V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT DHE TË TARIFAVE TË SHKOLLIMIT NË PROGRAMET E STUDIMEVE “MASTER I NIVELIT TË DYT˔, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2009-2010, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.829,
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KUOTAVE TË PRANIMIT DHE TË TARIFAVE TË SHKOLLIMIT NË PROGRAMET E STUDIMEVE “MASTER I NIVELIT TË DYTË”, NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2009-2010, DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.829, DATË 29.7.2009, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMEVE “MASTER I NIVELIT TË DYTË”, NË FAKULTETIN E MUZIKËS, TË AKADEMISË SË ARTEVE, DHE MIRATIMIN E KUOTAVE DHE TË TARIFAVE PËR KËTO PROGRAME”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 34 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kuota e pranimit në programet e studimeve “Master i nivelit të dytë” (MND), për vitin akademik 2009-2010, është 1 615, dhe ndahet, si më poshtë vijon:
a) 1 565 kuota për kandidatët shqiptarë, nga të cilat 10% në kuotën e çdo programi studimi janë për studentët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë;
b) 50 kuota për studentët e huaj.
2. Kuotat e pranimit, të përcaktuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, shpërndahen në institucionet publike të arsimit të lartë dhe programet përkatëse të studimit, sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Kuotat për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve përkatëse zyrtare të këtyre trojeve.
4. Kuotat e pranimit të shtetasve të huaj, në programet e studimit MND, në institucionet publike të arsimit të lartë, të Republikës së Shqipërisë, administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të marrëveshjeve me vendet përkatëse dhe të kërkesave të vetë kandidatëve.
5. Tarifa e shkollimit, për studentët e regjistruar në MND, në vitin akademik 2009-2010, është 100 000 (një qind mijë) lekë.
6. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife shkollimi, që likuidohet në këste të caktuara nga fakulteti përkatës.
7. Studentët nga Republika e Shqipërisë, që kanë kryer me rezultate të shkëlqyera ciklin pararendës të studimeve, nuk e paguajnë tarifën e shkollimit.
8. Në pikën 3, të vendimit nr.829, datë 29.7.2009, të Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e programeve të studimeve “Master i nivelit të dytë”, në Fakultetin e Muzikës, të Akademisë së Arteve, dhe miratimin e kuotave dhe tarifave për këto programe”, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje:
`
“Kuota e pranimit në programin e studimeve “Master i nivelit të dytë”, në “Interpretim”, është 40. Dy kuota prej tyre caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë dhe administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.”.
9. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet përkatëse publike të arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
21/10/2009