V E N D I M PËR PËRFAQËSIMIN E MINISTRISË SË BRENDSHME ME OFICERË KONTAKTI NË BRITANINË E MADHE, BELGJIKË, ITALI, GREQI, TURQI, KOSOVË DHE EUROPOL
V E N D I M
PËR
PËRFAQËSIMIN E MINISTRISË SË BRENDSHME ME OFICERË KONTAKTI NË BRITANINË E MADHE, BELGJIKË, ITALI, GREQI, TURQI, KOSOVË DHE EUROPOL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 47, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, "Për Policinë e Shtetit", me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Përfaqësimin e Ministrisë së Brendshme me oficerë kontakti, pranë ministrive homologe, në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Itali, Greqi, Turqi e në Republikën e Kosovës, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë, për të mbështetur luftën e përbashkët kundër trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të armëve, emigracionit të paligjshëm dhe pastrimit të parave.
- Përfaqësimin e Ministrisë së Brendshme me oficerë kontakti, pranë organizatës policore të EUROPOL-it.
- Përfaqësimi në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Turqi e në Republikën e Kosovës të bëhet me nga 1 (një) oficer kontakti, ndërsa përfaqësimi në Greqi e Itali me nga 2 (dy) oficerë kontakti, përkatësisht, nga 1 (një) në Athinë e Selanik dhe nga 1(një) në Romë e Bari.
- Oficerët e kontaktit emërohen nga ministri i Brendshëm, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për një periudhë jo më pak se 2 (dy) vjet. Për emërimin e tyre njoftohen, zyrtarisht, ministritë homologe ose organet zyrtare përgjegjëse.
- Ministri i Brendshëm mund t’i ngarkojë oficerët e kontaktit ta përfaqësojnë Ministrinë e Brendshme në më shumë se 1 (një) vend.
- Oficerët e kontaktit, gjatë ushtrimit të detyrës, vazhdojnë të mbeten në organikën e institucionit, që i emëron, dhe, në përfundim të misionit, gëzojnë të drejtën e rikthimit në institucionin, ku kanë punuar përpara emërimit si officerë kontakti.
- Statusi, imuniteti dhe privilegjet, që gëzojnë oficerët e kontaktit, gjatë ushtrimit të kësaj veprimtarie, rregullohen sipas marrëveshjeve bazë (protokolleve), të nënshkruara ndërmjet Ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe ministrive homologe, përkatëse, si dhe në përputhje me legjislacionet respektive.
- Sistemimi me zyra i oficerëve të kontaktit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, të bëhet në mjediset e përfaqësive tona diplomatike, ndërsa zyra e oficerit të kontakti në EUROPOL do të jetë në zyrat qendrore të EUROPOL-it, në Hagë.
9. Vendimi nr.318, datë 4.7.2002, i Këshillit të Ministrave, “Për vendosjen e oficerëve të kontaktit të Ministrisë së Rendit Publik, pranë ministrive homologe të Greqisë, Italisë, Turqisë dhe UNMIK-ut, Kosovë, të atashuar në përfaqësitë diplomatike të Republikë së Shqipërisë”, shfuqizohet.
10. Ngarkohet ministri i Brendshëm për zbatimin e këtij vendimi dhe për nxjerrjen e aktit nënligjor, për detyrat dhe të drejtat e oficerëve të kontaktit.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA