E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR MIRATIMIN E LISTËS SË LLOJEVE TË HUAJA INVAZIVE DHE PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, PËR NDALIMIN DHE/OSE FUTJEN E TYRE NË PIKAT DOGANORE TË VENDIT

V E N D I M 

PËR 

MIRATIMIN E LISTËS SË LLOJEVE TË HUAJA INVAZIVE DHE PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, PËR NDALIMIN DHE/OSE FUTJEN E TYRE NË PIKAT DOGANORE TË VENDIT

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 7, të nenit 32, të ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”, me propozimin e ministrit t¸ Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1.     Ndalimin e futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të llojeve të huaja invazive, sipas shtojcës I, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si pjesë e tij.

2.     Ndalimin e futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të ekzemplarëve të rinj, të llojeve të huaja, me shkallë invazioni 3, sipas shtojcës II, që i bashkëlidhet këtij vendimi, të llojeve, që gjenden, tashmë, në vend, pasi janë futur më parë.

3.     Lejimin ose ndalimin, për rastet e tjera, të një lloji të huaj, për t’u importuar ose për t’u introduktuar në territorin e vendit tonë, mbështetur në vlerësimin e rrezikut, që mbart importimi ose introduktimi i tij, i cili vlerëson shkallën e invazionit të llojit të huaj.

4.     Vlerësimi i rrezikut të një lloji të huaj është vlerësimi i pasojave të introduktimit dhe mundësisë së instalimit të një lloji të huaj, duke përdorur informacionin shkencor. Menaxhimi i rrezikut përcakton masat, që duhen zbatuar për t’i reduktuar ose menaxhuar rreziqet e identifikuara gjatë vlerësimit të rrezikut.

5.     Ekzemplarët e rinj të llojeve, me shkallë invazioni 1 e 2, të përcaktuar në shtojcën II, i nënshtrohen vlerësimit të rrezikut, si pjesë e vlerësimit mjedisor.

6.     Për llojet e specifikuar në pikën 2, të këtij vendimi, që tashmë janë në vendin tonë, dhe për llojet e shtojcës I, që gjenden në vend, të merren masat e menaxhimit të rrezikut, në përputhje me dispozitat e ligjit nr.9587, datë 20.7.2006, “Për mbrojtjen e biodiversitetit”.

7.     Moslejimin, nga administrata doganore, e futjes, në territorin doganor, të llojeve të huaja, kur subjektet nuk janë të pajisura me leje.

8.     Për llojet e huaja, që synojnë të futen, në mënyrë të qëllimshme ose jo, në territorin e vendit tonë, autoritetet doganore të zbatojnë kontrollin në kufi, në mbështetje të legjislacionit doganor, dhe, në bashkëpunim me inspektorët e autorizuar, të procedojnë për zgjidhjen e çështjeve, sipas kompetencave që kanë në zbatim të ligjit nr.9867, datë 31.1.2008, “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për tregtinë ndërkombëtare të llojeve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër”.

9.     Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

 

SALI BERISHA


06/03/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›