E Shtunë, 31 Tetor 2026

V E N D I M PËR MIRATIMIN E MINIMUMIT TË SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË PAJISJEVE TË LOTARISË KOMBËTARE

V E N D I M 

PËR 

MIRATIMIN E MINIMUMIT TË SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË PAJISJEVE TË LOTARISË KOMBËTARE

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 31, të ligjit     nr.10 033, datë 11.12.2008, “Për lojërat e fatit”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I :

1.     Pajisjet e lotarive kombëtare, për të qenë të ligjshme për përdorim, duhet të përmbushin specifikimet teknike, sipas këtij vendimi. Asnjë pajisje nuk do të përdoret nga i licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare, nëse ajo nuk është certifikuar dhe miratuar si pajisje nga Njësia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

2.     I licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare duhet të ketë sistem qendror kompjuterik, i cili duhet të plotësojë këto kushte:

a)     Mundësinë për të kryer kontrolle të këtij sistemi;

b)     Mundësinë për kryerjen e kontrollit të sigurisë;

c)     Mundësinë për të kryer kontroll financiar.

Sistemi qendror duhet të jetë një sistem kompjuterik, me kapacitet të mjaftueshëm (për përpunim të dhënash, memorie, ndërfaqe komunikimi, hardisk të ruajtjes të së dhënave), për të performuar, në mënyrë efektive, të gjitha detyrat, që lidhen me realizimin e procesit të lotarisë.

3.     Mjedisi, ku do të vendoset sistemi qendror kompjuterik, duhet të jetë i siguruar. Personat, që kanë të drejtë të hyjnë në këtë mjedis, duhet të jenë të pajisur me autorizimin përkatës, të lëshuar nga i licencuari për veprimtarinë e lotarisë. Gjithashtu, i licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare duhet të sigurojë një sistem monitorimi elektronik të hyrje/daljeve të personelit.

4.     Të gjitha pajisjet e sistemit qendror, si dhe pajisjet e tjera (sistemi i ndriçimit, i kondicionimit,  sistemi telefonik), të vendosura në dhomën e kompjuterave, duhet të furnizohen, në mënyrë të pandërprerë, me energji dhe të jenë të pajisura me sistem tokëzimi.

5.     I licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare nuk mund të ndërhyjë në sistemin qendror komjuterik apo në komponentët e tij dhe të sistemit të hardware-it dhe të software-it pa miratimin e Njësisë së Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

6.     Serveri qendror duhet të gjenerojë dhe të transmetojë në terminale konfiguracionin dhe të dhënat për:

a)             Ndryshimin e kreditit;

b)             Numrat e rastësishëm;

c)     Komponentët e rezultateve të lojërave, psh, topa, letra, pozicionet e ndalimit të rrotës;

ç)  Rezultatin aktual të lojës;

d)  Përditësimet e matësit të krediteve për lojërat e fituara.

Serveri dhe terminalet duhet të kenë antivirus të përshtatshëm, ndërsa i licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare duhet t’i ketë të gatshme procedurat për zbulim dhe mbrojtje nga viruset, nëse ekziston mundësia e infektimit.

7.      Të gjithë softwar-et e të gjithë komponentëve të sistemit qendror duhet të ruhen sipas një sistemi të përshtatshëm kontrolli, të versionit të software-ve.

8.     Të gjitha pajisjet, ku ruhen programet, përfshi ROMs, EPROMs, FLASH ROMs, DVD, CD-ROM, Compact Flash dhe çdo pajisje tjetër, të cilat nuk duhet të ndryshojnë gjatë funksionimit të serverit, duhet të kenë të shënuar qartësisht një informacion të mjaftueshëm për identifikimin e softit dhe nivelin e rishikimit të informacionit të ruajtuar në pajisje.

9.     I licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare lejohet të përdorë      softwar-in, versioni i të cilit është miratuar nga DPM-ja. Nëse i licencuari kërkon ndryshimin e software-it, ky ndryshim duhet të reflektohet në kodin e burimit të këtij software-i.

     Të gjitha të dhënat, si dhe çdo e dhënë për ngjarjet e sigurisë, ruhen jo më pak se 2 (dy) vjet, në rastin e ngjarjeve  të veçanta, dhe jo më pak se 5 (pesë) vjet, për të dhënat financiare.

10.    Sistemi funksional i file-ve dhe i database-ve duhet të jenë të mbrojtur me pasword si dhe duhet të ruajnë historikun e hyrje-daljeve në kompjuter. Pasword-et duhet të jenë individuale për të gjithë personat e autorizuar. I licencuari i lotarive duhet të mbajë një regjistër për ndryshimet eventuale të pasword-eve të tyre.

Për të siguruar besueshmërinë dhe integritetin e sistemit qendror, të gjitha file-t duhet të jenë të dubluara.

      Në rast dëmtimi apo shkatërrimi (psh nga zjarri) të sistemit qendror, i licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare duhet të sigurojë një mënyrë për rikthimin e të dhënave.

11. Të gjitha kodet dhe pas word-et e përdorura nga i licencuari për lotari duhet të jenë të koduara në formë të patjetërsueshme. Çelësat e kodimit dhe të dekodimit duhet të kodohen në formë të kthyeshme.

      Në rastet kur lojtarët dhe personeli i të licencuarit për veprimtarinë e lotarisë kombëtare identifikohen me numër personal identifikimi “PIN”, atëherë algoritmi, që gjeneron numrat PIN, si dhe procedura përkatëse e ndryshimit, ruajtjes së bazës të së dhënave, sigurisë dhe shpërndarjes së PIN-it, duhet të jenë të testuara nga DPM-ja, përpara miratimit nga NJMLF-ja.

12. Konfigurimi i një hardware-i të sistemit qendror miratohet nga NJMLF-ja. Besueshmëria, rikthimi i të dhënave dhe siguria e konfigurimit të hardware-it testohen nga DPM-ja.

13. I licencuari për lotari duhet të dorëzojë dy kopje të ilustrimeve, skemave, diagramave, analizës së qarqeve, manualeve teknike dhe të funksionimit pranë DPM-së, për analizimin dhe testimin e terminalit të videolotarisë dhe të pajisjeve shoqëruese. Në rast se procesi i testimit kërkon çmontim të terminalit dhe nëse gjatë çmontimit mund të dëmtohen komponentët elektronikë të tij, atëherë i licencuari për veprimtarinë e lotarisë kombëtare/prodhuesi duhet të depozitojë në DPM pajisje të specializuara për të testuar terminalin e prodhuar dhe përdorur prej tij.

     Terminali duhet të sigurojë mbrojtje nga shkarkesat elektrostatike, për të cilat kërkohet që kasa përçuese e terminalit të jetë e tokëzuar, në mënyrë, që këto shkarkesa të mos e dëmtojnë apo pengojnë punën normale të terminalit. Testet do të kryen me një minimum niveli sigurie prej 27 KV shkarkesë ajrore.

     Nuk duhet të ketë asnjë mundësi që nga terminalet të ndërhyhet në konfiguracionin e serverit.

14. Çdo pajisje lojërash fati duhet të ketë të ngjitur një target, i cili të përmbajë:

a)     të dhëna për prodhuesin;

b)     një numër serial unik;

c)     modelin e pajisjes së lojës së fatit;

ç)  datën e prodhimit.

15.Të gjitha aparatet, që shërbejnë për lojërat e fatit, duhet të sigurojnë që të mos ketë humbje të të dhënave pas një ndërprerjeje të energjisë. Lidhja dhe komunikimi me aparatet e sistemet e tjera nuk duhet të ndikojë, në asnjë rast, në faktet dhe rezultatet e lidhura me lojërat e fatit, të propozuara nga automati.

16.Të gjitha aparatet, që shërbejnë për lojërat e fatit, duhet të sigurojnë që tokëzimi i aparatit të jetë më i vogël se 4 omh. Kryerja e testit ka të bëjë me sigurinë e jetës së lojtarit gjatë lojës.

17.Të gjitha aparatet, që shërbejnë për lojërat e fatit, duhet të sigurojnë që kohëzgjatja e një loje të jetë më e madhe se 1 sekondë.

18.Të gjitha pajisjet, ku ruhen programet, përfshi ROMs, EPROMs, FLASH ROMs, DVD, CD-ROM, Compact Flash, dhe çdo pajisje tjetër për ruajtje të dhënash, duhet të jenë markuara me informacionin e mjaftueshëm, për të identifikuar software-in dhe nivelin e informacionit të ruajtur në to.

Software-i i pajisjeve të lojërave të fatit duhet:

a)     t’i sigurojë lojtarit paraqitjen vizuale të informacionit të mëposhtëm, për gjendjen aktuale të lojës,;

i)      Betin;

ii)     Planin e fitimeve;

iii)    Kredinë;

iv)    Fitimin;

v)     Rezultatin aktual të lojës;

vi)    Xhekpotin ose bonusin (shpërblimin suplementar), në rastet kur pajisja konkrete e parashikon këtë.

b)     të garantojë përputhje ndërmjet mjeteve të drejtimit të zonës së kontaktit të lojtarit dhe funksionimin e tyre sipas rregullave;

c)     të garantojë përputhje ndërmjet kredive të aplikuara në automatet e lojërave të fatit dhe informacionit për këto kredi në sistemin e drejtimit, në pajisjen për kontroll të pjesshëm dhe në sistemin e paraqitjes vizuale;

ç) të ruajë informacionin për kreditë e aplikuara dhe të paguara, të paktën 1 500 h (orë) pas ndërprerjes së energjisë elektrike.

Në rast se software-i i automateve të lojërave regjistron ndonjë gabim të programbajtësit ose në kujtesën, që varet nga energjia elektrike, atëherë ai duhet ta ndërpresë lojën dhe t’i dërgojë njoftim sistemit të paraqitjes vizuale.

19. Pajisjet e lojërave të fatit duhet të kenë, të paktën, katër numëratorë elektromekanikë, të cilët sigurojnë informacionin e mëposhtëm:

a)        Totalin e kredive të aplikuara (total in);

b)       Totalin e kredive të paguara (total out);

c)        Totalin e kredive të luajtura (total bet);

ç) Totalin e kredive të fituara (total win).

Matësit elektromagnetikë duhet të regjistrojnë të dhëna të njëjta si matësit elektronikë. Çdo numrator duhet të ketë të paktën 6 radhë, treguesit duhet të ndryshojnë vetëm në drejtim të rritjes, të mos zerohen me ndërhyrje nga jashtë dhe secili të ketë shenjë për destinacionin e tij të punës.

Në rast të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike, pajisja për kontroll të pjesshëm duhet të ruajë informacionin, të paktën 1 500 orë.

20.Sistemi i sinjalizimit jep shenja zanore dhe/ose vizuale me dritë, në rast se ndodhin ngjarjet e mëposhtme:

a)     Hapja e derës së kabinës;

b)     Fitimi i shumës, e cila i kapërcen mundësitë e automatit për pagesë të drejtpërdrejtë;

c)     Fitimi i xhekpotit, në rast se automati parashikon një gjë të tillë;

      Një direktori e programit duhet të regjistrojë të gjitha ngjarjet e mësipërme.

21. Zona e kontaktit për pjesëmarrje në lojë i siguron pjesëmarrësit në lojë:

a)     informacion të qartë dhe të njëkuptimshëm;

b)     mundësi zgjedhjeje të të gjitha parametrave të parashikuara në rregullat e lojës.

Vetëm persona të autorizuara mund të kontrollojnë parametrat e konfiguracionit të lojës dhe të dhënat statistikore, brenda kufijve të përcaktuar nga prodhuesi.

22.Zona e autorizuar e kontaktit lejon përdorimin e të dhënave statistikore të lojës, vetëm nga persona të autorizuar, të cilët mund të kontrollojnë parametrat e konfiguracionit të lojës dhe të të dhënave statistikore, brenda kufijve të përcaktuar nga prodhuesi.

23. Pajisja e pranimit të kredive lejon aplikimin e kredisë vetëm me mjetet dhe sipas mënyrës së parashikuar nga prodhuesi.

Pajisja për pagesë duhet të garantojë përputhje ndërmjet kredisë efektive dhe kredisë së paguar.

24. Pajisjet e lojërave të fatit duhet t’u përgjigjen kërkesave brenda kufijve të lejueshëm të shmangies së parametrave të rrjetit elektrik.

25. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA


11/06/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›