V E N D I M PËR HAPJEN E PROGRAMIT TË RI TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “ALDENT”, TIRANË
V E N D I M
PËR
HAPJEN E PROGRAMIT TË RI TË STUDIMIT, PRANË SHKOLLËS SË LARTË UNIVERSITARE, PRIVATE, “ALDENT”, TIRANË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4, 5, 40, 43, 44 e 45, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Hapjen e programit të studimit, të ciklit të parë, në “Infermieri e përgjithshme”, në formën e studimeve me kohë të plotë, pranë shkollës së lartë universitare, private, “Aldent”, Tiranë.
2. Kohëzgjatja normale e programit të studimit të ciklit të parë të jetë 3 (tri) vite akademike, me plotësimin, së paku, të 180 krediteve. Në përfundim të këtij programi studimi lëshohet diplomë e nivelit të parë, (DNP), në “Infermieri e përgjithshme”.
3. Ngarkohet shkolla e lartë universitare, private, “Aldent”, që, për këtë program studimi, të sigurojë, nëpërmjet marrëdhënieve kontraktuale, zhvillimin e disa prej disiplinave kryesore formuese të specialitetit, pas vitit të parë, nga një personel akademik i huaj, me kualifikimet e nevojshme.
4. Shkolla e lartë universitare, private, “Aldent”, ta fillojë veprimtarinë mësimore për programin e studimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, pasi të ketë marrë, jo më vonë se dy javë para fillimit të veprimtarisë mësimore, lejen përkatëse nga ministri i Arsimit dhe Shkencës.
Ministri e lëshon lejen pasi vlerëson se institucioni mësimor ka përmbushur angazhimet e deklaruara, në përputhje me udhëzimin e tij, për këtë qëllim.
5. Ndryshimet në vendndodhje, plane, forma studimi dhe programe, si dhe në elemente të tjera, të miratuara, bëhen pas miratimit nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
6. Shkolla e lartë universitare, private, “Aldent”, duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit të këtij programi studimi, brenda afateve të përcaktuara në ligjin në fuqi.
7. Ngarkohet Ministria e Arsimit dhe Shkencës për kontrollin periodik të ligjshmërisë në institucion dhe për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
22/07/2009