V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT TË TROJEVE, NË ZONAT INDUSTRIALE, KU USHTROHEN VEPRIMTARI EKONOMIKO-INDUSTRIALE, NË OBJEKTET E NDËRTUARA MBI KËTO TROJE
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E ÇMIMIT TË TROJEVE, NË ZONAT INDUSTRIALE, KU USHTROHEN VEPRIMTARI EKONOMIKO-INDUSTRIALE, NË OBJEKTET E NDËRTUARA MBI KËTO TROJE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1. Çmimi i trojeve, pronë shtetërore, në zonat industriale, ku ushtrohet veprimtari ekonomiko-industriale, në objektet e ndërtuara mbi to, është sa vlera e çmimit të trojeve të kategorive, të miratuara me vendimet nr.1620, datë 26.11.2008, “Për miratimin e trojeve, që ndodhen në të gjitha bashkitë dhe në disa komuna”, nr.555, datë 29.8.2007, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Beratit, Gjirokastrës, Vlorës e të Dibrës, si dhe qytetet Bulqizë, Burrel, Klos dhe Vlorë”, nr.653, datë 29.9.2007, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Lezhës, Dibrës, Korçës dhe Kukësit”, dhe nr.139, datë 13.2.2008, “Për miratimin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Fierit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës”, të Këshillit të Ministrave. Me këtë çmim do të llogaritet jo vetëm sipërfaqja nën objekt, por edhe ajo në funksion të tij. Në rast privatizimi të këtyre trojeve pagesa do të bëhet 50 për qind në lekë dhe 50 për qind me lekë privatizimi, letra me vlerë apo bono privatizimi.
2. Zona industriale janë të gjitha ato zona, të miratuara si të tilla me vendim të KRRT-së, dhe të KRRTRSH-së në bazë të akteve ligjore në fuqi, për kryerjen e veprimtarive ekonomiko-prodhuese.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Ministria e Financave dhe Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për nxjerrjen e udhëzimit përkatës në zbatim të këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
22/07/2009