V E N D I M PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 3.2.2009, PËR ÇËSHTJEN NR.19206/05, “DAUTI KUNDËR SHQIPËRIS˔
V E N D I M
PËR
EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 3.2.2009, PËR ÇËSHTJEN NR.19206/05, “DAUTI KUNDËR SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46, të konventës evropiane “Për të drejtat e njeriut”, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e konventës evropiane “Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore””, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.10 025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 3.2.2009, për çështjen nr.19206/05, “Dauti kundër Shqipërisë”, në shumën 6 000 (gjashtë mijë) euro, si dhe pagesën e tatimit për dëmshpërblimin, në masën 10 për qind të kësaj shume.
2. Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave dhe afati, brenda të cilit duhet kryer ky ekzekutim, është data 3.7.2009.
3. Detyrimi financiar, i parashikuar në pikën 1, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
4. Shuma e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesit, z. Ramiz Dauti, dhe të konvertohet në lekë, me kursin e këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së kësaj llogarie.
5. Pagimi i shumës së depozituar sipas pikës 4, të këtij vendimi, në favor të ankuesit, z.Ramiz Dauti, të bëhet nga Ministria e Financave, pas paraqitjes të së gjithë dokumentacionit ligjor, të nevojshëm për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit.
6. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe ministri i Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
18/06/2009