarifa vjetore e autorizimit është 10 000 (dhjetë mijë) euro. Nëse subjekti e merr autorizimin gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, paguhet 100 përqind e taksës, nëse e merr autorizimin në gjashtëmujorin e dytë të vitit, paguhet 50 për qind e masës së tarifës vjetore. Pagesa e tarifës vjetore bëhet një herë në vit, brenda tremujorit të parë të vitit. Edhe në rastin e rinovimit të autorizimit, pagesa vjetore bëhet e plotë.”.

 10.5.  Subjektet, të cilat operojnë me autorizim/licencë për ushtrim të veprimtarisë duty free, brenda një periudhe tre mujore, duhet të përshtaten me kriteret e reja dhe të pajisen me autorizimin përkatës. Mospajisja me autorizimin përkatës sipas dispozitave të këtij vendimi, i humbet të drejtën e ushtrimit të aktivitetit, si duty free.

3.          Paragrafi 2 i nenit 249 ndryshohet si më poshtë vijon:

“  Revokimi i magazinës tip C Duty Free Shop bëhet nga ministri i Financave si dhënës autorizimi, me propozim të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, kur gjykohet se janë shkelur kushtet e përcaktuara, për ekzistencën e magazinës Duty Free Shop. Revokimi bëhet në rastet e mëposhtme:

a)     Kërkohet nga kompania e autorizuar.

b)     Kur magazina tip C Duty Free Shop nuk përdoret në masën e mjaftueshme, për të justifikuar ekzistencën.

c)     Kur janë identifikuar në mënyrë të përsëritur raste kundërvajtjeje në plotësimin e kushteve për hyrje-daljen e mallrave dhe regjistrimin e tyre.

4.          Paragrafi 2 i nenit 225 ndryshohet si më poshtë vijon:

“Me qëllim mbikëqyrjen e regjimit të daljes së mallrave nga Duty Free Shop, periodikisht të hënën e parë të çdo muaji, bëhet deklaratë përmbledhëse  eksporti për mallrat e shitura.”.

 5.          Ngarkohet ministri i Financave, për nxjerrjen e udhëzimit për zbatimin praktik të regjimit të magazinës doganore të tipit C, Duty Free Shop, në zbatim të këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA


25/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›